BB: Qeveria e re të shlyej borxhet ndaj biznesit
Lvovsky: Asnjë qeveri e re nuk duhet të bëjë ulje taksash, por ulje të shpenzimeve. Biznesi: Nuk duam ndryshim në sistemin e taksimit, premtimi na u dha para zgjedhjeve
Duket se kanë qenë në të njëjtën linjë mendimi bizneset dhe Banka Botërore dje, ndërsa njëherazi i kanë kërkuar qeverisë që të shlyejë borxhin miliona eurosh që i detyrohet sektorit privat. Drejtoresha e BB-së Ksenya Lvovsky, në një fjalim përshëndetës me rastin e përfundimit të mandatit të saj 3 vjeçar në Shqipëri, i është drejtuar qeverisë së re që doli fituese nga zgjedhjet e 23 qershorit, të bëjë kujdes me shpenzimet, dhe të shlyejë sa më parë pagesat e prapambetura kundrejt bizneseve.
Biznesi
Ndërkohë po dje edhe Nikolin Jaka kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në emër të të gjithë bizneseve, i ka kërkuar qeverisë afate për shlyerjen e borxheve. “Qeveria Rama të ulet paraprakisht, të hartojë një strategji të qartë për daljen nga kriza dhe sidomos në kontekstin e shërbimit ndaj biznesit të qartësojë afatet se kur do të shlyhen detyrimet që ka Qeveria dhe buxheti i shtetit ndaj sipërmarrjes private”.
Banka Botërore
Në listën e gjatë të rekomandimeve drejtuar qeverisë së re që pritet të krijohet në shtator, drejtoresha e BB-së u ndal në përshpejtimin e reformave strukturore, por edhe një selektivitet strategjik, të atyre reformave më të rëndësishme. Ndërsa theksoi se asnjë qeveri e re nuk mund të ul taksat (vetëm nëse do të bënte shkurtime drastike), ajo kërkoi krijimin e një rregulli të ri fiskal dhe shlyerjen e të gjitha pagesave të prapambetura kundrejt biznesit. Për BB-në të paktën momentalisht Shqipëria nuk ka hapësirë për investime të reja, dhe ajo çka duhet bërë është përdorimi i shpenzimeve në mënyrë sa më cilësore. Puna e mazhorancës së re duhet të fillojë menjëherë me shlyerjen e borxheve që shteti ka krijuar me kompanitë private. Ne i rekomandojmë qeverisë së re të ngrejë një këshill fiskal dhe të fillojë marrëdhënien me FMN-në. Kjo do ta ndihmonte shumë Shqipërinë për të marrë zhvillimin e qëndrueshëm. Gjithashtu, ndër prioritetet e qeverisë duhet të jetë dhe kufizimi i borxhit publik, veçoi Lvovsky.
Rekomandimet
Por si të domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, Lvovsky veçoi edhe funksionimin e pavarur të institucioneve publike dhe depolitizimin e administratës. “Tre porositë që unë do të doja që të kishte në fokus qeveria e re janë: rritja e besimit në institucionet publike, sidomos për sa i përket transparencës dhe pavarësisë së tyre. Ruajtja e nivelit profesional dhe jo politizues i administratës publike dhe ky do të jetë një test për qeverinë e re, si dhe vijimi i reformave strategjike, sidomos ato në fushën e energjisë dhe pushtetit vendor,” tha më tej Lvovsky.
Ekonomia
Ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për ecurinë ekonomike të vendit tonë, Lvovsky tha se 2013-ta ishte një vit i vështirë për ekonominë e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit. Sipas BB-së Shqipëria gjatë kësaj periudhe pati rritje të dobët ekonomike, por sidoqoftë më të mirë se vendet e rajonit. “Ndikimet se krizës dhe recesioni janë ndjerë më shumë se më përpara. Shqipëria ka pasur probleme me huat si dhe në sektorin privat. Një numër problemesh në sektorin e energjitikës e ka përkeqësuar presionin fiskal dhe ekonomik, por vlerësimi duhet të shihet në kontekstin e gjithë rajonit. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e dobët, por ka ecur më mirë sesa vendet e tjera fqinje,” tha Lvovsky.
Riprivatizimi i CEZ
Drejtoresha Lvovsky foli edhe për kompaninë CEZ, duke theksuar së vëmendja duhet të përqendrohet te performanca e sistemit të shpërndarjes, ndërsa sa i përket një privatizimi të dytë, ajo tha se ky vendim i takon qeverisë së re. Drejtoresha Kseniya Lvosky, në mbyllje të fjalës së saj të lamtumirës garantoi se Banka Botërore do të vijojë të mbështesë me fonde buxhetin shqiptar, edhe në 4 vitet e ardhshme, duke u fokusuar veçanërisht në rritjen e punësimit.
Biznesi, Jaka : Të vendoset ‘taksa e rentabilitetit’
Sipërmarrësit kërkojnë një strategji të qartë të daljes nga kriza dhe shlyerjes së borxheve që shteti u ka kompanive private për punët publike të kryera. Detyrimi që shteti u ka sipërmarrësve privatë aktualisht kap shifrën e 220 milionë eurove. Ndërkohë duke iu referuar një prej debateve më të forta të periudhës parazgjedhore, asaj të sistemit të taksimit, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka thotë se sipërmarrja ka marrë premtimin për mosndryshim të taksës së sheshtë. Shprehim sigurinë që Rama e ka dhënë sinjalin pozitiv për mosndryshim të taksës së sheshtë apo tarifës 10 për qind për sipërmarrjen në tërësi, por kjo dakordësi apo kjo mbështetje vjen edhe nga pakti i dakordësisë që Meta ka nënshkruar me Dhomën e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit dy javë para zgjedhjeve. Ishte një pakt pas një analize të hollësishme të kërkesave tona që u pranuan edhe nga zoti Meta, që nuk do të ketë ndryshime në gjëra fondamentale që i shërbejnë biznesit”, tha dje në media Jaka. Biznesi ka propozuar vendosjen e ‘taksës së rentabilitetit’ për ato kompani që përfitojnë nga asetet publike, dhënien e produkteve apo shërbimeve monopol, në formën e privatizimeve apo lejeve të dhëna nga Qeveria, e që rrisin në mënyrë abuzive çmimet.
Braçe: Memecëve iu erdhi goja
Pas deklaratës së Jakës ka reaguar deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas tij, deri më tani Jaka dhe biznesmenët kanë heshtur për borxhet, madje e kanë mohuar se qeveria u ka pasur borxhe. E mbani mend shefin e Dhomës se Tregtisë së Tiranës? Quhet Nikolin Jaka. E keni dëgjuar ndonjëherë ti thotë Sali Berishës ndryshe nga kryeministër? Tani i thotë kryeministrit të ri, thjesht Rama. Jo vetëm kaq. Por tani kërkon me tërsëllëmë dhe paratë që Berisha ua mori borxh. E keni dëgjuar ndonjëherë të kërkojë pagimin e parave të papaguara nga qeveria e Sali Berishës? Kurrë! Nuk guxonte as ta mendonte. Kurrë nuk e dëgjova një herë të vetme në takimet e Berishës të kërkonte paratë. Por, tani i ka ardhur goja dhe kërkon edhe afate për kthimin e parave. Dy vite me radhë harxhova për tju kërkuar këtyre të dhëna për paratë që qeveria e Sali Berishës ju kishte pa paguar. Jooooo, sna ka borxh-thoshin. Ndërkohë, me paratë e tyre paguanin punët elektorale të Sali Berishës. Ja këta janë. PS bëri tu vijë goja, shprehet deputeti socialist.