E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 25-vjeçarit, u kap me 16 doza heroinë

Operacioni Rei Vinçani është arrestuar dje nga policia pasi dyshohet si furnizues i dy grupeve shpërndarës

Agjentët e Antidrogës kanë arritur të vënë në pranga një person të dyshuar si furnizues me lëndë narkotike të dy grupeve shpërndarësish në lagjet e Tiranës. Pas një vëzhgimi të gjatë në rrjetën policore ka rënë Rei Vinçani, pasi atij iu kapën 16 doza me pluhur të dyshuar si lëndë narkotike e tipit heroinë. Burime policore i thanë gazetës “Shqip” se Vinçanit iu parapërgatit gracka aq bukur sa ai nuk kishte nga të shkonte. 25-vjeçari është ndaluar në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë 21 Dhjetorit, dhe pas kontrollit iu gjetën rreth 20 gramë lëndë narkotike heroinë e ndarë në 16 porcione. Ka qenë një e dhënë e marrë në rrugë operative ajo që i çoi agjentët e Antidrogës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës tek Vinçani, i njohur prej tyre si një prej furnizuesve të shpërndarësve të lëndës narkotike në dy zona, atë të Bërrylit dhe në Rrugën e Kavajës. Policia ka përdorur ndaj tij variantin e ndjelljes, kur një nga oficerët e Antidrogës ka luajtur rolin e blerësit. Pas një kohe relativisht të mjaftueshme për dokumentimin e ngjarjes me pamje filmike dhe fotografime e përgjime, dje agjenti i Antidrogës ka dhënë sinjalin se Vinçanit tashmë mund t’i viheshin prangat se do t’i sillte atij disa doza me lëndë narkotike për t’i tregtuar në Tiranë, me kërkesën e agjentit të maskuar si shpërndarës. Kaq ka mjaftuar për ta kontrolluar dhe vënë në pranga të riun. Policia, pas arrestimit të 25-vjeçarit, ka vijuar operacionin për kontrollin e disa banesave që mendohet se ai mbante të magazinuar sasi jo të vogla të heroinës, por duket se nuk kanë mundur ta vërtetojnë këtë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›