E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetjet spitalore u djegin licencën 15 klinikave private

Mospërmbushja e kritereve, konkretisht mungesa e një hapësire të duhur, të planifikuar enkas për eliminimin e mbetjeve spitalore, lë pa licencë aktiviteti 15 subjekte private. Konkretisht, Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, nga fillimi i vitit ka refuzuar pajisjen me licencë për 15 subjekte që kërkonin të hapnin klinika private, pasi ato nuk plotësonin kushtet për eliminimin e mbetjeve spitalore.

Mbetjet spitalore konsiderohen një rrezik potencial për pacientët dhe për jetën e banorëve përreth klinikave, për shkak të marrjes së infeksioneve të ndryshme nëpërmjet tyre, por dhe për ndotjen e mjedisit. Të gjithë personat fizikë dhe juridikë kanë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në sistemin shëndetësor, por ata duhet të plotësojnë kriteret e vendosura, që janë dhe standarde të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Rregullorja për administrimin e mbetjeve spitalore është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe përcakton të gjitha rregullat për kontrollin e prodhimit, grumbullimit, transportimit, magazinimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore. Në mbetjet spitalore përfshihen mbetje të rrezikshme, si mjetet e mprehta, me të cilat janë kryer operacionet, veshjet gjatë operacioneve, shiringat, mbetjet e trupit, gjaku. Mbetjet spitalore, edhe sot mbeten problematike për spitalet e mëdha, të cilat jo vetëm që kanë hapësirën e nevojshme, por edhe infrastrukturë për eliminimin e tyre. Premtohet se kontrollet e inspektorëve do të intensifikohen në muajt në vijim, duke u përqendruar dhe në plotësimin e kushteve higjieno-sanitare të ambienteve të ushtrimit të aktivitetit të tyre. Sipas burimeve, ndaj të gjithë spitaleve, duke përfshirë dhe klinikat mjekësore, në rast të konstatimit të shkeljeve të rregullores "Për administrimin e mbetjeve spitalore" do të merren masa me gjobë, deri në heqje të licencës, në rast se nuk plotësojnë kriteret për eliminimin e mbetjeve spitalore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›