Moti i keq, 7 komuna mbesin pa drita
Të paktën shtatë komuna në rrethin e Korçës kanë mbetur për disa orë pa energji elektrike. Shkak për këto defekte, sipas OSSH-së, është bërë moti i keq dhe era e fortë që ka përfshirë juglindjen e vendit në dy ditët e fundit. Kjo situatë ka bërë që të ketë defekte të shumta në sistemin furnizues me energji dhe kryesisht në zonat malore. Kanë qenë disa fshatra që janë përballur me errësirën për disa orë rresht nga rrëzimi i telave dhe shtyllave të tensionit. Defektet në sistemin elektrik sipas të dhënave nga OSSH-ja kanë prekur një sërë fshatrash të komunave të: Voskopojës, Dardhës, Leskovikut, Poncarës, zonat e Mokrës, të Çlirimit dhe Liqenasit, ku janë konstatuar edhe defektet më të rënda. Burime pranë kësaj drejtorie kanë bërë të ditur se është punuar nga brigadat e gatishmërisë, megjithatë defektet në rang qarku kanë qenë të shumta. "Grupe pune janë shpërndarë në të gjitha fshatrat ku janë konstatuar shkëputje të energjisë elektrike dhe ku ka pasur avari të ndryshme dhe defekte në linjat përkatëse. Sipas OSSH-së në rang qarku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar të paktën 140 raste të defekteve, pjesa më e madhe e të cilave kanë dashur edhe ndërhyrjen përgjatë gjithë ditës për shkak të përsëritjes së tyre nga era e vazhdueshme", pohojnë burimet e OSSH-së. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se është punuar nga ekipet e punës pa ndërprerje pas marrjes së konfirmimit nga zonat për defektet në linja. Në shumë raste ka pasur edhe shkarkime dhe bashkim të telave, të cilat janë përballuar nga shërbimi elektrik. Defektet kanë ndodhur gjatë natës nga era e fortë dhe gjatë mëngjesit është raportuar për ndërprerje të energjisë gjë që ka çuar në ngritjen e strukturave për ndërhyrjen në linja. Në pjesën më të madhe të fshatrave, situata është normalizuar, ndërkohë që sipas OSSH ekipet janë ende në gatishmëri për shkak të motit të keq.