E Diel, 1 Nëntor 2026

Të huajt, si e kanë pushtuar futbollin shqiptar



Dilema është e madhe. Madje shpesh shndërrohet në një debat të nxehtë dhe të përsëritur. Pasi janë të shumëpaguar. Dhe në Shqipëri kjo ndodh prej 11 vjetësh, kur braziliani Edu de Souza u ble në vitin 1997 nga Lushnja. Të dobishëm, apo nuk kanë dhënë asnjë kontribut në progresin cilësor të futbollit shqiptar. Të huajt vazhdojnë të jenë një temë e diskutuar në topkëmbën shqiptare. Në fakt, të huajt e parë në futbollin shqiptar datohen para vitit 1945, në kampionatet e zhvilluara në vitet 1930-1939. I pari mbetet një italian. Portieri Xhakomo Pozelli, i cili ka mbrojtur fanellën e Flamurtarit të Vlorës. Fluksi i vërtetë i “përmbytjes” së kampionatit shqiptar me të huaj nisi në vitin 1997, kur në Lushnjën e financuar atëherë nga fondacioni piramidal “Xhaferri” mbërriti braziliani i parë Edu de Souza, i transferuar nga skuadra greke e kategorisë së tretë, Panaigialios. Te verdhejeshilët luajtën në janar të vitit 1997 edhe braziliani tjetër Dos Santos e nigeriani Nosa. Lushnja pati luksin të ketë trajner edhe një emër të madh si argjentinasi Mario Kempes, i vetmi kampion bote që ka drejtuar në Shqipëri. Kempes nënshkroi një kontratë 2-vjeçare më 21 dhjetor 1996, me një vlerë prej 350 mijë dollarësh në vit, plus një rroge mujore 1500 dollarë. Aventura e tyre zgjati shumë pak për shkak të trazirave të periudhës së mbrapshtë të vitit 2007.
Partizani, streha e të huajve
Partizani ka qenë “streha” e parë masive e futbollistëve nga vendi i Ronaldos e Ronaldinjos, madje fanellën e kuqe e kanë veshur rreth 15 futbollistë brazilianë, ku më të spikaturit kanë qenë Xhekson, Abilio, Karioka, Xheradinjo, Brashini, Kardek, Xhunior, Marselinjo, Tiago, Paulinio, Kokinjo, Domingos etj. Ndërkohë që braziliani i parë i mbërritur në Shqipëri, Edu, ka luajtur për Lushnjën në vitin 1996, lojtarët e parë (4 të tillë) te Partizani mbërritën në janar të vitit 1998, ku njëri prej tyre, Xhovani Dos Santos veshi për pak kohë dhe fanellën e Teutës. Më pas në sezonin 1999-2000 erdhi gati një skuadër, ndërkohë që “prurja e dytë” e madhe ka qenë ajo e sezonit 2003-2004.
Portierët e huaj në Shqipëri
Italiani Xhakomo Pozelli është dhe i pari portier i huaj që ka luajtur me një skuadër shqiptare, Flamurtarin, madje ka mbrojtur edhe portën e ekipit tonë kombëtar në fillimet e tij. Pas viteve ‘90 portierët e huaj janë më shumë të pranishëm në skuadrat tona, duke filluar me nigerianin Emanuel Egbo (luan aktualisht te Bylisi), egjiptiani Naser (ka luajtur me Tiranën në kohën e ish-presidentit El-Sajed), polaku Premislav Norko (Partizani), kongolezo-francezi Gutemberg (Partizani). Te Vllaznia është aktivizuar gjermani Lutz Phanevstil. Në sezonin aktual aktivizohen tre portierë të huaj. Te Tirana luan maqedonasi Koronosvki, te Besa aktivizohet prej tre edicionesh shqiptari nga Maqedonia, Suad Zendeli (më parë ka luajtur edhe për Dinamon e Apoloninë), maqedonasi Mirselovski e nigeriani Egbo janë në radhët e Tiranës.
Paguhen shumë, por shënojnë pak
Në sezonin 2005-2006 senegalezi El-Haxhi i Dinamos fitoi “Këpucën e artë” për të huajt, duke shënuar 16 gola, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë. Në sezonin 2006-2007 ishte kongolezi Sasha Delian i Vllaznisë ai që u shfaq në rolin e protagonistit. Në sezonin e fundit, kroati Pero Pejiç, me 18 golat e realizuar, u rendit i dyti pas Vioresin Sinanit (20 gola). Gjatë 13 javëve të para të sezonit aktual goleadori që spikat më tepër është Mate Brajkoviç i Flamurtarit, me 4 gola. Edhe ganezi Xhejms Boadu po shfaqet si një golashënues: 2 gola të tij. Emrin e tyre në listën e golashënuesve e kanë vënë edhe serbët e Apolonisë, Kërkiç e Sreçkoviç, si dhe braziliani Junior. Marin Con, Bruno Barbosa, Deliovski, Marko Bashiç, Nevez kanë shënuar të paktën një gol për ekipet e tyre. Petriçeviç e Pllumbi të Dinamos kanë shënuar vetëm nga një gol.

