Rama nxiton të shkojë në bazë, sepse po tmerrohet prej Nanos
Pa asnjë program a ide të re, kur pritej që Edvini të kthehej nga konsultimi me bazën, dje ai shpalli se duhej ringjallur opozitarizmi i vdekur. I izoluar ndërkombëtarisht dhe i shoqëruar nga skepticizmi i të gjitha forcave politike në vend, Edi Rama ka shpallur maocedunidenë e tij të fundit, si e vetmja shpresë se mund ta ndalë turin që ka paralajmëruar në strukturat e partisë, lideri historik i PS-së
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një “lëvizje të re politike”, bash në një kohë me aksionet anti-PS të Fatos Nanos, për rikthimin e vlerave dhe dinjitetit të partisë që ai transformoi në fillim të viteve ’90-të dhe që e udhëhoqi prej më shumë se një dekade.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Rama u ka kërkuar deputetëve angazhim maksimal në zonat e tyre elektorale, për të shpalosur programin për një “Rilindje shqiptare”, por që në të vërtetë synimi i kësaj fushate nuk është aspak dialogu me votuesit, por diktimi dhe evidentimi i elementëve ‘nanoistë’ në bazën e PS.
Karriera politike e Edi Ramës në krye të PS, varet nga bilancet parazgjedhore të lëvizjes së Fatos Nanos, i cili ka ambicie të pastra për rimarrjen e Partisë Socialiste. Vjeshta e këtij viti është sfida politike për ish kryeministrin Nano. Ai ka paralajmëruar rikthimin në skenën politike, duke rreshtuar pas vetes ish deputetë dhe ish drejtues të Partisë Socialiste ndër vite.
Prezenca e Nanos ka filluar të ndjehet në kryesi dhe grupin parlamentar të PS, gjë që u konstatua gjatë garës presidenciale, kur presioni brenda selisë rozë ishte për kandidimin e Fatos Nanos. Fakt i cili u shndërrua në çështje për lidershipin socialist, i cili i ndodhur mes “dy zjarreve”, zgjodhi të dorëzohet pa kushte, duke mos i dhënë asnjë mundësi opozitës, të përfaqësohet në postin e kreut të shtetit.
Sigurisht që, kërcënimet e Fatos Nanos për formimin e lëvizjes së re politike në brendësi të së cilës do militojnë figura të njohura të së majtës, janë kapital i humbur për Edi Ramën.
I ndodhur në këto kushte tmerri dhe pafuqie për të neutralizuar prezencën e socialistëve në lëvizjen e Nanos, po shpërndan deputetët si kope delesh në çdo cep të Shqipërisë.
“Brenda kohës që ka mbetur nga sesioni parlamentar, çdo deputet të ketë komunikim në çdo zonë të vendit, me strukturat, përfaqësuesit nga çdo qendër votimi për të folur e dëgjuar. Rrënimi është aleati i pushtetit rrënues. Aleati ynë është zëri i të ardhmes, fara e shpresë që duhet ta mbjellim në çdo shtëpi shqiptare, zemra e popullit opozitar që duhet ta bëjmë të rrahë fort përmes trokitjes sonë për një rilindje shqiptare. Duhet të bëjmë që asgjë të mos duket e pamundur për çdo shqiptar që do ndryshimin. Ky është një mision patriotik, të cilin do e nisim nga vetja, duke rrezatuar besnikëri e solidaritet”, u shpreh Rama dje, duke aluduar se synimi i vetëm është fitorja e PS në zgjedhjet e 2013-ës.
Ai ka urdhëruar zyrtarët e lartë dhe deputetët socialistë t’i drejtohen bazës për të shpjeguar jo vetëm programin politik, por edhe të gjitha arsyet se përse duhet që në 2013 elektorati të votojë Partinë Socialiste. Por, kërkesa e Ramës bëhet pasi lideri historik i së majtës shqiptare Fatos Nano, ka nisur një aksion politik në bazën socialiste. Kryesocialisti duket se synon kopjimin e nismës së Fatos Nanos. Për ta kamufluar qëllimin e vërtetë të kësaj lëvizjeje, kryesocialisti Rama akuzoi qeverisë dhe mazhorancë, të cilat sipas tij janë përgjegjëse për korrupsion dhe rrënimin e ekonomisë vendase. Gjithsesi, deklaratat e Ramës s’e zbehin dot panikun që mbizotëron në selinë rozë, më keq akoma kur mendon se “partia po të ikën prej duarsh” falë rreshtimit të kundërshtarëve politik përkrah Fatos Nanos.