E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azerbajxhani mbështet ndërtimin e gazsjellësit TAP

27-06-2012 / Gazeta 55

Berisha takon presidentin e azer, Aliyev

Kryeministri Sali Berisha takoi dje në Stamboll, gjatë takimit të nivelit të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), në të cilën Shqipëria aderon, presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Në takim u rikonfirmuam marrëdhëniet shumë të mira politike midis të dy vendeve dhe u rikonfirmua vullneti për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjelle midis të dy vendeve. Në veçanti, u theksua vendosmëria e të dy qeverive dhe vendeve për të nxitur investitorët e rëndësishëm të Azerbajxhanit për të investuar në Shqipëri.
President Aliyev i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha vendosmërinë e tij për të zgjeruar marrëdhëniet dhe për të inkurajuar ndërmarrjet e rëndësishme publike e private të Azerbajxhanit në fushën e energjisë, për të konsideruar tregun shqiptar.
Më tej biseda u ndal në projektet e mëdha infrastrukturore të transportit të gazit në Europë. Presidenti Aliev ripohoi vendosmërinë e vendit të tij që Europa dhe vendet e rajonit të kenë akses te ky burim i rëndësishëm energjie, pasi të jenë ndërtuar infrastrukturat përkatëse.
Në këtë kontekst, konkurrenca është mjaft e lartë për ndërtimin e linjës së transportit të gazit drejt rajonit. Një ndër projektet më fizibël në këtë kontekst është Trans Adriatik Pipeline, i njohur si TAP, i cili parashikohet të përshkojë Shqipërinë në trajektoren e tij drejt Italisë dhe Europës dhe do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për tregun shqiptar, atë rajonal e më gjerë, tregun europian. Ndërtimi i kësaj vepre do të përbënte një arritje të jashtëzakonshme për rajonin, ndërsa  familjet shqiptare, në rast se TAP përzgjidhet si projekti fitues, do të mund të përfitojnë nga ky burim shumë i rëndësishëm, i lirë dhe i vazhdueshëm energjie, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Turizmi, privatizimet e mëdha etj., u vlerësuan si fusha të tjera me interes, ku mund të shtrihet në të ardhmen, bashkëpunimi dypalësh.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›