BB: Ne mund tju ndihmojmë ta zgjidhni krizën energjetike
Një studim i detajuar i Bankës Botërore, i publikuar së fundmi, vë në dukje faktin se mungesa e burimeve të mjaftueshme energjetike në rajonin e Ballkanit do të jetë pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve në dekadën në vazhdim, ndërsa u sugjeron qeverive të këtyre vendeve të përdorin ekspertizën e bankës për të zgjidhur problemet.
“Kërkesa për energjinë primare në Europë dhe Azinë Qendrore pritet të rritet me 50 për qind deri në 2030”, tha Peter Thomson, drejtor i Zhvillimit të Qëndrueshëm në Bankën Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, “ndërsa kërkesa për energji elektrike pritet të rritet me 90 për qind”, sipas një deklarate të Bankës Botërore.
“Përpara se të ndodhte kriza financiare botërore në 2008, Thomson shpjegoi se “një sërë vendesh importuese në rajon filluan të përjetonin vështirësi në lidhje me furnizimet. Kriza financiare ka ngadalësuar kërkesën për energji dhe ka krijuar një vend për të marrë frymë lirisht, në mënyrë që t’i lejojë vendet të marrin masa për të lehtësuar ndikimin e krizës së mundshme energjetike. Por kjo mundësi do të ekzistojë për rreth pesë apo gjashtë vjet. Lehtësimi i veprimeve kërkohet si në anën e furnizimit, ashtu edhe në atë të plotësimit të kërkesës dhe pa një ndryshim të sjelljes, rajoni si i tërë mund të përballet me një krizë energjetike”.
Shqipëria merret si shembulli më domethënës i mosmenaxhimit të situatës energjetike, për shkak se konsumi po rritet shumë shpejt, ndërsa aftësia e qeverive për ta menaxhuar situatën është e papërfillshme. Shqipëria u bë importues neto i energjisë elektrike në vitet 2000, ndërsa përjetoi krizën më të rëndë në histori në vitin 2007. Kriza e energjisë elektrike u kthye edhe në krizë ekonomike, për shkak se kostoja e importit të dritave arriti në 200 milionë euro në vitin 2008, gjë që zgjeroi deficitin tregtar të vendit dhe kërcënoi stabilitetin makroekonomik. Kriza botërore, sipas BB, krijoi një hapësirë shprese, pasi konsumi u ul së bashku me çmimet. Por kjo është një periudhë kalimtare prej pak vitesh, periudhë që sipas BB duhet të përdoret për t’u përgatitur për një ditë të keqe.
Shqipëria ka nevojë për termocentrale të reja me fuqi të instaluar prej 600 MW, të cilat mund të kushtojnë 800 milionë deri në 1 miliard euro, por energjia duket se nuk është prioritet i qeverisë shqiptare, e cila beson se këto investime duhet të kryhen nga privatët.
Për më tepër, aftësia e Shqipërisë për të menaxhuar projekte për zgjerimin e kapaciteteve energjetike ka rezultuar një zhgënjim total. Termocentrali i Vlorës, me fuqi të instaluar vetëm 93 MW, kërkoi plot shtatë vite përgatitje dhe në fund duket se është projektuar gabim e nuk është vënë ende në punë.
“Banka Botërore është gati t’i ndihmojë vendet që të përmbushin nevojat e tyre për energji”, tha Thomson, “duke i ndihmuar ato të krijojnë një klimë atraktive për investimet dhe duke i ndihmuar të sigurojnë akses të sigurt për burimet e financimit, duke përfshirë këtu financimin e karbonit. Gjithsesi, vendet kanë nevojë të veprojnë me shpejtësi – koha është flori”.
#