E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, oferta e fituesit 19 mln euro më e shtrenjtë

 

Tre firmat e ankuara për tenderin e kartave, e kanë vlerësuar këtë proces me shkelje të rënda

Skandali, fituesi i tenderit për kartat dhe pasaportat ka një ofertë 19 milionë më të lartë

Karta e firmës "Oberthur" është 2 euro më e lirë dhe pasaporta e dhënë nga "Oberthur" është 4,2 euro më e lirë se SAGEM, ose në total, nëse përfshihet edhe kostoja 0 euro e mirëmbajtjes për pesë vite, e bën ofertën e "Oberthur Technologies & AKD", 18, 8 milionë euro më lirë se SAGEM.

Sipas raportit të bërë nga ana e firmave "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto", SAGEM nuk ka paraqitur nga 15 kopje specimenesh të personalizuara të pasaportave dhe kartave.

Skandali i tenderit të kartave të identiteti dhe pasaportave biometrike ka marrë përmasa të reja pas ankimit të bërë nga ana e firmave pjesëmarrëse. Nga ana e fotove dhe pamjeve filmike të paraqitura nga ana e tre kompanive që kanë marrë pjesë në këtë tender, bëhet e qartë se mostrat e paraqitura nga ana e kompanisë fituese SAGEM nuk plotësojnë kriteret që kërkohen në ketë tender. Nga ana tjetër, kompania që është shpallur si fituese nuk ka ofertën më të mirë ekonomike. Ligji parashikon që në zhvillimin e procesit konkurrues ka shkelje të Dispozitës 34, që thotë se, "dhënia (akordimi) i kontratës do të bëhet në bazë të ofertës më të favorshme nga pikëpamja ekonomike". Karta e firmës "Oberthur" sipas llogaritjeve të bëra në tabelën e mëposhtme, është 2 euro më e lirë dhe pasaporta e dhënë nga "Oberthur" është 4,2 euro më e lirë se SAGEM ose në total nëse përfshihet edhe kostoja 0 euro e mirëmbajtjes për pesë vite, e bën ofertën e "Oberthur Technologies & AKD", 18 751 575 euro më lirë se SAGEM. Të dhënat jepen në tabelën e mëposhtme, ku tregohen edhe ofertat e dhëna nga pjesëmarrësit në këtë tender.

***

Firmat pjesëmarrëse në tenderin e kartave janë ankuar prej ditësh tek Agjencia e Prokurimit Publik dhe Avokati i Prokurimeve, për një sërë shkeljesh dhe trajtimesh preferenciale të SAGEM. Kështu, sipas raportit të bërë nga ana e firmave "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto", SAGEM nuk ka paraqitur nga 15 kopje specimenesh të personalizuara të pasaportave dhe kartave. Kjo duket shumë qartë në videoregjistrimet dhe në fotot përkatëse që firmat pjesëmarrëse i kanë bashkangjitur apelimeve të tyre dhe që jepen edhe në fotot e mëposhtme. Madje në video shihet qartë, që vetë përfaqësuesja e SAGEM e ka pranuar këtë fakt gjatë zhvillimit të tenderit. Kjo duket shumë qartë dhe në mostrat e paraqitura nga SAGEM, ku për mostrën e pasaportës SAGEM ka dorëzuar 15 specimene të pasaportës të prodhuar nga SDU-Holandë në vitin 2004, të cilat janë materiale promocionale (standard samples) dhe nuk janë të personalizuara. Një fakt i tillë, duket edhe në fotot e mëposhtme ku në specimenet e treguar duket qartë viti 2004 i prodhimit të tyre. Pra nuk janë prodhuar specifikisht për këtë tender dhe as nuk janë personalizuar. Edhe mostrat e kartave të identitetit janë dorëzuar (15 mostra me polikarbonat) por të bardha, me chip dhe të pa personalizuara. Ndërsa 15 mostrat e dyta janë pa polikarbonat dhe të personalizuara. Kjo është shkelje e kërkesave të tenderit dhe tregon se SAGEM nuk ka mundur aspak që të sigurojë një vend ku të personalizojë plotësisht kartat, siç parashikohet nga kërkesat e tenderit me gdhendjen në laser. Një fakt i tillë duket më së miri në fotot e paraqitura më poshtë.

