E Diel, 1 Nëntor 2026

BASHKIM AHMETI: “Tabloja e jetës me penel mes diktaturës dhe Amerikës”



Petrika GROSI
Piktori i njohur nga Gjirokastra, Bashkim Ahmeti, flet ekskluzivisht për gazetën “Albania” mbi jetën e tij me penelin sot në SHBA, ku jeton e punon, por edhe për të kaluarën gjatë komunizmit, kur Ahmeti u shkollua, krijoi dhe mori sukseset e zhgënjimet e para për të vijuar karrierën deri sot. Ahmeti është piktori më i suksesshëm shqiptar sa i takon gjetjes së tregut. Kujtojmë këtu se para tre vitesh piktori ka shitur të gjithë ekspozitën e tij të çelur në GKA për shifra “astronomike”. Gjithashtu, Bashkim Ahmeti rrëfen kujtimet nga fëmijëria, miqësinë e tij me të bijën e Enver Hoxhës, Pranverën, si dhe me Klement Kolanecin, si dhe shumë detaje të tjera mbi pikturën, tematikat e preferuara, figurën e Skënderbeut, femrat nudo e deri te problemet e sotme të galerive dhe tregut të pikturës në Shqipëri.

Çfarë do të thotë për Bashkim Ahmetin të pikturosh?
Është puna ime e përditshme, ashtu siç të gjithë njerëzit kanë një profesion dhe punojnë. Njëkohësisht, është pasioni, ngacmimi, jeta ime që 12 vjeç e deri sot.

Si e mbani mend kohën kur ishit 12 vjeç?
Isha një fëmijë si gjithë të tjerët, që vizatonin, pikturonin. Edhe unë vizatoja për qejf. Por, në momentin e parë që rashë në kontakt me ngjyrat e vajit dhe nisa të pikturoj në Pallatin e Pionerëve, e kuptova se ky do të ishte përkushtimi im.

Si ka qenë fëmijëria juaj?
Nëna ime punonte në një rrobaqepësi, babai ishte bujk e bari. Ne jetonim në Gjirokastër, shkonim në shkollë, kishim dhe një librari të vogël në qytet, ku ndodhej një koleksion mjaft i mirë librash. Aty shkoja vazhdimisht dhe shikoja, lexoja botime të ndryshme. Kaloja disa ditë të javës në librari. Pastaj shkoja edhe në rrethin e pikturës ku bëja vizatime, luaja me shokët me top, hipnim mbi mure e mbi gurë nëpër përrenjtë e Gjirokastrës. Pra, një fëmijëri në një vend të mbyllur provincial, por në të njëjtën kohë të pasur me ngjarje, histori, zhvillime, një vend me natyrë të bukur e të mrekullueshme. Gjurmët e natyrës janë shumë të forta në mbresat e mia nga fëmijëria.

A keni nostalgji për vendlindjen tuaj?
Po, si të gjithë. Aq më tepër që Gjirokastra me natyrën, historinë dhe njerëzit e saj, është bërë boshti i pikturës sime. Sigurisht, kam mall të përhershëm që e ndiej sa herë që shkoj.

Si vijoi karriera juaj pas adoleshencës?
Shkova në Liceun Artistik me një pasion të madh. Distanca midis Gjirokastrës dhe Tiranës në atë kohë ishte si të shkosh tani nga Tirana në Angli. Ndryshimi qe i madh. Distanca ishte e madhe. Kthehesha aty vetëm në periudhën e pushimeve të janarit. Liceu Artistik ishte një shkollë strikte, me disiplinë dhe mësues të ditur, të apasionuar, në të njëjtën kohë kishte pak dritare për ta parë botën. Kisha dhe kam adhurim për mësuesit e asaj kohe. Për Guri Madhin, i cili ka lënë gjurmë në formimin tim me këmbënguljen e tij për të qenë i sinqertë karshi pikturës dhe për të mos u shtirur. Po kështu, edhe Sadik Kaceli kishte një disiplinë dhe vëmendje të madhe karshi edukimit me ato standardet akademike të artit.

Momenti më i vështirë për ju?
Kur mbarova Akademinë e Arteve fillova një vit punë në Tiranë dhe për arsye biografike e gjëra të këtij lloji shumë të ngatërruara u ktheva në Gjirokastër. Ishte e padiskutueshme mundësia për t’u rikthyer në Tiranë me atë status që kishte biografia ime e asaj kohe. Shpesh mendoja se kjo ishte një gjë pa rrugëdalje, pa zgjidhje, megjithëse shpresat gjithmonë i kisha se ndoshta diçka do të ndodhte. Artisti përditë punon dhe mendon se do të vijë një ditë diçka e mirë me punën e tij.

