E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet publike, komuniteti i biznesit shpreh rezerva për Buxhetin 2011



Ervin KOÇI

Komuniteti i biznesit ka kritikuar mënyrën sesi qeveria ka planifikuar të kryejë investimet publike vitin e ardhshëm. Në një analizë që Konfindustria dhe përfaqësi të tjera të biznesit në vend kanë bërë për buxhetin 2011, ka vlerësuar se në këtë draft parashikohet pjesëzim i theksuar të projekteve që do të financohen, çka rrezikon seriozisht uljen e efektivitetit, cilësisë, rritjen e shpërdorimit të parave publike në kushtet edhe të fushatës zgjedhore të afërme. Industrialistët argumentojnë se copëtimi i investimeve publike në një numër mjaft të madh projektesh të shtrirë në gjithë hapësirën gjeografike të vendit, për më shumë në kushtet e institucioneve publike kontrolluese mjaft të dobëta rrezikon, që të pakësojë ndjeshëm efektivitetin e investimeve dhe shpërdorim të parave publike.

Projektet
Konfindustria kritikon mënyrën e vjetër të përzgjedhjes së projekteve, pa paraqitjen e vlerësimit ekonomiko-financiar krahasues përsa i përket dobishmërisë publike. Biznesi këshillon, që investimet kapitale të buxhetit 2011 duhet të rishikohen drejt përqendrimit në disa projekte të mëdha, në sektorë strategjike të ekonomisë si: turizmi, ku urgjente është mënjanimi i ndotjeve nëpërmjet ndërtimit të impianteve të përpunimit të mbetjeve të ngurta dhe të lëngëta, infrastrukturën rrugore dhe portuale në disa projekte të rëndësishme me rëndësi kombëtare të përzgjedhura jo subjektivisht, por vetëm nëpërmjet vlerësimit ekonomik-financiar. Buxheti 2011 është miratuar parimisht në parlament, por do të rikthehet në komisionet parlamentare për diskutimin nen për nen, ku do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, përfshi këtu komunitetin e biznesit.

Dhoma e Tregtisë
Ky buxhet, sipas DHTI-së, mbetet më i debatuari në historinë e financave publike moderne shqiptare, por gjithsesi miratimi i tij përbën një ngjarje për komunitetin e biznesit dhe mbarë ekonominë shqiptare. Një fakt që e bën kaq të rëndësishëm janë shpenzimet, të cilat janë gati sa një e treta e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, me 30.1 për qind. Sipas ekspertëve të biznesit, ulja e shpenzimeve operative duke shtuar vetëm ato kapitale, sidomos për infrastrukturën në ekonomi, është politika e duhur. “Jepen 360 milionë euro për rrugët në buxhetin e shtetit 2011. Kjo është një mundësi për kompanitë shqiptare të ndërtimit që të marrin pjesë në tenderët përkatës dhe të fitojnë lote ndërtimi të rrugëve publike për vitin e ardhshëm”,- thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë. Gjithashtu, fakt është edhe ulja e dy taksave, siç është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për barnat mjekësore, që e bën atë një buxhet që rrit të ardhurat, pa rritur taksat e shtetit.

Rekomandimi
Dhoma e Tregtisë thekson se gjatë rishikimit të buxhetit në korrik mund të ketë hapësira për të shtuar fondet që alokohen për programet e ndihmës së sipërmarrjeve të vogla e të mesme në Shqipëri, sidomos ato eksportuese, të cilat në buxhetin e 2011-s janë shumë të kufizuara. Sipas Dhomës, edhe sektori rural i vendit duhet mbështetur, sidomos me kredi të buta të subvencionuara nga shteti për fermerin shqiptar. Qeveria mund të rrisë edhe më tej fondin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të fermerit për vitin 2011, gjithnjë nëse të ardhurat buxhetore do të kenë ecuri pozitive.

