E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: “Shqipëria, vendi me nivelin më të ulët të arsimimit në rajon”



Ervin KOÇI

Banka Botërore paralajmëron se cilësia e dobët e arsimit po kërcënon rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në një raport të fundit, të posaçëm për vendin tonë, BB-ja vëren se Shqipëria ka një hendek të madh të punonjësve të arsimuar, krahasuar jo vetëm me vendet e zhvilluara, por edhe ato të rajonit. Aktualisht Shqipëria ka numrin më të ulët të popullsisë që ka kryer studimet e mesme dhe ato të larta, me vetëm 48.7 për qind, nga 62 për qind që është mesatarja e Ballkanit. Në fund të vitit 2009, mbi 51 për qind e firmave të mëdha në Shqipëri, veçanërisht eksportuesit kanë raportuar mungesën e njohurive tek punonjësit si pengesën më të madhe të tyre. Banka vëren se kjo situatë është kritike pasi këto janë firmat, të cilat janë burimi potencial i rritjes ekonomike në të ardhmen. Por edhe me këto dizavantazhe të theksuara në kualifikimin e forcës punëtore, Shqipëria jo vetëm që nuk po investon më shumë se vendet e tjera, por përkundrazi, shpenzon për arsimin dukshëm më pak se rajoni.

Statistikat
Qeveria shqiptare dha në vitin 2009 për arsimin 3.5 për qind të Produktit Kombëtar për Arsimin, nga 4.6 që është mesatarja e Ballkanit. Shpenzimet për kërkimet shkencore, janë në nivele të papërfillshme vetëm 0.2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, ose minimalisht 10 herë më pak se sa mesatarja e BE-së. Banka thotë se, qeveria ka ndërmarrë disa reforma, të cilat kanë konsistuar kryesisht në hapjen e universiteteve, ç’ka ka bërë që numri i studentëve të rritet me gati 2.3 herë, krahasuar me vitin 2003. Por ekspertët e saj thonë se, përfitimet e kësaj rritje rrezikohen nga ulja e mëtejshme e cilësisë në mësimdhënie. Kjo është hera e parë kur një raport i detajuar për ekonominë po nxjerr arsimin, si një kërcënim për rritjen ekonomike, dhe ekspertët e BB-së e shpjegojnë këtë me faktin se, “tashmë që Shqipëria i ka ezauruar burimet e lehta të rritjes, arsimi do të jetë kritik”.

Banka Botërore
Sipas Bankës Botërore, përveç nivelit të ulët të arsimimit në vendin tonë i lartë është vetëm niveli i taksave, me gjithë premtimet e qeverisë për reduktimin e tyre. Në raportin e fundit, “Të paguash taksat 2010-2011” të Bankës Botërore, jo vetëm që nuk e rendit Shqipërinë si një nga vendet me taksat me te ulëta, por përkundrazi vëren se barra fiskale është më e lartë se sa mesatarja botërore. Më saktësisht, raporti i përgatitur nga Korporata Financiare Botërore, thotë se një biznes në Shqipëri, paguan mesatarisht 40.6 për qind të totalit të fitimeve të tij, si taksa për qeverinë duke u renditur e 92-ta nga 183 ekonomi botërore për nga barra fiskale.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë zhvlerësim të lekut

Qytetarët shqiptarë duhet të përgatiten për të blerë më shtrenjtë. Në gjysmën e dytë të muajit dhjetor, ekonomistët paralajmërojnë një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit si pasoje e zhvlerësimit të lekut. Në këtë konkluzion ka dalë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, pasi ka marrë në analizë disa nga faktorët që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në forcimin e monedhës euro edhe në vendin tonë, siç janë hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave, ardhja e emigrantëve në prag të festave të fundvitit dhe kërkesa më e madhe për mallrat e importit. Për të balancuar efektet që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit, analisti i ekonomisë i sugjeron Bankës Qendrore, të rrisë kreditimin ndaj biznesit. Monedha vendase, pritet të humbasë terren në këmbim me valutën kryesore euro, pas datës 15 dhjetor. Ky fakt, është pranuar më herët edhe nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, shumë shpejt, kursi i këmbimit do të stabilizohet pasi këto janë efekte sezonale.

Borxhet e larta, thellohet kriza në eurozonë

Kriza e borxheve në eurozonë po thellohet. Euro shënoi rënie në krahasim me dollarin, në Itali u rrit shkalla e kamatës, ndërsa ka shenja se investitorët mund të tërhiqen nga ekonomitë e kërcënuara të Portugalisë dhe Spanjës. Euro ka rënë nën 1.30 dollarë sot, që shënon herën e parë që nga shtatori, për shkak të frikës se paketa e ndihmës për Irlandën nuk do t`ia dalë që të mbrojë edhe anëtaret e tjera të kërcënuara të eurozonës nga tensionet e vazhdueshme në tregjet e aksioneve.

1 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›