Kryeziu: Institucioni i KQZ-së, krejtësisht i politizuar

Pavarësisht se abstenoi kur e pati mundësinë ta kundërshtonte heqjen e logos nga fletëvotimet, LDK-ja thotë se ky vendim është ndërmarrë nga kryeministri Thaçi. Lidhja Demokratike e Kosovës e bën përgjegjës kryesor Thaçin, duke thënë se vendimi është pasojë e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Megjithatë konsiderojnë se votimi për apo kundër i përfaqësuesit të tyre nuk do të kishte ndikim, pasi vendimi ishte marrë paraprakisht. Krejtësisht të politizuar institucionin e KQZ-së e sheh drejtori i Institutit Demokratik, Ismet Kryeziu.
Ai nuk e gjykon abstenimin e kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, por vlerëson se me këtë veprim ajo tentoi ta ruante balancën politike. Vetë Daka, pas përfundimit të mbledhjes në ditën kur u hoq logoja, kishte deklaruar se ka abstenuar pasi nuk është pjesë e marrëveshjes politike në Bruksel, duke lënë të kuptohet se vendimi për heqjen e stemës, sikurse të tjerat, janë vendime politike. Megjithatë, Daka ka hezituar të sqarohet kur nga KTV-ja kanë kërkuar detaje shtesë. Largim nga përgjegjësia veprimin e Dakës e cilëson hulumtuesi i politikave në KIPRED, Albert Krasniqi. /Indeksonline/