Dhe çfarë ndodhi më tej?
Them se kam qenë me fat. Kam punuar me grupe pune dhe shokë e kolegë të mirë. Gjeta rrugën e pikturës duke pikturuar peizazhet e Gjirokastrës. Kam qenë në vëmendjen e njerëzve që e donin pikturën, me miq e shokë të mirë. Kam pasur një jetë normale mes familjes, vëllezërve, gruas dhe fëmijëve.

Në mos gaboj, asokohe vetë Enver Hoxha ju ka vlerësuar për një pikturë tuajën?
Në fakt nuk ka ndodhur që të kem marrë ndonjë konsideratë direkte prej tij, megjithëse kam bërë një ekspozitë ku përmendej libri i Hoxhës dhe ku ishte portreti i tij, gjë që i bëra sepse kjo qe mënyra e vetme për të kapërcyer censurën dhe për t’i ekspozuar me shumë vështirësi pikturat e mia në ’85-n, në Gjirokastër. Me vajzën e Enverit, Pranvera Hoxhën, si dhe me dhëndrin e tij, Klement Kolanecin, kam punuar në Muzeun e Krujës. Kam pasur shumë marrëdhënie të mira me ta dhe vazhdojmë ta mbajmë miqësinë. Ndoshta diçka mund të ketë dalë para Enverit falë tyre, por ai nuk më ka thënë gjë mua.

Ka nga ata artistë që ushqejnë nostalgji për atë kohë, ndërkohë që disa të tjerë e hedhin poshtë si të pavlefshme. Ju ç’qëndrim mbani?
Absolutisht që nuk ka qenë kohë e mirë. Ishte kohë e gabuar, e vështirë. Të gjitha sistemet diktatoriale janë kundër natyrës njerëzore dhe aq më tepër pastaj me njerëzit që merren me artin, me idetë. Ishte kohë e vështirë për të jetuar, një pengesë e madhe për shoqërinë tonë dhe shumë gropa u krijuan në vazhdimësinë e kulturës dhe civilizimit të shqiptarëve. Sigurisht, jeta vazhdon, njerëzit krijojnë, ashtu siç krijova dhe unë në atë kohë. Gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi. Mund të gjeje të keqen nga një bari i egërsuar dhe ta gjeje mbrojtjen nga një sekretar partie, por kjo s’do të thotë që sistemi ishte i mirë. Ne kemi jetuar, jemi dashuruar, kemi bërë familje, rritëm fëmijë... Sigurisht, ishte një kohë e keqe që solli pasoja negative.

Atëherë si e shpjegoni ju nostalgjinë e disave prej kolegëve tuaj?
Nuk kam konstatuar që të ketë shumë nostalgji. Arti ishte në funksion të shtetit, mbështetej arti që i shërbente shtetit, ai që ishte pjesë e propagandës për të mbajtur në këmbë atë lloj sistemi. Ne jetuam në atë sistem, lindëm, u rritëm, u edukuam dhe punuam duke marrë rrogën për punën që bënim në atë sistem. Shteti e mbështeste këtë lloj arti që i duhej për propagandën e tij. Njerëz të mirë ka pasur gjithmonë, qoftë në familje, komshinj, shokë e të afërt. E mira me të keqen bashkëjetojnë. Njeriu nëse shikon në të kaluarën do të gjejë gjëra të mira, por kjo nuk e justifikon sistemin. Arti ka funksionuar me vështirësi gjithë kohës.

Le të kalojmë tek emigrimi juaj në Amerikë. Si vendosët për këtë hap?
Ishin shumë arsye që më shtytën të merrja një vendim të tillë. Në fillim nuk mendoja se do të shkoja përtej oqeanit, por diku në Europë. Situata u bë më e vështirë dhe unë isha i vendosur se për njëfarë kohe duhej të shkoja diku jashtë për të plotësuar një ëndërr por edhe një mungesë të krijuar nga izolimi komunist. Doja të shikoja nga afër zhvillimet në Perëndim, muzetë, galeritë, çfarë ndodh aty, por edhe për të plotësuar formimin tim kulturor, gjë për të cilën kam qenë gjithmonë i preokupuar. Në anën tjetër ishte viti ’94 dhe vajzat duhej t’i çoja në shkollë, ndërkohë që koha ishte e vështirë dhe ato pak shkolla arti që ishin dikur të mira patën lëkundjet e tyre. Pra, u bënë shumë arsye së bashku që unë vendosa të emigroj për njëfarë kohe. Që nga ajo kohë kaluan 13 vjet dhe unë jetoj jashtë Shqipërisë, madje jam bërë nënshtetas amerikan. Megjithatë, asnjëherë nuk e braktis idenë për t’u rikthyer një ditë në vendin tim.

