E Shtunë, 31 Tetor 2026

BACKUP

Edison Ypi 

Fusha të mbjella. Kopështe pa fund. Shtëpi të reja pa numurim. Ngrohësa diellorë pa hesap. Ndërtime të reja gjithandej. Fushë e vogël futbolli. E rrethuar bukur fusha, e shtruar me bar, e ndriçuar për natën, e paisur edhe me pishinë. Traktora plugje, zinxhira, sharra, puse, pompa, skela, hekurishta, betonra. Rrugë me pluhur. Makina dhe motoçikleta plot. Njerëz lart-e-posht. Vajza të reja me kryqa të arta varur nëpër gusha. Mbi kurrizet e rrumbullakëta si vithe të vajzave, kanotjerat me harqe duken si mbathje. Grua që shoqëron një gomar. Gomar që s'i bindet një fëmije....
Ky është fshati Gjuzaj...me një të rënë të lapsit.
Në Gjuzaj jeton Taipi. Taipin nuk ka laps që e kap. As me njëmijë të rëna. Taipin nuk e rrok dot asnjë mjet shprehës komunikues. I asnjë artisti, poeti, shkrimtari, piktori apo kompozitori. Taipi, që nuk lexon kurrë gazeta, që nuk sheh kurrë televizor dhe që nuk ka asnjë lidhje me emigracionin, është një fenomen që vetëm mund të kqyret por kurrsesi depërtohet.
Taipi jeton me gruan dhe dy fëmijë të vegjël. Taipi punon shumë. Ama shumë - shumë. Dhe ka bërë goxha prokopi; Ka arritur të ketë, një kamion të madh, një traktor të ri të madh të fuqishëm, dy kombajna të mëdha gruri, një lidhëse bari moderne, një veturë, një motoçikletë, një taksi. Jo si disa të cilët fillimisht ndërtojnë shtëpinë, pastaj, kur vjen puna për të zgjeruar biznesin, i bien kokës me grushta; Taipi ka thurur së pari biznesin me gjithato makinerira, toka, kontrata, pastaj ka nisur ndërtimin e shtëpisë së re. Taipi ka marrë me ligjin 7501 tre dynym tokë. Pastaj ka blerë katër dynym të tjera. Por s'është mjaftuar me aq pak; Ka marrë edhe 40 dynym të tjera me qera. ca këtu ca atje nga të shtëpive të rehatlinjve të fshatrave rrotull. Taipi, me gruan dhe dy çunat 14 dhe 11 vjeç, pa rreshtur mbjell, prashit, vadit, korr, kosit, jep e merr, shet e blen, prodhon, më tepër se një qytet i tërë, Bulqiza për shembull.
Taip, nuk e ke mirë kështu si e ke zënë. Ti Taip vërtet ke rendiment të hatashëm, por lodhesh shumë, e ke ngarkuar veten me gjithato probleme, dhe hiç s'dihet si do të të verë filli. E ke kuptuar gabim jetën. Je duke dëmtuar së pari veten pastaj gjithë të tjerët. A e ke menduar ndonjëherë o Taip nëse ia vlen të dërrmohesh kështu gdhihu-ngrysu në punë ?! Do marrësh gjë me vete ?! Jo ! Atëhere ?! Kështu si e ke nisur po realizon një precedent të rrezikshëm. Atë të shembullit se si në Shqipëri mund të punohet dhe jetohet me djersën e ballit. Shkurt i ke hyrë rrugës së tradhëtisë kombëtare. Po vazhdove kështu do na hedhësh në greminë të gjithëve. Pse budallenj janë të tjerët që vetëm përmes hileve dhe dallavereve, edhe punët i kryejnë, edhe interesat i mbrojnë, edhe qefin e bëjnë, edhe jetën e çajnë ?! T'i them këto sepse për ty më vjen keq, sepse ti meriton; Djalë i mirë po, puntor i palodhur po, nga katund i bukur po, plaçkë e katandi sa të duash. Por të gjitha i ke të dyshimta, dhe, si të thuash, piramidale, dhe herët a vonë do të shemben. E pamundur të mos kenë ardhur në vesh çfarë i thonë njëri-tjetrit ca bashkëfshatarë pëshpëritës, sikur të mirat që ke grumbulluar nuk i ke me meritën tënde etj., etj. Pra paralajmërimi të është bërë. Prandaj e kam menduar unë një zgjidhje për ty. Dëgjo,
