E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, arrestimi i oficerëve të policisë nga ushtria serbe, EULEX dhe KFOR nisin hetimet

01-04-2012 / Gazeta 55

Reagim ndërkombëtar për incidentin e një ditë më parë në kufirin Kosovë-Serbi

Një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendin ku janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, për të vërtetuar dhe hetuar rastin.
Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër, me çka, sipas tij, ata edhe kishin shkelur marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.
KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi shpreh bindjen se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës, dhe kërkon ndërhyrjen e tyre për lirimin e policeve.
“Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e rrëmbyer. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë rrëmbyer, në territorin e Kosovës”, thotë Rexhepi, citon Europa e Lirë.
Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian – EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe vendin se ku ndodhi ngjarja.. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë - Serbi.
Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.
Veteranët e UÇK-së: Serbia shtet kriminal/Mbi arrestimin e dy policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe kanë reaguar edhe organizatat e dala nga lufta çlirimtare në Kosovë.
Në një deklaratë për mediat organizatat e dala nga UÇK nuk befasohen nga akti më i fundit i Serbisë, që sipas tyre do të mbetet edhe për shumë kohë, shtet kriminal.
“Përcaktimi i Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së do të jetë gjithnjë i orientuar drejt bashkimit të shqiptarëve në një shtet”, thuhet në deklaratën e këtyre organizatave. Ato i kërkojnë nga KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës që të rrisin kapacitetet e veprimit në pikat kufitare, me qëllim që të jenë sa më efikasë në moslejimin e akteve poshtëruese.
Organizatat e veteranëve të UÇK-së i bëjnë thirrje forcave politike në Kosovë të jenë të matura e të angazhohen bashkërisht në tejkalimin e situatës. Ato shpresojnë në lirimin e shpejtë të policëve dhe në mos përsëritjen e incidenteve të tilla.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›