Sezoni 2008-2009, Superliga me 49 lojtarë të huaj

49 lojtarë të huaj të mirëpaguar në një kampionat shqiptar i thonë realisht “ndal!” në mënyrë të pamëshirshme formimit, zhvillimit dhe shfaqjes së talenteve shqiptare të futbollit tonë modest. Ja dhe numri i tyre sipas ekipeve:

APOLONIA: 6
Apolonia e Fierit e këtij sezoni ka gjashtë lojtarë në gjirin e saj, ku mbizotëron “flamuri” serb me katër përfaqësues: Aleksandër Sreçkoviç, Pedrag Mirçeta, Semir Haxhibuliç, Mladen Kërkiç. Përveç këtyre ka dhe dy brazilianë, Uashington Junior dhe Jean Da Silva. Edhe trajneri aktual i Apolonisë është një serb, Esad Karishik.

BESA: 6
Skuadra kavajase në sezonin 2006-2007 kishte 10 lojtarë joshqiptarë: Pikomalek Binogol, Bikuola Nana, Ebanda, Edende Elokan, Fred Bastin, Shpëtim Babaj, Valon Bajgora, Driton Krasniqi, Ismet Munishi, Alban Dragusha. Në sezonin aktual ka gjashtë lojtarë: Suat Zendeli, Driton Krasniqi, Elokan Fransua, Fitim Haliti, Henri Fortunat, Liridon Leci.

BYLIS: 8
Ballshiotët kanë shtatë në portë dy futbollistë të huaj: nigerianin Emanuel Egbo dhe maqedonasin Mirselovski. Këtyre u shtohen Kaboure Mousa, Mupceaoku Auc Pau, Pedro Paolo Pinehero Dos Neves, Cuzet Filiz dhe El Archi Adnane.

DINAMO: 6
Blutë herë janë shfaqur në variantin afrikan, herë në atë latino-amerikan dhe së fundi në versionin kroat, ku edhe trajneri aktual është po nga Kroacia: Zllatko Daliç. Dinamo e sezonit 2008-2009 ka në gjirin e vet katër futbollistë kroatë: Frane Petriçeviç, Goran Graniç, Nikolla Safariç, Nedim Haliloviç. Në radhët e 17-herë kampionëve janë edhe shqiptaro-kroati Pllumb Jusufi e senegalezi Papa Diop.

ELBASANI: 1
Skuadra verdheblu kishte shtatë lojtarë të huaj dy sezone më parë, por në këtë aktual ka vetëm 1: venezualianin me emrin e famshëm Jorge Kazanova.

FLAMURTARI: 6
Trendi kroat ka kohë që “fryn” në Vlorë. Mate Brajkoviç, Goran Brajkoviç, Zeljko Kovaçeviç, Marin Con, Branko Paniç e braziliano-kroati Roberto Alviz “zënë” me shumë se gjysmën e formacionit kuqezi.

