E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azil në diell

Diell. Det. Plazh.
Ika, së paku për disa ditë verore, prej kokëdhimbjes që pashmangshëm e sjell puna e kryeredaktorit në gazetën e cila pa kompromis do të përcjellë se çka vërtet ndodhë në shoqërinë kosovare.
Plazhi i Madh i Ulqinit këto ditë për mua është azili ideal prej politikanëve, biznesmenëve dhe personave të tjerë publikë (kryesisht të dyshimtë), që i mbushin lajmet e ballinave dhe luajnë rol të rëndësishëm nëpër dosjet kosovare të aferave korruptive-politike-kriminale.
Azil nga makinacionet shoqërore-politike, të cilat liderët kosovarë për çdo ditë ia servojnë opinionit publik të brendshëm për t’ua tërhequr vëmendjen larg problemeve të mëdha (veriu i Kosovës, stagnimi ekonomik, sundimi i korrupsionit dhe i krimit etj.), si dhe nga propaganda (tashmë klasike, tejet e parashikueshme dhe aspak e bindshme) serbe me skenar dhe regji të tandemit Tadiq-Jeremiq.
Sikur edhe nga lojërat ndërkombëtare rreth, për dhe në Kosovë – lojëra këto pa rregulla të vendosura, pa referë të paanshëm dhe pa vëzhgues objektivë.
Lodhet njeriu prej maltretimeve të këtilla të përditshme, të cilat, nganjëherë, kufizohen me torturë, andaj edhe pushimi në fakt është një lloj shërimi, ose një përpjekje që së paku për pak kohë të ndahemi nga kjo çmendi, në të cilën na helmojnë politikanët tanë (dhe ata nga fqinjësia) 24 orë në ditë.

* * *

Familja, vetura dhe telefoni i shkyçur janë parakushtet themelore me të cilat nis rruga drejt Shtojit, ku mikpritja tashmë mirë e njohur do të bëjë që përditshmëria të harrohet me shpejtësi të papritur.
Kosova kufizohet me Malin e Zi, por këto ditë rruga është shumë më e shkurtër nëpër Shqipëri. Autostrada moderne shqiptare drejt Kosovës dhe tuneli gati gjashtë kilometra i gjatë në Kalimash kanë mundësuar që nga Prishtina të arrihet në Ulqin për më pak së 6 orë – shpejtësia e paparamendueshme kur njeriut i kujtohet se deri para një viti na janë dashur 10-12 orë udhëtim për t’u shtrirë në plazhet e Ulqinit.
Na duhet, them, të gjithë – edhe kosovarët edhe malaziasit – të falënderojmë Qeverinë shqiptare që e ka ndërtuar atë rrugë dhe na ka afruar edhe më tepër. Edhe më mirë do të ishte që ne të ndërtonim ca rrugë të tjera – pala malaziase do të kishte mundur, nëse asgjë tjetër, të zgjeronte rrugën nga Shkodra deri në Ulqin dhe vozitjen deri në det ta bëjë edhe më të bukur e më të sigurt.
Meqë jemi tek infrastruktura rrugore, do të ishte e mundur, pakëz, edhe vetë Ulqini të rregullohej; prej se e mbaj mend që vij këndej, rruga prej qytetit deri në Shtoj është e njëjtë – e ngushtë, pa trotuar, me kolona veturash që notuesve të padurueshëm ua harxhojnë minutat e vlefshme të pushimit – edhe pse personalisht më shumë më pengojnë turistët e padurueshëm sesa kolonat e ngadalshme, të cilat më shumë më përshtaten në konceptin tim të pushimit: slow motion.
Sido që të jetë, mua më duket se vendësit çdo vit përpiqen të përmirësojnë kushtet e vendosjes, plazheve, hotelerisë, dhe zbavitjes, por pak shihet të ketë bërë pushteti – si ai lokal në Ulqin, ashtu edhe ai qendror në Podgoricë – që këtë margaritar të bregdetit ta bëjnë të shkëlqejë më së miri që mundet.
Po, të mos kritikoj shumë – edhe ashtu jam në pushim vjetor dhe, sikur që thashë, kam ikur nga çmendia e përditshmërisë kosovare. Dhe kjo bëhet më së miri në plazh: prej rreth 12 kilometra të Plazhit të Madh, personalisht më pëlqen ajo që quhet Tampico – për shkak të qetësisë tashmë tradicionale që mund të gjendet aty: mungesë zhurme, birra të ftohta Nikshiqi, dhe not të lehtë nëpër valë.
Natyrisht, asgjë nuk mund të jetë ideale – në cilindo plazh është e mundur të gjendet edhe ndonjë prej atyre individëve të lartpërmendur (ndonjë politikan hipokrit, biznesmen i dyshimtë, gazetar si unë, apo ndonjë lloj tjetër personaliteti publik), por për të gjitha, me garanci, kujdeset veçoria egalitare e rërës së detit: dallohemi vetëm për nga ngjyra e ndërresave të larjes dhe madhësia e barkut që kemi. Gjithçka tjetër aty është e parëndësishme, dhe këtu qëndron edhe mrekullia e plazhit.

* * *

Ikjes shpejt do t’i vijë fundi.
Për pak ditë, me familje, në veturë dhe do kthehemi prapa nëpërmjet Shkodrës e Kalimashit, deri në Prishtinë. Duke e lënë prapa vetes shtetin ekologjik të Malit të Zi, duke kyçur sërish telefonin për t’iu kthyer me automatizëm luftës gazetareske kundër përditshmërisë së zymtë dhe babarogave të tjera politiko-shoqërore.
Ikja është e këndshme për kohë të shkurtër, por njeriu nuk mund të jetojë në ikje përgjithmonë. Por, sido që të jetë, kanë mbetur edhe pak ditë. Edhe ca ëndrra në rërë.
Edhe pak diell, det e plazh.

(Kjo kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në gazetën “Vijesti”, që është e përditshmja më e madhe në Mal të Zi)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›