Ku jetoni aktualisht?
Jetoj në shtetin e Nju Xhersit, rreth 45 minuta larg nga qendra e Manhatanit (Nju Jork). Është një qytezë e vogël dhe e qetë. Unë kam shtëpinë dhe studion time, kurse gruaja ka klasën e saj për violinë dhe violë. Jemi të kënaqur, kemi një rreth shokësh e miqsh. Gjithashtu, është edhe një grup i vogël shqiptarësh, të cilët më pritën dhe më ndihmuan fillimisht që të integrohesha kur vajta në Amerikë. Ngrihem në mëngjes dhe pikturoj. Kam projektet e mia. Ndjek me vëmendje atë që ndodh në muzeumet dhe galeritë e artit në Nju Jork. Lexoj shtypin mbi atë se çfarë reagimesh shkaktojnë artistët me ekspozitat dhe veprat e tyre. Aty ndjek edhe jetën muzikore, të cilën e kam falas nga gruaja që është e apasionuar dhe shpesh merr ftesa për koncerte. Lexoj shumë libra. Kohën kryesore e kaloj në studio, ku qëndroj për periudha të gjata, ndonjëherë nis punën që në tetë të mëngjesit dhe e mbyll në tetë të mbrëmjes.

Është një luks apo diçka normale që një piktor të jetojë sot vetëm me artin e tij, ndërkohë që dihen vështirësitë?
Mendoj se është diçka mëse normale. Fundja ky është profesioni im. Pastaj, gjithësekush bën zgjedhjet personale për jetën dhe punën. Psh. Unë kam punuar rreth 13 vjet në Teatrin e Gjirokastrës. Nuk i jam ndarë asnjëherë pikturës, por punën me skenografinë, për të cilën paguhesha aty, e bëja me pasion dhe me përgjegjshmëri. Kështu që dhe sot ka njerëz që merren veç pikturës me ndonjë punë tjetër për të jetuar. Nuk besoj se kjo zgjedhje e imja është ndonjë meritë dhe as ndonjë luks. Kam pasur fatin që të jetoj si piktor në studion time dhe për këtë jam shumë i kënaqur për arsyen e thjeshtë se nuk ka rregulla këtu. Ka njerëz që kanë punuar gjithë jetën, kanë krijuar shumë dhe kanë shitur pak ose nuk kanë shitur hiç, sikurse ka dhe të tjerë që punojnë, fitojnë, janë në treg dhe kanë sukses duke u bërë të pasur me këtë punë. Unë nuk jam i pasur, por as i varfër që të mos e mbaj dot studion time.

Para tre vitesh ju keni thyer çdo rekord të shitjeve sa u takon piktorëve shqiptarë. ǒmund të thoni lidhur me këtë?
Nuk kam shumë qejf të flas për shifra. Ajo ishte një shitje e befasishme. Ekspozita u shit menjëherë. Njerëzit treguan dashuri për pikturën time. Në Tiranë është një grup njerëzish që kanë filluar të krijojnë koleksionet e tyre private. Gjithashtu, edhe ekspozita e tanishme është pritur me shumë interes, ndonëse ne nuk bëjmë shitje pasi kjo është jashtë natyrës së Galerisë Kombëtare. Kur të kthehem në studio, besoj që sërish do të funksionojë shumë mirë kjo punë.

Cila ka qenë piktura më e shtrenjtë dhe kujt ia keni shitur?
20 mijë dollarë është piktura ime më e shtrenjtë. Ai që e ka blerë nuk dëshiron që t’i bëhet publik emri.

