E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Integrimi i vendit nuk është llotari, por përgjegjësi

Share

Pasi nga Brukseli erdhën sinjale se shanset për marrjen e statusit kandidat janë shumë të pakëta, ka reaguar Partia Socialiste përmes kryetarit të Komisionit të Integrimit, njëherësh deputet i PS, Ditmir Bushati.

Ai tha se PS përshëndet vendimin e BE për nisjen e negociatave me Malin e Zi, por shtoi se ky vendim bie në kontrast me shqetësimin se Shqipëria po e humb për herë të tretë shansin për marrjen e statusit kandidat.

Është e qartë se Sali Berisha ka zgjedhur fantazitë e tij aventuriere të rrugës së mëndafshit që të çon drejt Lindjes përkundrejt rrugës europiane të Shqipërisë që të çon drejt perëndimit. E shprehur kjo edhe në zgjedhjen politike, ekonomike dhe financiare që Sali Berisha ka bërë vijimësisht, duke iu shmangur rrugës së Europës, tha Bushati.

Nuk ka dyshim se nëse vjet Shqipëria e humbi statusin e vendit kandidat kryesisht për shkak të vrasjeve 4 protestuesve të pafajshëm opozitarë në bulevardin kryesor të kryeqytetit dhe vjedhjes ditën për diell të zgjedhjeve në Tiranë, këtë vit Sali Berisha po ndjek kokëfortësisht të njëjtën kahje duke emëruar President ministrin e Brendshëm dhe ministër të brendshëm të shtetit ministrin e brendshëm të partisë shtet. Integrimi Europian nuk është llotari! Ndaj, Sali Berisha nuk mund të luajë bixhoz me fatin europian të shqiptarëve. Partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë thënë shkoqur se çfarë duhet të bëjmë në mënyrë që të kremtojmë 100 vjetorin e Shqipërisë shtet si një vend i ankoruar në rrjedhat evropiane, vijoi ai.

Bushati tha se në përputhje me marrëveshjen e nëntorit, duhet mbyllur reforma zgjedhore.

Duhet përmbyllur një orë e më parë reforma zgjedhore që do të mundësonte:

i) riformatimin e KQZ për të zbatuar Kodin Zgjedhor në mënyrë neutrale;

ii) sistemin e ankimimeve gjatë procesit zgjedhor në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare që krijon garanci për palët në proces dhe që ndëshkon çdo keqbërës që tenton të prekë apo të minojë të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverisjen me vote;

iii) aplikimin e teknologjisë për rastet dhe rrethanat ku ka mirëkuptim mes palëve.

Duhet përmbyllur një orë e më parë reforma parlamentare që do të mundësonte:

i) rikthimin e votës së fshehtë për emërtesat kushtetuese në përputhje me praktikën më të mirë europiane, praktikave 20 vjeçare të Parlamentit shqiptar dhe rekomandimet e ekspertizës ndërkombëtare;

ii) aplikimin e parimit të kondradiktoritetit që do të krijonte barazi mes palëve parlamentare.

Është detyrë e kësaj shumice parlamentare për të siguruar një orë e më parë një proces që shmang politizimin për emërtesat kushtetuese dhe garanton ndarjen e shtetit nga pushteti. Kjo është përgjegjësi direkte e Sali Berishës.

Është detyrë e kësaj qeverie për të pasur rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, administratës publike, garantimit të të drejtave pronësore, reformës në drejtësi. Mosrealizimi i këtyre reformave është përgjegjësi direkt e Sali Berishës, tha Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›