BOX/////////////////////////////////////
Buxhuku: Rritja e energjisë, efekte negative tek bizneset

Rritja e energjisë elektrike pritet që të japë efekte negative kundrejt bizneseve dhe industrive të ndryshme në Shqipëri. Kështu është shprehur Gjergj Buxhuku, administratori i Konfindustrisë i cili ka theksuar se, ndikimi i parë do të jetë në rritjen e kostos së prodhimit dhe si rrjedhim, në uljen e konkurrencës në treg të produkteve shqiptare. Ndërsa përsa i përket buxhetit për vitin 2011 i cili u votua në parim vetëm disa ditë më parë, sipas Buxhukut, problemet qëndrojnë në mënyrën e shpërndarjes së projekteve pavarësisht se ky ishte një buxhet i madh. Konfindustria këshillon, që institucionet shtetërore duhet të vlerësojnë me kujdesin më të madh politikat e nevojshme për sigurimin e të ardhurave të parashikuara në buxhet, ndërkohë kur mbështetur në të dhënat krahasuese të deritashme rritja e parashikuar prej 5.5% e PPB-së për vitin 2011, është synim jo lehtë i arritshëm.

Shkurt////////////////////////////
Lëvizja e lirë, avionë dhe rezervime shtesë për shqiptarë

Nëse mendohej se fluksi i parë i shqiptarëve që do të udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian do të jetë më tepër në rrugë tokësore dhe detare, për shkak të kostos më të ulët të biletës, në një kohë të shkurtër pritet që dhe transporti ajror të përballojë një fluks në rritje. Në prag të liberalizimit të vizave, kompanitë ajrore që operojnë në vendin tonë kanë shtuar jo vetëm destinacione të reja, por edhe do të marrin edhe avionë shtesë. Në jo pak raste linjat ajrore që kanë destinacion Shqipërinë nuk nisen në orarin e përcaktuar. Përveç vonesave dhe stresit të shkaktuar, askush nuk dëmshpërblen konsumatorin për demin. Kreu i Aviacionit Civil, thotë se ligji në këtë pikë është i mirë rregulluar dhe ka raste specifike të dëmshpërblimit. Megjithatë, konflikte të tilla mes kompanive të transportit rrallë herë janë bërë objekt i gjykimeve në drejtësinë shqiptare. Askush nga udhëtarët nuk merë përsipër të ankimojë çështjen në gjykatë, pasi shqyrtimi i saj do të merrte shumë kohë. Ndaj miratimi dhe zbatimi i gjykatës administrative do të ishte hallka e vetme e cila do t’i jepte zgjidhje çështjeve në një kohë rekord.

Shitja e pronave në euro nuk stimulon kreditimin në lekë

Ngushtimi i diferencës së interesave mes lekut e euros e bën monedhën vendase gjithnjë e më të leverdishme, duke i shtuar dhe faktin që klienti është krejtësisht i mbrojtur nga kursi. Bankat vazhdojnë të këshillojnë klientët të marrin kredinë në atë monedhë që i kanë të ardhurat. Problemi i vetëm mbetet fakti që pasuritë e paluajtshme shiten në euro dhe kjo sjell që një individ, i cili do të marrë hua në lekë, duhet të marrë një shumë më të madhe hua për ekuivalentin në euro. P.sh., për një shumë prej 50 mijë euro që duhet t'i paguajë ndërtuesit me kredi (për 70% të vlerës së shtëpisë), ai duhet të marrë hua rreth 7 milionë lekë, me kursin e sotëm, me një interes që është minimalisht 2-3 pikë përqindjeje më i lartë se ai që do të paguante nëse do të merrte huanë në euro. Në fund të dhjetorit të vitit 2008, huaja në euro përbënte 72% të totalit të kredive të pasurive të paluajtshme për individë, sipas të dhënave nga BSH-ja. Aktualisht kjo peshë ka zbritur në 70%. Situata ndryshoi kur nga janari i vitit 2009, monedha evropiane filloi të vlerësohej me shpejtësi ndaj lekut, çka rriti këstet për të gjithë ata që kishin të ardhurat në lekë. Pjesa më e madhe e bankave e ndërprenë kredinë në euro. Gjithsesi, bankierët pohojnë se kërkesa për hua në euro vijon të mbetet e lartë. Bankat, në fakt, në përgjigje të kësaj kërkese kanë rifilluar dhënien e kredive në euro me kushte mjaft të favorshme.

30 Nentor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›