LUSHNJA: 2
Edhe pse kanë qenë të parë që kanë “importuar” futbollistë të huaj, tashmë në formacionin lushnjar janë vetëm dy të tillë: kongolezi Riçard Bokotola dhe nigeriani Xhibril Sisoko.

PARTIZANI: 3
Partizani gjithmonë ka qenë streha e dashur e të huajve. Futbollistë nga të paktën 10 kombësi kanë veshur fanellën e kuqe. Për momentin skuadra e Partizanit nuk ka asnjë lojtar të huaj në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro. Por, në fillim të sezonit, në radhët e të kuqve militonin 3 lojtarë brazilianë: Roma, Bruno Barboza e Felipe Macedo Kastelani. Madje Bruno është edhe autori i një goli kundër Tiranës.

SHKUMBINI: 1
Skuadra peqinase vlerësohet si një nga më të mirat e këtij sezoni, por në gjirin e saj ka vetëm një lojtar të huaj, maqedonasin Cvete Deliosvki.

TEUTA: 0
Skuadra durrsake po shfaq potencën e saj javë pas jave, duke u bazuar te lojtarët e rinj. Ajo që bie në sy është fakti se në dispozicion të trajnerit Sulejman Starova nuk ka asnjë lojtar të huaj.

TIRANA: 4
23-herë kampionët gjithmonë janë dalluar lojtarë të huaj cilësorë, qofshin këta hungarezë, holandezë, maqedonas, kamerunas, nigerianë, francezë, peruanë e të tjerë. Aktualisht në dispozicion të trajnerit boshnjako-kroat Blazh Slishkoviç janë maqedonasi Pece Korunovski, kroati Toni Pezo, nigeriani Abraham Alecheneu dhe shqiptaro-kroati Lekë Kcira.

VLLAZNIA: 5
Ganezi Xhejms Boadu po shkëlqen në radhët e shkodranëve, por në kontrast me të është ganezi tjetër, Adamu Muhamed. Te Vllaznia luajnë aktualisht edhe kosovari Ilir Nallbani, malazezi Marko Bashiç dhe çeku Miroslav Kousal (ende i parikuperuar). Vllaznia mund të vendosë edhe një rekord në Shqipëri, rekrutimin e të parit futbollist grek, Venezilleso Anifandakis.

20 të huaj në Kategorinë e Parë
Edhe Kategoria e Parë ka të huajt e saj. Bilisht Sport ka në gjirin e tij tre lojtarë me emra shumë të çuditshëm: Chukvua Charles Ofojeh, Ikechukwu Valentin Onyeka dhe Charles Chibuike Udeke. Gramozi ka në gjirin e tij Marko Dos Santos, Leonard Martins dhe Rodriguez Oliveira (të tre nga Brazili), Abduraman Muhamadou (nigerian) dhe Aleksandër Trajanavoski (maqedonas). Kastrioti mburret me afrikanin January Ziambon. Laçi ka Kleber Novaes De Lima. Dajti ka tre lojtarë të huaj dhe të tre brazilainë: Abilio Nevez Dos Reis, Marcelo Brashini dhe Toni Kosta de Pinho. Edhe Skënderbeu kryesues ka nigerianin Tochukvu. Turbina e Cërrikut ka tre lojtarë të huaj në gjirin e saj. Klubet e tjera Burreli, Ada, Sopoti, Skrapari, Tërbuni e Besëlidhja janë të pastër nga të huajt.