***

Të dhënat e paraqitura nga ana e tre firmave pjesëmarrëse në këtë tender, paraqitur në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Avokati i Prokurimeve sqarojnë se SAGEM nuk ka plotësuar "Kërkesën për Kualifikim", ku nuk ka arritur të paraqesë "Certifikatë Sigurie ISO 27000 për sistemet e menaxhimit të sigurisë së lartë", të kërkuar në kërkesën 23 të pikës 2.3. Certifikata e ISO 27000 e paraqitur i përket një shoqërie tjetër SAGEM-ORGA Gjermani, sipas animimit, me të cilën SAGEM është aksionere, por që ka personalitet juridik më vete, d.m.th., ka të drejta dhe detyrime të ndara nga vetë SAGEM. SAGEM-ORGA Gjermani nuk është pjesëmarrëse në ofertën për koncesion as drejtpërsëdrejti dhe as si shoqëri e bashkuar pjesëmarrëse në konsorcium. Sipas kompanive që kanë bërë ankimim, certifikatat e nënkontraktuesit nuk quhen dhe shkaku pse SAGEM nuk e ka ISO 27000, është i thjeshtë dhe lidhte me aktivitetin e kësaj kompanie. "SAGEM nuk është printuese dhe si rrjedhojë, printimet gjithmonë i nënkontrakton", - bëjnë të ditur kompanitë që kanë bërë ankimimin.

+++

Tenderi, mungesa të mëdha në dokumentacion

Pjesëmarrësit: Tenderi i korruptuar, do vazhdojmë denoncimin e parregullsive

Të gjitha kompanitë që kanë marrë pjesë në këtë tender dhe ato që nuk kanë mundur që të marrin pjesë në garë, kanë paralajmëruar që në fazat e para shpalljes së ofertës për aferat në këtë tender. Përfaqësuesit e kompanive kanë nxjerrë si një nga problemet më të mëdha që sollën edhe parregullsitë në dokumentacion nga të gjitha kompanitë, kohën e pakët të lënë në dispozicion me një afat prej një muaj. Kjo sipas tyre është realizuar në mënyrë të qëllimshme për të zgjedhur një fitues sipas dëshirës. Dokumentet e paraqitura nga ana e kompanive në animim bëjnë të ditur se SAGEM nuk ka plotësuar "Kërkesën për Kualifikim numër 18" në tender, ku kërkohet që "Ofertuesi duhet të jetë në gjendje të provojë përvojën e tij në ndërtimin e të paktën një qendre personalizimi plotësisht funksionale për dokumentet elektronikë të identifikimit, të tilla si pasaportat apo kartat elektronike të identitetit, me pajisje gdhendjeje laseri. "SAGEM, referuar dokumentacionit, nuk ka në veprimtarinë e tij reale një eksperience të tillë me pajisje gdhendjeje lazeri. Në referencat e SAGEM, të sjella në tender për Nigerinë, mungojnë këto përvoja.. Ndërsa në referencën për Emiratet e Bashkuara Arabe, ku SAGEM është kontraktor kryesor, nënkontraktori që ka kryer të gjithë procesin është "Gemalto" (pjesëmarrës më vete në këtë tender dhe ankimues)",- sqarohet në ankimimin e bërë për këtë tender .

***

Firmat pjesëmarrëse ankimuese, ashtu si dhe ato që nuk morën pjesë në këtë tender bëjnë të ditur se ky proces tenderimi është tejet i korruptuar, vetëm që fitues të shpallej SAGEM, i cili ka korruptuar, sipas tyre, në mënyrë sistematike specifikimet e tenderit për mbi dy vite. Nga ana tjetër sipas përfaqësuesve të kompanive që kanë marrë pjesë në këtë tender bëhet e ditur se qeveria shqiptare duhet të merrte parasysh ofertën më të mirë në këto kushte, duke kualifikuar kompaninë që kishte një ofertë 19 milionë euro më të lirë. Firmat e ankimuara për këtë tender kanë bërë të ditur se disa nga shkeljet e tjera ligjore në këtë tender janë bërë në kërkesën 117 të tenderit, ku Karta e Identitetit duhej që të përbëhet prej disa shtresash materiali polikarbonat. Ofertuesi duhet që të garantojë formimin e një trupi të vetëm dhe të pandashëm. Sipas dokumentacionit, kjo kërkesë nuk është realizuar nga ana e fituesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›