Ik nga Shqipëria. Sa më larg aq më mirë. Diku ku të ndjehesh i lirë si zog, i lehtë si gjeth. Ta zemë në Amerikë. S'ka më mirë se Amerika për katundarë dhe proletarë si ti. Ik atje se do gjesh plot shok'. Për shpenzimet e udhëtimit dhe të tjerat, shit ndonjë nga ato hekurishtat. Lidhësen e barit për shembull. Sa ta kalbi ndryshku lidhësen, futi një të shitur. Gruaja dhe kalamajtë të kavërdisen me hekurat e tjerat. Dhe, tepër e rëndësishme kjo, para se të marrësh arratinë mos harro të bësh diçka; Lër në Shqipëri një kopje tënden. Një projeksion, një hije apo fantazëm, apo një backup, si i thonë në atë gjuhën që ti me aftësitë që ke shpejt do ta mësosh. Ngjize me baltë Peqini. Gdhende me duar. Piqe me qymyr Strelce. Bëje veten prej balte në formën e një busti me shprehje habitore-pyetëse të fytyrës, koka pak mënjanë, gishti tregues në tamth. Kur ta kesh gati fute mes ferrave buzë përroit. Pastaj nisu. Kur të arrish në atë qytetin e madh të Amerikës, zër shpejt-e-shpejt një apartament me qera. Kaq di' ti. Gjëja e parë fare që do blesh në tempullin e konsumit; para televizorit, para frigoriferit dhe kaurllëqeve të tjera, duhet të jetë një kompjuter. Prej aty, pa u kthyer në shtëpi, ik vrik bëj një abonim dhjetë vjet në Internet. Futju mëso të shkruash maila. Lëre ç'thonë. Besomë mua; Të shkruash, të dërgosh dhe të marrësh maila, është një mijë herë më e thjeshtë se të lidhësh një dëng me bar. Menjëherë pas mailave mëso të shkruash mesazhe nëpër forume. Mos u tut ! Forumet janë edhe më të thjeshta se mailat. Që kurrën e kurrës mos ta marri vesh askush cili je, nëpër forume përdor këtë nick; ‡‰?§gjuzaj??^G?. Që kurrkush të mos fusë hundët në hajvanllëqet që do zbrazësh vër këtë pasuord; ***********************. Me gomarllëqet që thuhen nëpër shkretëtirat e forumeve, dalngadalë do nisësh të prekësh magjinë në formën e një konstatimi të madh praktiko-filozofik, se sa më tepër gjëra të thjeshta të mësosh dhe të bësh në këtë jetë, aq më pak lodhesh, aq më i freskët mbetesh në përgjithësi, dhe si përfundim aq më e madhe do jetë kënaqësia që do marrësh nga jeta. Do jetë tmerrësisht befasuese kur të konstatosh sa e lehtë është përmes Internetit të jesh Djall të paraqitesh Krisht, të thuash se je Muhamet kur në të vërtetë s'je veçse Lugat, të jesh katandisur në varr dhe të hiqesh si djep. Ky entuziazëm, kjo eufori, do vazhdojë derisa të arrish te gjërat e thjeshta fare, ato me gradë komplikimi zero. Aty do mahnitesh pafund duke vënë re se ndërlikimi zero që i korrespondon zgjimit do pasohet nga kënaqësia infinit që i korrespondon gjumit. Dhe me këtë, ndërkohë që në të vërtetë do kesh marrë fund, do të të duket sikur ke kapur Qiellin. Gjithsesi, kij kujdes. Sepse zbulimi se paraqitja nëpër forume me emër të rremë, llomotitja pa fund duke e paraqitur veten si ta dojë ty palla, si dhe mbyllja e të gjitha sekreteve të dërdëllitjeve përmes një pasuordi, bashkë me zbulimin tjetër se vreshta, bashkë me vreshtën edhe lavdia dhe pasuria që kultivohen me klika dhe nika, janë pakrahasimisht më prodhimtare se kur i bën me shata dhe lopata, mund të ta hedhi trurin në erë. Por mbahu, duro. Dhe, doradorës, me kalimin e kohës, mos u merr me përsiatje që rrezikojnë të ta gjallërojnë trurin. Prandaj, dil gjej ndonjë punë. Sa më të thjeshtë. Përmes punës shiko të sigurosh të ardhura. Të ardhurat kurrsesi nuk duhet të jenë më tepër se sa të pagush Internetin, të lash qiranë e shtëpisë, dhe të mbetet aq sa një herë në pesë vite të vish të shesësh pordhë në Shqipëri për gjëra të jermta të cilat edhe ato me tonelata do t'i mësosh nëpër forume. Atje, në forume pra, me një farë stili, duhet ta tregosh një far' burrnie, ta demonstrosh një lloj thelbi. Këtë mund ta bësh më së miri përmes një biznesi me shumë leverdi; duke sharë Shqipërinë. Kusur mos u lër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ujë