E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Skenarët për rritjen e çmimit të dritave

Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë e pashmangshme, nisur nga vështirësitë ku po ecën sektori. Një ndër zyrtarët më të lartë të Bankës Botërore në Tiranë, ekspert në sektorin energjetik, u shpreh se rritja e çmimit do të shërbejë për një ekuilibrim më të mirë të financave të OSSH, duke qenë se tarifa aktuale mesatare është 8.3 lekë/kW. "Nuk mund të them me saktësi se sa do të jetë rritja e çmimit. Tregu është i paqëndrueshëm, sikurse ndodh te nafta. Konsumi i energjisë varet nga kërkesa e privatit, i cili, në këto kohë krize, nuk po jep shenja pozitive. Në rastin më të mirë, çmimi i energjisë duhet të rritet me 6-8 për qind, kurse në rastin më të keq, shikojmë një nivel mbi 10 për qind", u shpreh kryeekonomisti i Bankës Botërore, Demetrios Papathanasiou. Dy skenarët e Bankës Botërore konsistojnë në shtrenjtimin e mallit "energji": e para, nëse situata energjetike në vitin 2010 do t‘i ngjasojë 2007-2008, me ulje të prodhimit të brendshëm dhe me çmime të larta importi, rritja parashikohet të jetë mbi 10 për qind; e dyta, nëse sektori përballet me kushtet e sotme, ku energjia e importit kushton dy herë më lirë dhe me sasi të konsiderueshme prodhimi, aq sa dhe te eksportohet, çmimi i dritave që do të aplikohet në janar 2010, duhet të rritet me të paktën 6-8 për qind. Qëndrimet e Bankës Botërore u shprehën dje kur Komisioni Parlamentar i Ekonomisë diskutoi për projektligjin mbi kontratën e kalimit të 76 për qind të aksioneve të OSSH-së nga shteti te CEZ. Sipas Papathanasiou, qeveria duhet të ketë kujdes shtresat e varfra në momentin kur do të vendosë për rritjen e çmimit. "Politika i takon qeverisë, rreth vendimit për të mbështetur financiarisht familjet e varfra. Rritja e çmimit duhet të jetë për dy kategori. Një tjetër fakt i rëndësishëm lidhet me nivelin e taksës së TVSH-së për faturat e energjisë. Duhet rishikuar ky nivel prej 20 përqindësh. Taksa duhet të hiqet për të aplikuar një tjetër, që nuk rëndon konsumatorin, por edhe sjell përfitime për OSSH-në", u shpreh Papathanasiou. Deputetët kërkuan sqarime të hollësishme rreth rritjes së çmimeve, duke qenë se në shumë raste, shtrenjtimi i tarifave ka rënë në kurriz të atyre që e paguajnë. "Duhet t‘i jepet fund padrejtësisë. Të gjithë duhet t‘i paguajnë dritat. Çdo para e hedhur nga investitori duhet të paguhet", u shpreh eksperti i BB-së.

Enti Rregullator do të ndërmarrë në shtator një studim të hollësishëm mbi bazën e të cilit do të përcaktohet edhe rritja e tarifave. Aktualisht OSSH-ja kontrollon vetëm 68 për qind të energjisë që hidhet në rrjet, pjesa tjetër vidhet dhe nuk paguhet. Çekët kanë marrë përsipër që brenda pesë vjetëve, përmes uljes së humbjeve, të vënë nën kontroll 85 për qind të energjisë.

Më tej, deputetët dëgjuan variantin e qeverisë rreth privatizimit të OSSH-së, të paraqitur nga zëvendësministri i Energjetikës. Miratimi i kontratës nga Kuvendi do të kryhet në ditët në vijim, pasi të jetë diskutuar marrëveshja e privatizimi në çdo detaj të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›