Doris Pack: “Opozita të bashkëpunojë për përmbylljen e reformave”
Eurodeputetja Doris Pack, akuzoi opozitën se nuk kishte vullnet për konsensus për presidentin
Në takimin parapërgatitor ndërparlamentar Shqipëri-BE, eurodeputetja Doris Pack i bën thirrje opozitës që të tregohet konstruktive në përmbushjen e reformave të rëndësishme, si ajo zgjedhore brenda afateve. “Ne duhet t’i kërkojmë opozitës shqiptare që në javët e ardhshme të punojë së bashku me mazhorancën për përmbushjen e kritereve lidhur me statusin e kandidatit për Shqipërinë. Që opozita është kthyer në parlament, ky është lajm i vitit të shkuar. Nuk kemi pse të përshëndesim më kthimin e opozitës në parlament dhe dialogun midis dy palëve. Duhet përmbyllur sa më shpejt reforma elektorale. Nuk di, se si mund të ndihmojmë, që të bindim opozitën që ajo duhet të bashkëpunojë fort për reformat”, deklaroi eurodeputetja. Doris Pack ka kritikuar nga ana tjetër të dyja forcat kryesore politike në Shqipëri për sulmet e vazhdueshme që i bëjnë njëra tjetrës. Doris Pack është shprehur, se fakti që opozita nuk prezantoi kandidaturë për zgjedhjen e një presidenti konsensual tregon qartë, se ajo nuk kishte dëshirë për konsensus. Për Doris Pack, presidenti është zgjedhur sipas Kushtetutës dhe askush s’duhet të ankohet për këtë. Doris Pack, rikujtoi, se situata ndryshonte krejtësisht nga rrethanat e vitit 2002, ku Parlamenti Europian i imponoi politikës shqiptare një president konsensual, nisur nga provat e paraqitura atëherë për manipulimin e zgjedhjeve. “Në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme, socialistët dhe demokratët ndryshuan Kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit. Presidenti i ri u zgjodh sipas rregullave të reja. Ai u zgjodh në përputhje me Kushtetutën dhe askush s’duhet të ankohet për këtë. Ne shpesh ju kërkojmë gjëra politikanëve, që ata s’mund t’i bëjnë. Propozimet erdhën vetëm nga njëra anë. Shumica ofroi një kandidat, pastaj një kandidat tjetër, pastaj sërish një tjetër, por opozita që kërkonte konsensusin nuk propozoi asnjë kandidat. Është evidente, se nuk kishte dëshirë për konsensus”, theksoi Pack.
...