E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompetencat në veri do t’i ketë vetëm Zyra Administrative

Qeveria e Kosovës po përgatit një udhëzim administrativ për Komunën veriore të Mitrovicës ku i kërkon Zyrës së UNMIK-ut dhe Komunës së Mitrovicës që të ndërpresin përzierjen në kompetencat e Zyrës Administrative në veri. Ndërkohë, policia e Kosovës ka kërcënuar me arrestim stafin serb të UNMIK-ut në veri, të lidhur me strukturat paralele, nëse ata vazhdojnë të kërkojnë leje dhe të mbledhin taksa paligjshëm në veri.

Rreth 20 mijë euro në tre muajt e fundit kanë mbledhur në mënyrë të paligjshme punëtorët e UNMIK-ut në emër të lejeve dhe taksave në lagjet: e Boshnjakëve dhe Kroi i Vitakut të cilat administrativisht i takojnë veriut të Mitrovicës, konfirmuan për Radio Kosovën në Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani tha se Qeveria ka përgatitur një dokument ku edhe njëherë sqarohen kompetencat e cilit subjekt në veri.

“Qeveria ka autorizuar MAPL që të hartoj aktet e nevojshme me të cilën qartësohen kompetencat e komunës jugore, UNMIK-ut dhe zyrës administrative. Pra për secilën gjë është kompetente vetëm zyra administrative”, ka thënë Osmani për Radio Kosovën.

Ndërkohë, burime të Radio Kosovës konfirmuan sa Policia e Kosovës ka kërcënuar sërish me arrestim punëtorët e UNMIK-ut që po kërkojnë leje ndërtimi dhe po mbledhin taksa në veri.

Këta sipas të dhënave të policisë janë: Steffen Fibrech nga Gjermania, Jaroslav Kozak shtetas i Ukrainës dhe shtetasit rusë: Vladimir Gromov dhe Liljana Galijeva.

Në mesin e punëtorëve të UNMIK-ut është edhe Dragan Spasojeviq, i njohur me pseudonimin “Spaske” dhe i cili është zyrtarisht drejtor për Urbanizëm nga UNMIK-u.

Ndërsa në komunën paralele të Mitrovicës sipas të dhënave të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës është shef i sigurimit privat ”Soko Monfied Security” e cila vepron në veri të Mitrovicës.
Ai gjithashtu sipas të njëjtave burime mban lidhje me të ashtuquajturën Mbrojtja Civile në veri të Kosovës.

UNMIK-u nuk ka komentuar lidhjen e stafit të vet me strukturat paralele. Zëdhënësi Oliver Salgado ka konfirmuar përmes telefonit se taksat e mbledhura janë deponuar në xhirollogari të komunës jugore. Kjo fundit gjithashtu ka marr vërejtje nga qeveria për mospranim të këtyre mjeteve të komunës veriore.

Shefi i financave të kësaj komune, Rrustem Abiti ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur njohuri që UNMIK-u po mbledh këto taksa paligjshëm në pjesën veriore.

“Mjetet do ti kthehen zyrës administrative në veri qysh javën e ardhshme”, ka thënë Rrustemi për Radio Kosovën.

Rreth kësaj situatë nuk është prononcuar zyrtarisht askush në policinë e Kosovës. Problemet rreth veprimeve të UNMIK-ut në veri kanë dalë sërish në sipërfaqe javët e kaluara gjatë tensioneve tek Kroi i Vitakut./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›