E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Shqiptarët paguajnë shumë për pensione varfëruese

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Përqindjet e kontributeve në Shqipëri janë të larta në krahasim me mesataret e kontributeve për vendet e OECD-së(Zvicër, Francë, Gjermani, Suedi, Itali, Portugali etj. Me përjashtim të dy vendeve të fundit, Italisë dhe Portugalisë, që kanë përqindje më të larta, Shqipëria ka përqindjet më të larta të kontributit në këtë grup vendesh. Sipas raportit të Bankës Botërore për sigurimet shoqërore, niveli i lartë në rastin e Shqipërisë është veçanërisht sinjifikativ duke pasur parasysh faktin që përqindjet e kontributit zakonisht rriten me mplakjen e popullsisë së atij vendi.
Krahasimi
Shqipëria ka këto përqindje tejet të larta me një popullsi ende të re. Pavarësisht uljes graduale të këtyre përqindjeve, ato sërish do të jenë të larta për një vend me moshë kaq të re. Përqindjet për Shqipërinë në bazë të treguesve janë ende të larta, por jo shumë më të ndryshme nga përqindjet e tjera për Evropën Qendrore duke qenë se secili prej këtyre vendeve është përballur me të njëjtën rënie të numrit të kontribuesve si Shqipëria.
Rrogat e larta
Sipas raportit të Bankës Botërore, thuhet se individët me të ardhura të larta kanë një nivel relativisht të ulët kthimi krahasimisht me individët me të ardhura të ulëta që përfitojnë si nga pensioni bazë rishpërndarës dhe nga aksesi në pensionin minimal.
Gratë
Në raport thuhet gjithashtu se gratë kanë nivele më të larta kthimi se burrat, sepse kanë jetëgjatësi më të madhe dhe marrin pension për një kohë më të gjatë sesa burrat për të njëjtin nivel page dhe të njëjtin nivel kontributi. Sipas treguesve, individët me të ardhura të larta marrin pensione që vlerësohen tek 25-28 për qind e pagës së tyre të fundit. Këto pensione do të paguhen përafërsisht 20 vjet. Për të marrë këto pensione këta individë kanë paguar 29.9 për qind të pagës për 40 vjet. Sigurisht që sistemi i pensioneve nuk ofron shumë për këta të punësuar. Nga pikëpamja e rishpërndarjes, pensionet në mënyrë të qartë rishpërndahen drejt të punësuarve me të ardhura më të ulëta. Ndërsa nga pikëpamja e stimujve, në rast se shumica e personave do të përfitojnë pensionin minimal, pavarësisht nga sa deklarojnë në paga apo do të përfitojnë vlera të ulëta për kontributet e pensioneve të tyre, sigurisht që ata do të zgjedhin të deklarojnë pagën minimale. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në sektorin privat. Ndërsa sektori publik punëson pothuajse 20 % më pak individë sesa sektori privat jofermer, ente shtetërore kontribuojnë mbi dyfishin e të ardhurave që kontribuojnë kompanitë private. Ndërsa sektori privat supozohet të ofrojë paga më të larta se sektori publik, mbi 50 % e të punësuarve në sektorin privat deklarojnë pagën minimale, ndërsa në sektorin publik 1 për qind e të punësuarve deklarojnë pagën minimale. Nga pikëpamja e pensioneve, qysh kur pensionet minimale u rritën më shpejt se pensionet e tjera, mbi 68 % e pensionistëve në sektorin urban marrin pensionin minimal ose më pak, ndërsa vetëm 9 % e pensionistëve në sektorin rural marrin pensione mbi nivelin minimal.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›