E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Prokuroria hetim pasurisë së Fatmir Mediut

Pasuria e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është vendosur në qendër të hetimeve nga pro-kurorët e dosjes "Gërdeci". 

Trazhgim Sokolaj

 Për llogari të zbardhjes së pozicionit që ka pasur ish-ministri i Mbrojtjes në tragjedinë e Gërdecit, Prokuroria po kalon në skaner pasuritë e Mediut. Hetimet në këtë drejtim janë ndikuar edhe prej sinjaleve për mospërputhje në deklaratat që ish-ministri ka bërë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Agjencia e kontrollit të financave të zyrtarëve shqiptarë mësohet se ka filluar një verifikim të thelluar mbi deklaratat e pasurisë të bëra prej Mediut, e megjithatë në Prokurori ende nuk konfirmohet të ketë mbërritur ndonjë material nga ILDKP. Duke iu referuar mospërputhjeve në fjalë, Prokuroria po verifikon mundësinë e shmangies nga deklarimi i pasurisë. Menjëherë pas heqjes së imunitetit të kreut të Partisë Republikane duket se ishte Prokuroria ajo që shfaqi interes për verifikimin e pasurisë së ish-ministrit, që hetohet për "shpërdorim detyre" në raport me tragjedinë e Gërdecit. Sipas burimeve të konfirmuara nga Prokuroria e Përgjithshme, grupi hetimor ka kërkuar zyrtarisht të administrojë të gjitha deklaratat e pasurisë që Mediu ka paraqitur në inspektorat, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në harkun kohor pas vitit 2005 kur i hetuari mori detyrën e ministrit të Mbrojtjes. "Kemi indicie të dokumentuara sipas të cilave, ish-ministri i Mbrojtjes gjatë 30 ditëve kryen më tepër shpenzime sesa të ardhurat e tij mujore të deklaruara", janë shprehur burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, ish-ministri paguan çdo muaj këstin e kredisë në shumën e 3.150 eurove kur në fakt të ardhurat e tij mujore të deklaruara, janë 1 930 euro, ose 1 220 euro më pak sesa shpenzimet.
Hetimi për Gërdecin
Në dosjen që Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi Kuvendit bashkë me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e hetimit ndaj ish-ministrit Mediu, më shumë se një herë, përsëritet se Ministria e Mbrojtjes kishte kryer veprime në favor të përfitimeve financiare nga kompanitë private, konkretisht "Alba Demil" e Mihal Delijorgjit dhe subjekti amerikan SAC në pronësi të Patrick C. Henry III. Sipas dosjes së Prokurorisë, vendimmarrja për ndërtimin e punishtes së çmontimit në Gërdec dhe një sërë shkeljesh të tjera përfshi këtu edhe kryerjen e aktivitetit pa masa mbrojtëse nga tragjeditë apo furnizimin mbi normë të fabrikës së çmontimit me municione nga ushtria, të gjitha këto, kanë qenë veprime të Ministrisë së Mbrojtjes dhe organeve në varësi të saj, në interesa të përfitimit financiar të kompanive private. Duke e konsideruar veprimtarinë e kryer në Gërdec si një aktivitet me fitim të madh financiar, Prokuroria ka verifikuar pasuritë e të gjithë personave që janë hetuar për tragjedinë. Verifikimi filloi me pronat e Mihal Delijorgjit. Objektet dhe llogaritë bankare në emër të tij u zbuluan dhe u bllokuan ndërsa të njëjtin fat patën edhe pronat e ish-drejtorit të arrestuar të ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari. E njëjta gjë, sipas Prokurorisë po ndodh me pasuritë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Deklarimet e tij po kalohen në sitë ndërsa Prokuroria po përpiqet të deklarojë depozita bankare apo objekte të padeklaruara nga ish-ministri, të cilat mund të jenë hedhur në emër të personave të afërm të tij. "Nëse një gjë e tillë provohet atëherë hetimi do t'i referohet akuzave për shmangie nga deklarimi dhe fshehje të pasurisë", janë shprehur burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Ato thanë se hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes po vazhdojnë edhe në aspekte të tjera për të cilat gjatë kësaj jave, ish-ministri pritet të thirret në Prokurori për të dhënë argumentet e tij.

Çfarë pasurie deklaroi Mediu

Kreu i Partisë Republikane ka deklaruar një kredi të marrë tek BKT-ja, më 19 shtator të vitit 2007 me vlerë 300 mijë euro e përdorur për të blerë një shtëpi në qendër të Tiranës. Shtëpia e blerë në bulevardin "Zhan D'Ark" kap shifrën e 186 mijë eurove dhe ka një sipërfaqe 220 metër katrorë. Ish-ministri ka deklaruar edhe një kredi tjetër të marrë tek "Raiffeisen Bank", kësti mujor i të cilës shkon në 23 700 lekë. Sipas deklaratës, deri më tani janë paguar 142.200 lekë, si dhe kanë mbetur gjithsej 4.303.167 lekë. Në total familja Mediu duhet t'i paguajë bankave në muaj një shifër në rreth 390 mijë lekësh të rinj. Ndërsa të ardhurat vjetore të familjes, sipas deklaratës, janë 2.867.985 lekë të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›