E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetit iu vodhën 7.3 miliardë lekë

Raporti i KLSH-së për 2009-n

Nuk ka të ndalur abuzimi që administrata publike i bën buxhetit të shtetit. Duket se kursimet e Kryeministrit përmes vendimeve për reduktime shpenzimesh firojnë në anë të tjera, duke dëmtuar akoma e më rëndë arkën e shtetit. Përmes raportit vjetor të dorëzuar dje në Kuvendin e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se dëmi total i shkaktuar gjatë kontrollove në 2009-n rezultoi rreth 7.3 miliardë lekë. Dëmi më i madh u shkaktua gjatë procesit të shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, në rreth 3.1 miliardë lekë, si pasojë e mosrespektimit të ligjit. KLSH deklaron se gjatë vitit 2009 ka ushtruar 150 kontrolle në institucione qendrore dhe vendore, nga ku ka konstatuar shkelje të rënda në buxhetin e shtetit gjatë periudhave 2007-2008 dhe 9-mujorit të 2009-s. Pas pronave, janë taksat sektori me më shumë shkelje, afërsisht 2.5 miliardë lekë, kryesisht si efekt i arkëtimeve, llogaritjeve të TVSH dhe kontributeve shoqërore. Edhe tenderët nuk mbeten pas, me 431 milionë lekë abuzime, kryesisht në rrugë dhe projekte të huaja. KLSH vë në dukje faktin e abuzimit përmes postit sa u takon shpërblimeve dhe dietave. Në këtë kategori, administrata publike i ka “dhuruar vetes” 866 milionë lekë, gati 8 milionë dollarë, ku vetëm 234 milionë lekë ishin shpërblimet. Vend të veçantë në raportin vjetor zë edhe administrata doganore, e cila me “manovrat e dyshimta” i ka shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 300 milionë lekësh. Raporti i dorëzuar dje në Kuvend do të diskutohet në fillim të javës që vjen nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë, ku pritet të jetë i pranishëm vetë kryetari i KLSH-së, Robert çeku.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›