E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi "Shtraus", fytyra e re e "Xhamllikut"

Me një vlerë prej 24.935.760 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës është mundësuar rikualifikimi urban i sheshit "Shtraus", i njohur ndryshe si "Xhamlliku". Sheshi "Shtraus" ndodhet në pjesën lindore të Tiranës, përgjatë aksit të rrugës "Qemal Stafa", në kryqëzimin e saj me rrugën "Hoxha Tahsim". "Tirana me shumë qendra është një ide e vjetër, por që sot po fillon të gjejë shtrirje në realitetin e kryeqytetit, ku kemi tashmë një qendër të re, të një zone e cila e kishte të domosdoshme këtë hapësirë të gjerë publike dhe këtë pikë të përbashkët referimi", tha dje kryebashkiaku Edi Rama. Ai theksoi se ky projekt i jep një cilësi tërësisht të re kësaj zone, u jep një pikë të re referimi të gjithë komunitetit dhe transformon edhe vlerën e të gjithë këtyre banesave, hapësirave të biznesit rreth e rrotull. "Kjo është një arritje e përbashkët me të gjithë këtë komunitet dhe ky projekt është rezultat i dëgjesave publike dhe një mbajtje shënim e një kërkese të komunitetit, për të pasur këtu një nga qendrat që do të përbëjnë rrjetin e Tiranës policentrike", vuri në dukje Rama. Pjesa qendrore e këtij sheshi do të shërbejë kryesisht për t‘u dhënë mundësi banorëve të zonës të çlodhen e të kenë hapësirën e tyre të nevojshme të pushimit, ndërkohë që pjesa veriperëndimore është konceptuar si një zonë pedonale. Pemët dhe stolat e vendosura rreth tyre, janë menduar të krijojnë një oaz pushimi për banorët në ditët e nxehta të verës. Kumbulla e kuqe është zgjedhur si pema dekoruese e këtij sheshi ndriçimi, veç trotuareve dhe rrugëve do t‘i shërbejë edhe platformës së mbjellë me pemë, duke bërë që sheshi të jetë po aq i gjallë edhe gjatë mbrëmjes. Në pjesën pedonale janë vendosur ndriçues të ulët. Ka përfunduar edhe ndërhyrja në fasadat ekzistuese të objekteve rreth sheshit "Shtraus", që plotëson imazhin tërësisht të rehabilituar të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›