Surpriza Gramozi në versionin “samba”

Kur Gramozi i Ersekës u shpall kampion i Kategorisë së Dytë sezonin e kaluar, një meritë të padiskutueshme patën tre futbollistë brazilianë: Marko Dos Santos, Leonard Martins dhe Rodriguez Oliveira. Në sezonin aktual të Kategorisë së Parë Gramozi vlerësohet si surpriza e këtij kampionati, pasi renditet me meritë në vendin e dytë. Pesë futbollistë të huaj ka skuadra e financuar nga “Taçi Oil”: Marko Dos Santos, Leonard Martins dhe Rodriguez Oliveira (të tre nga Brazili), Abduraman Muhamadou (nigerian) dhe Aleksandër Trajanavoski (maqedonas). Dos Santos, me 10 gola, është dhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë pas 12 javësh të luajtura. I dyti, me 8 gola, vjen afrikani nga Zimbabveja, January Ziambo, i cili mbron ngjyrat e Kastriotit.

Rekordi i Besës, 10 lojtarë të huaj

Duke iu referuar shifrave të regjistrimit në FSHF, Besa e Kavajës, me 10 futbollistë joshqiptarë, në sezonin 2006-2007 ka thyer rekordin e skuadrës së Dinamos që në vitin 2005 në ndeshjen e Kupës Intertoto, Dinamo-Varteks 2-1, ku aktivizoi 7 të huaj: Suat Zendeli nga Maqedonia, Diop, Gaye dhe Gudjaby nga Senegali, Koné nga Mali, Escudero nga Argjentina dhe Marino nga Peruja, pa llogaritur trajnerin Ramon Kabrero nga Argjentina. Më parë ishte Partizani, në vitin 2002, ku në ndeshjen e Kupës UEFA, Hapoel Tel Aviv-Partizani 1-0, në formacionin e tij të parë kishte 6 futbollistë të huaj: brazilianët Brashini, Abilio, Zheraldinjo, Karioka, Princ dhe Delain.

Venizellos Anifandakis, greku i Vllaznisë

Venizellos Anifandakis mund të shndërrohet në futbollistin e parë grek në kampionatin shqiptar. Mbrojtësi helen ka rënë parimisht dakord të luajë me ekipin e Vllaznisë në pjesën e dytë të sezonit, që fillon më 31 janar 2009. Anifandakis zhvilloi disa ditë stërvitje në Shkodër dhe është pëlqyer nga trajneri Agim Canaj. Futbollisti grek është pjesë e Ergotelisit në Superligën greke, një ish-ekip i Altin Haxhit. Në Greqi kanë luajtur disa nga futbollistët më të mirë shqiptarë, përfshirë emra të tille si Mirel Josa, Foto Strakosha, Sokol Kushta, Lefter Millo, Artur Lekbello, Ledio Pano, Bledar Kola, Edvin Murati, Indri Fortuzi, Arjan Beqaj, Arjan Sheta, Alban Bushi, Arjan Xhumba, Kristi Vangjeli. Për momentin Venizellos Anifandakis ndodhet në Kretë, ku ka shkuar për të tërhequr dokumentacionin e tij dhe pritet për t’u rikthyer në Shkodër për të firmosur kontratën e tij zyrtare me presidentin Valter Fushaj.

Abdulla Ishaaka, viktimë e "Ishte lojë"

Nigeriani ka qenë ndër të huajt më simpatikë që ka luajtur në Shqipëri, duke mbrojtur ngjyrat e Besës dhe Elbasanit. Një futbollist me humor, që guxoi të çonte në atdheun e tij edhe një gjel deti. Por kulmi i Abdulla Ishaakasë arriti kur ra viktimë e spektaklit “Ishte lojë”, kur një vajzë me ngjyrë shqiptare i pohoi se kishte një djalë të paligjshëm me Abdullanë, ndërkohë që ky fundit priste një fëmijë me gruan e tij të ligjshme. “Çfarë bëra te tualeti? Normalisht në tualet isha në tension. Unë i tregova doktorit dorën për të më marrë gjak e për të kryer analizat e ADN-së, por ai më drejtoi për të shkuar në tualet. Unë nuk doja të pranoja se ai ishte fëmija im, pasi isha i bindur që unë nuk isha babai i tij, dhe shkova në tualet të më merrnin analizën e spermës. E provova, por nuk më ngrihej fare nga tensioni. Erdhi doktori dhe më pyeti: E mor Abdulla akoma se mbushe gotën? Nuk më ngrihej fare, edhe pse më sollën revista porno”, - tha ai gjatë një interviste për gazetën “Albania” (3 mars 2007). Organizatorët madje e detyruan të ejakulonte në praninë e kamerës së fshehtë. Më pas një shfaqje të transmetuar live i hodhën një kovë plot me kos në kokë. “Më hodhën kos në kostumin më të mirë”, - tha Dulla, siç thirrej shkurt Abdulla Ishaaka, i cili aktualisht luan në kampionatin kinez.

