E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një hungarez në Kosovë

Skuadrës së Kosovës së Vushtrrisë, në sezonin pranveror pritet t’i ndihmojë një futbollist nga Hungaria. Mesfushori ofanziv, Nagy Zsolt, po provohet te klubi bardhekaltër.

24-vjeçari i është bashkuar klubit vushtrrias, të hënën, ndërsa qysh në ditën e parë kë lënë përshtypje të mira. Këtë e ka bërë të ditur Rizvan Jetullahu, trajneri që po e udhëheq aktualisht Kosovën (V).

Sipas trajnerit Jetullahu, Zsolt, i cili në të kaluarën ka luajtur në futbollit hungarez, ka treguar cilësi të mira dhe ky futbollist mund të jetë pjesë e vushtrriasve në pjesën e dytë të kampionatit, i cili fillon në muajin mars.

“Ai ka filluar stërvitjet me ne, po duket lojtar i mirë. Kishte bërë një vit pauzë dhe shihet që nuk ka fuqi, por sa i përket cilësisë, është perfekt. Do të mundohemi që në ditët e ardhshme të punojmë me të, në aspektin fizik, për t’ia rikthyer formën, dhe ai mund të luajë për Kosovën pa problem në pranverë”, ka thënë Jetullahu, për Express.

Nagy Zsolt, tash e një vit nuk ka luajtur futboll, për shkak të një lëndimi. Ai
ka ardhur në Kosovë përmes një biznesi, ndërsa e ka shfrytëzuar mundësinë që t’i bashkohet klubit bardhekaltër.

“Nuk kam luajtur futboll aktiv qe një vit dhe me duhen 2-3 javë stërvitje për ta kthyer ritmin. Në klub më kanë pritur mirë të gjithë dhe këtu kam ardhur për të luajtur”, ka thënë Zsolt, për Express.

Ai ka treguar se karrierën e ka filluar te gjiganti hungarez Ferencvarosi TC. Por, më pas Nagy ka luajtur në disa rangje më të ulëta të futbollit hungarez, derisa skuadra e tij e fundit ishte Vizmuvek SK.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›