Le të flasim pak mbi ekspozitën tuaj, që vazhdon të jetë e hapur këto ditë në GKA. Vura re se Skënderbeu hyn ndër temat tuaja. Frymëzim rastësor, apo diçka e paramenduar?
Prania e figurës së Skënderbeut në këtë ekspozitë ka ngjallur mjaft interes te vizitorët. Prania e tij është rastësore. Skënderbeu është simbol i shqiptarëve. Kam pikturuar një hero romantik, herë fitimtar e herë humbës. Për mua është një figurë e adhuruar dhe jam munduar ta pikturoj siç e kam në ndërgjegjen dhe mbresat e mia. E shikoj si gjeniun që krijoi dhe pati i pari idenë e shtetit shqiptar me aleanca perëndimore. Ai arriti ta realizonte ëndrrën për një mbretëri të tillë, pavarësisht se për arsye banale kurora nuk u arrit që t’i vihej në kokë. Frymëzimi erdhi si një proces normal. Shkova te kjo figurë dhe e kam pikturuar me dashuri, siç e kam në mendje. E trajtoj si figurë të shenjtë, hyjnore, por edhe si figurë njerëzore, me gruan e tij në momente ngazëllimi e pikëllimi. Merrem edhe me dramën e fronit të Skënderbeut. Ky fron nuk u trashëgua për arsye të njohura, gjë që shkaktoi pasoja në historinë e mëtejshme të Shqipërisë. Pra, luaj me glorifikimin e tij dhe me dramën e mostrashëgimit të fronit dhe në përgjithësi të shtetit shqiptar që u shkatërrua për t’u ngritur pas 500 vjetësh. Rastësisht, kjo ekspozitë e imja e gjeti median në një debat mbi Skënderbeun që është krejt i pavlefshëm pasi figura e tij është e padiskutueshme.

Nudot vazhdojnë të jenë temë e pikturës suaj. ǒmund të thoni lidhur me to?
Fakti që në ekspozitë është një grup tablosh me nudo shkakton gjithashtu një reaksion. Ato kanë qenë gjithmonë të pranishme në pikturën time. Atje ku është një burrë, gjithmonë do të jetë edhe një grua. E ndërsa burrin e pikturoj herë flutures, herë me fustanellë, qylaf e xhufka, herë të rrëzuar e herë të ngritur, gruan e pikturoj nudo. Te figura e burrit dhe heroit kam përqendruar idenë e ëndrrës ndërsa te figura e gruas idenë e jetës tokësore, e cila sjell me vete dhe bukurinë. Në këtë ekspozitë nudot janë një grup pikturash që janë bërë me modele në studio. Është një temë e vjetër e pikturës që nga piktura e skulptura klasike greke, Rilindja Europiane etj. Në një farë mënyre është temë e artit europian që e ka lëvruar temën e nudos për të vijuar me pikturën moderne e postmoderne. Është një temë e dashur për piktorin. Është tema mbase më e hollë dhe më e bukur ku piktori do të ballafaqohet dhe do të përballojë disa sfida të profesionit, të mjeshtërisë, por edhe sfida të sensibilitetit, të kualiteteve më të holla të artit të tij. Të gjithë piktorët bëjnë nudo. Edhe unë kam bërë të tilla, që tërheqin vëmendjen dhe shkaktojnë diskutime.

Cila është ora më e dashur për ju në lidhje me punën krijuese?
Nuk kam orar të caktuar. Nis në mëngjes dhe mbaroj në darkë. Mund të ketë ndërprerje për arsye aksidentale, por është si puna normale e çdo njeriu, ndërkohë që momenti i frymëzimit mbetet në pritje dhe në diskutim. Amatorët presin frymëzimin që të marrin penelin, ndërsa profesionisti hyn në studio dhe fillon të pikturojë në orarin e caktuar. Megjithatë, gjendet momenti kur ora i përgjigjet trurit dhe truri i përgjigjet syrit. Çdo gjë duhet të shkojë në mënyrë harmonike. Mendimi vjen e koncentrohet dhe befas shikon se piktura ka marrë rrugën e mbylljes. Mund të kesh punuar dy javë dhe të mos e marrësh vesh se çfarë ke pikturuar dhe çfarë do të bësh, derisa vjen një çast kur realizon atë që do dhe piktura të duket sikur e ka realizuar dikush tjetër.

Më mirë se ju, kush mund ta dijë, në ç’rrymë mendoni se jeni duke ecur tani?
Nuk më ka shqetësuar ndonjëherë që t’i vë emër pikturës që bëj. Nga kritikët dikush e quan pikturën time romantike, dikush postmoderne, dikush vizionare, dikush surealiste. Megjithatë, nuk mendoj se jam surealist, por gjithmonë në punët e mia ka diçka të çuditshme sepse e çuditshme është jeta, natyra, raportet njerëzore... Kjo gjë nganjëherë i ngatërron njerëzit. Është një pikturë postmoderne, figurative, me një taban të edukimit akademik.