GUDJABI
Disa nga të huajt janë larguar duke lënë prapa përshtypjen më të keqe. Sulmuesi afrikan El-Haxhi Gudjabi e braktisi Skënderbeun e u zhduk pa lënë adresë, pasi kishte marrë këstin e parë prej 20 mijë eurosh. Edhe pse u bë disa herë i gjallë me “cërre” ish-sulmuesi i Dinamos nuk u shfaq më në Korçë.

KARIOKA

Sulmuesi brazilian i Partizanit, Antonio Vana Karioka, ishte një lojtar cilësor, por u largua në mënyrë misterioze nga Shqipëria vetëm një javë më pas, pasi presidenti i “demave” i kishte paguar një shumë prej 15 mijë dollarësh. Arsyeja deklaruar? Karioka kishte motrën sëmurë. Një gënjeshtër me bisht.

ABILIO

Braziliani Abilio është një ndër lojtarët e huaj më të spikatur në kampionatin shqiptar. Ish-futbollisti i Partizanit e Vllaznisë, por u arrestua në një aeroport të Brazilit për vrasje, pasi policia e Mato Grosos kishte ngatërruar me vrasësin e vërtetë. Aktualisht luan me Dajtin.

Rekordi i nigerianit Abraham
Nigeriani Abraham Alechenu, mbajtësi i një rekordi unikal në Shqipëri për futbollistët e huaj të aktivizuar në vendin tonë përsa u përket titujve kampion, 3 të tillë me tre skuadra të ndryshme, dhe për më tepër në vazhdimësi: Elbasanin (2005-2006), Tiranën (2006-2007) e Dinamon (20007-2008), synon me skuadrën e tij aktuale, Tiranën, të thellojë rekordin e tij e të lërë gjurmë në librin e artë të statistikave të futbollit shqiptar. Mbrojtësi i majtë, i cili e nisi karrierën e tij në Ersekë me Gramozin. Por në Shqipëri ka disa lojtarë të huaj kampionë. Tirana, kampione e sezonit 1999-2000, kishte në gjirin e saj katër lojtarë hungarezë: Zoltan Kenesei, Peter Sutori, Laszlo Vukovics dhe Matyas Lazar. Vllaznia, kampione e sezonit 2000-2001, kishte portier malazezët Milos Krstaiç, Sasha Marash dhe Serdjan Radonjiç. Dinamo, kampione e sezonit 2001-2002, kishte në gjirin e saj ukrainasin Sergei Romanshin. Tirana kampione e sezonit 2002-2003 kishte në formacionin e saj nigerianin Emanuel Egbo, holandezin Jan Veenhof dhe italianin Daniele Zakanti. Elbasani, kampion në sezonin 2005-2006, pati në gjirin e tij nigerianin Abraham. Tirana, kampione e sezonit 2006-2007, kishte brenda edhe kamerunasin Abada Fish, kolumbianin Diomedes Penja dhe nigerianin Abraham. Te Dinamo, kampione e sezonit 2007-2008, ishin katër kroatë: Goran Vinçetiç, Goran Graniç, Pero Pejiç e Dario Bodrusiç, si dhe nigeriani Abraham e senegalezi Pape Diop.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›