BB Bashkimi mposhti Trepçën

Big Brother Bashkimi ka shënuar fitore të mërkurën mbrëma në Prizren, në ndeshjen derbi të xhiros së tetëmbëdhjetë të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll ndaj Trepçës, me rezultat 75:61. Me këtë fitore, Big Brother Bashkimi i ka barazuar pikët me Trepçën, dhe tani të dyja këto skuadra i ndajnë pozitat dy e tre në tabelën e klasifikimit.
Ndërsa, befasia e kësaj jave ka ndodhur po të mërkurën në Mitrovicë, ku Peja përjetoi disfatë të cilën ia pësoi Bambi. Ekipi mitrovicas e mposhti ekipin mysafir, Pejën, me rezultat 72:60. Dhe në këtë mënyrë, edhe përfundoi gëzimi i verdhezinjve, pas fitores që e arritën të dielën në ndeshjen derbi ndaj Big Brother Bashkimit.
Po të njëjtën ditë, lideri dhe kampioni aktual, Sigal Prishtina me lehtësi shënoi fitore në përballje me Kolegjin EuroSport. Bardhekaltrit mposhtën ekipin kundërshtar me rezultat 92:59.
Drita nuk ka udhëtuar në Vushtrri
Ndeshja ndërmjet Kosovës së Vushtrrisë dhe Dritës së Gjilanit, e paraparë për tu zhvilluar të mërkurën, nuk është zhvilluar fare, sepse ekipi gjilanas nuk ia ka dalë ta organizoj udhëtimin e ekipit drejt Vushtrrisë.
“Departamenti për Rini, Kulturë dhe Sport i Komunës së Gjilanit na ka premtuar se transportin do të na siguroj deri në fund të kampionatit. Mirëpo, FBK-ja vendosi që ndeshja të zhvillohet të mërkurën, dhe Departamenti nuk ia doli të na siguroi udhëtimin, sepse ne të martën e njoftuam se kemi ndeshje të mërkurën”, deklaroi për Express, kryetrajneri i këtij klubi, Agron Kurtalani, i cili e përjashtoi mundësinë e tërheqjes së klubit të tij nga garat, edhe pse Drita është në krizë të madhe financiare.
“Kemi kërkuar nga Komisari i Garave që të na shtyjë këtë ndeshje. Nuk e kemi ndërmend të tërhiqemi nga garat, sepse nuk duam t’i qesim hije të keqe basketbollit kosovar dhe qytetit tonë. Do ta shtyjmë me të gjitha forcat deri në fund”, përfundoi ai.
Rezultatet – Xhiroja e 18-të
BB Bashkimi – Trepça 75:61
Bambi – Peja 72:60
S. Prishtina – K. EuroSport 92:59
Kosova – Drita Nuk u zhvillua
Tabela
1. S. Prishtina 33
2. Bashkimi 31
3. Trepça 31
4. Peja 27
5. Bambi 23
6. Kosova 23
7. K. EuroSport 22
8. Drita 20