Azem Osmani: Lash LDK-në shkaku i keqmenaxhimit

Azem Osmani, zëdhënës i deritashëm i Degës së LDK-së në Besianë dhe shef i Zyrës së Informimit të Komunës së Besianës, ka aderuar në radhët e PDK-së. Librezën e anëtarësisë atij, të mërkurën ia kanë dhuruar Latif Gashi, deputet i Parlamentit të Kosovës dhe Naim Fetahu, kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Besianës. Osmani ka bërë me dije se arsyet kryesore që e kanë shtyrë për ta braktisur LDK-në, janë keqmenaxhimi, mënyra joadekuate e qeverisjes dhe qeverisja pa strategji. “Jam në pritje të gjatë të ndryshimeve pozitive brenda LDK-së. Të gjitha këto procese negative kulmuan me largimin tim njëherë e përgjithmonë nga kjo parti, në të cilën kam dhënë kontribut të çmuar. I jam bashkangjitur PDK-së, me bindjen se këtu do të gjejë akomodimin, rehatinë dhe prosperimin, ashtu sikur që kanë gjetur shumica e kuadrove që i janë bashkangjitur këtij subjekti politik. Jam gjithashtu i fascinuar me pritjen e ngrohtë që më kanë bërë udhëheqësit e Degës së PDK-së në Besianë, për çfarë shumë u jam mirënjohës”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Librezat e PDK-së të mërkurën po ashtu i kanë marrë edhe një numër i madh i aktivistëve të AAK-së, të LDK-së e ndër ta edhe studentja e dalluar Arjeta Talla si dhe aktivisti shquar i AAK-së, Skënder Potoku. Azem Osmani është i diplomuar në Shkencat e Informatikës në një universitet të Gjermanisë, pastaj ka marr titullin bachelor i Bioteknologjisë në Zooteknikë dhe tash është në përfundim të studimeve master për Komunikim dhe Gazetari.