E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avramopulos, Berishës: Shih 100 vjet para dhe jo 100 pas

Me anë të një apeli publik të shkurtër por të qartë, e pa doza diplomacie, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Avramopulos i sugjeroi dje kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha se "liderët politikë nuk duhet të mendojnë dhe të flasin duke parë 100 vjet prapa por duhet të shohin 100 vjet përpara". Ky qëndrim zyrtar i Athinës, i publikuar në faqen zyrtare në internet të ministrisë së Jashtme greke, është i disati në harkun kohor të 72 orëve të fundit, ç'ka reflekton një rritje të ndjeshme të tensionit në marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke.

Gjithçka filloi mbrëmjen e 27 Nëntorit, kur kryeministri, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në qytetin e Vlorës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë deklaroi mes të tjerash se Preveza është tokë shqiptare. "Gëzuar Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të vitit 1912, Pavarësinë e Shqipërisë, Pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë, raporton BW. Nder përjetë babait të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e Pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-vjetorin!", - u shpreh Berisha./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›