Ndërsa në katër vjet në Shqipëri keni hapur tri ekspozita, sa aktiv jeni në Amerikë?
Gjatë këtyre katër viteve kam bërë dy ekspozita personale dhe dy kolektive në SHBA. Ato janë çelur në Manhatan dhe në qytetin ku jetoj. Nuk kam pasur fatin që të kem në dispozicion një sallë kaq të madhe sa kjo e Galerisë Kombëtare të Arteve, ndaj dhe për mua është gjithmonë kënaqësi kur ekspozoj punët këtu.

Keni një manaxher arti, apo vetëkujdeseni për punët tuaja?
Punën kryesore gjithmonë artisti e bën vetë, por punoj edhe me një manaxhere, e cila merret me galeritë dhe pjesën e organizimit të ekspozitave.

Si e shikoni realitetin shqiptar në këtë këndvështrim?
Këtu janë më shumë kuratorët privatë që bëjnë projekte për të hapur dhe mbështetur ekspozita. Këtu sa kanë filluar të ndërtohen koleksionet e para dhe ende nuk ka një rrjet galerish të vogla që të ekspozojnë në mënyrë të vazhdueshme. Këto galeri do të krijonin tregun, balancën dhe verifikimin e çmimeve etj.

Ku qëndron ngërçi i tregut të pikturës, sipas jush?
Janë shumë gjëra. Problemi i parë fillon te Galeria Kombëtare e Arteve, e cila prej 20 vitesh nuk ekziston. Në ’90-n u ndryshua për t’u reformuar, pastaj dikush tjetër e reformoi sipas një ideje tjetër, pastaj dikush nisi të rregullonte ndërtimet e të zinte pikat e ujin që pikonin, dikush tjetër rregulloi dyshemenë, pastaj u tha se GKA-ja do të zhvendoset diku tjetër... Praktikisht, në GKA funksionon veç salla e ekspozitave, e cila nuk ka një projekt të shpallur vjetor që njerëzit ta dinë se cili është programi, çfarë synimi dhe çfarë objektivash kërkon të arrijë si dhe çfarë idesh do të ballafaqohen me opinionin. Gjithçka është sporadike. Është e vështirë të ekspozosh në GKA, por kjo më duket diçka normale, pasi gjithmonë do të bëhet edhe më e vështirë të ekspozohet në një institucion me rëndësi kombëtare. Në këtë kuptim, m’u bë favor që GKA-ja ma dha sallën të ekspozoj këtu. I njëjti problem është edhe në Akademinë e Arteve dhe Galerinë e saj. Nuk ka një shoqatë të piktorëve, e cila të bëjë aktivitete të përbashkëta etj. Liceu Artistik po kështu duhej ta kishte një qendër dhe grupimin e artistëve të tij. Në këtë kuptim, çdo gjë është në amulli, në kaos. Edhe galeritë private janë të brishta, pa një karakter, pa përcaktuar personalitetin e tyre. Nuk dihet se çfarë arti ekspozon njëra e çfarë tjetra. E gjitha kjo e vështirëson mekanizmin përmes të cilit arti duhet të shfaqet, të ballafaqohet, të konkurrojë përmes çmimeve vjetore dhe bienaleve të ndryshme e të larmishme. Gjëja më pozitive janë koleksionistët privatë, të cilët kanë nisur të krijojnë koleksionet e tyre. Pasioni që u ka lindur këtyre njerëzve për pikturën është gjëja më e mirë, pasi në këtë mënyrë mbështesin artin dhe pikturën duke krijuar koleksionet e tyre. Kjo do të sjellë ndryshime. Pra mendoj se gjëja më e mirë që ka ndodhur në Tiranë janë koleksionet private, gjë që e ka sjellë vetë zhvillimi i jetës këtu dhe ekonomia e tregut. Prej këndej besoj se do të ndodhin ndryshimet e tjera.

A mund t’i vëmë faj shtetit apo Ministrisë së Kulturës për politika të munguara?
Shtetin e bëjmë ne. Përgjegjësia është e të gjithëve. Në radhë të parë duhet të jenë artistët ata që duhet të gjenin gjuhën e komunikimit. Tregu do ta shkundë këtë punë.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›