të zi nxirru. Edhepse s'ke haber nga Arti, mësoju emrat dhe nxiji artistët. Edhepse s'ke lexuar kurrë ndonjë libër mallko shkrimtarët. Edhepse s'di asgjë nga ekonomia, shpartallo reformat. Edhepse s'merr vesh nga politika, futi në dhe' politikanët. S'të duhen ty arësye të mëdha të bësh nga këto. Mjaft të gdhihesh ndonjë mëngjez me kollë a të të dhembi pak koka. Ka edhe një mënyrë të përmbledhur si mund t'i bësh të gjitha këto njëherësh me efikasitetin më të lartë; Kjo mënyrë është duke predikuar pafund,. pa u lodhur, me sa fuqi të kesh, një nga një qindra arsyet pse një shqiptar që ka ikur në Amerikë nuk duhet të kthehet kurrë në Shqipëri. Bëje këtë më së miri. Si një ambasador i vërtetë. Nga ata që Djalli dhe Shqipëria i çojnë kudo. Po ia kape mirë fillin kësaj, po e bëre si duhet këtë, do kesh suksesin më të madh. Bëje duke shfrytëzuar çdo rast dhe duke mos u ndalur asnjë çast. S'do mënt se kjo është flliqsia më e madhe dhe që ta bësh duhet të jesh budallai më i madh dhe zagari më i ndyrë. Por s'do kesh nga t'ia mbash. Se tashmë në batakun e virtualitetit do jesh i tëri i zhytur. Por s'ka problem. Vrromat që do vjellësh janë të vetmet që të japin kënaqësinë më të madhe pa asnjë pasojë. Dhe ti në Amerikë për kënaqsi erdhe. Se për punë ishte Shqipëria. Në fillim do ndjesh pak turp. Dhe për sa kohë turpi do jetë më i madh se kënaqsia do vuash pak. Por do kalojë shpejt sapo e dyta t'ia kalojë së parës. Mos dëgjo çfarë mund të thotë ndonjëri, se, për shembull, po të ishin marrë emigrantët italianë, grekë, serbë, bullgarë, me mallkimin e vendeve të tyre dhe predikimin e mos kthimit, fushat e Lombardisë do ishin bërë njësh me ato të Hollandës për shkak të arratisjes pa kthim të Alpeve në Kanada, Peloponezi do kishte ikur i tëri si traget copa-copa sa në Amerikë sa në Gjermani qysh një shekull më parë, Ballkani do ishte bërë i tëri shesh si Zadrima, Egjipti si Mali me Gropa etj. etj. Mos i dëgjo këta pra. Vazhdo rrugën e kënaqësisë së lehtë. Atë me klika, nika, maila, faila, pasuorda. Më fal se harrova ta them; Përmes mailave dhe forumeve do gjesh femra. Si t'i duash ti ato dhe si të duan ato ty. Sa të duash. Po deshe me qindra, me qindra. Po s'të mjaftuan qindra, me mijëra. Veç fuqi të kesh sipër kompjuterit i kërrusur të rrish. S'ke për ta parrë kurrë me sy asnjërën e këtyre qindrave apo mijërave. Por s'ka asnjë problem. Ti e mban mënt shumë mirë se kur ngjizje kalamanjtë në momentin kulminant sytë të mbylleshin vetvetiu për të mos e parë me sy gërrmadhën. E pse u dashka ta shohësh femrën atëhere, kur vet Perëndia t'i ul qepallat në kulmin e qefit ?! Si ta spjegova më lart, të tëra këto t'i plotson më së miri Interneti.
Pasi të kesh kaluar ca kohë duke u endur nëpër forume-çmendina, do jesh budallallepsur krejt. Pik' energjie nuk do të ketë mbetur. Si kufomë do jesh tretur. Dhe për këshillat e mia nuk do kesh më nevojë. Kjo përgjumje e llahtarshme, kjo flashkje për ibret, kjo ngordhje për së gjalli, ky shterrim total, kjo tharje si pestil, tamam atëhere kur duket krejt e pamundur, ty divit të dikurshëm do të japi një hov të ri për kryqëzata të reja. Për tu vënë dërrmën të gjithave që kanë një far' lidhje me vendin tënd; Nga fshatari te akademiku, nga kazanat e plehrave te partitë, nga parlamenti te qeveria, nga pushteti te opozita. Ah ky hov s'dihet sa do zgjasi. Mund të marri fund vetëm nëse ndonjë natë me acar e ngricë mes ferrash rrëzë përroi të shohësh në ëndërr backup-in prej balte që po i rrjedh një lot prej kripe. Athere kthehu.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›