Mbarojnë ditët pozitive për lekun
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të BE-së në lidhje me formën e përshtatshme të ndihmës financiare për Greqinë, ndaloi dje rënien e euros në tregun ndërkombëtar, si dhe riktheu euron në rrugën e forcimit kundrejt lekut shqiptar. Euro fitoi 35 qindarka kundrejt lekut dje dhe u këmbye për 138.9 lekë, sipas kursit mesatar që publikohet nga Banka e Shqipërisë. Kursi i këmbimit me dollarin qëndroi i pandryshuar në 103.76 lekë. Në tregun ndërbankar, euro u këmbye rreth kuotës 139 lekë, duke dhënë shenja se ditët pozitive për monedhën shqiptare përfunduan. Ekspertët janë duke pritur të shohin se si do të ecin planet e qeverisë për emetimin e eurobondeve me vlerë prej rreth 350 milionë eurosh nga fundi i prillit apo fillimi i majit, ndërsa edhe dalja e prodhimeve bujqësore vendase të pranverës në treg mund të ndihmojnë në stabilizimin e lekut, pasi ulin kërkesën për mallra importi.
#