E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Vlerësuam ligjet, por jo zbatimin e tyre

Autorët e raportit “Si të bësh biznes 2009”, që e rendiste Shqipërinë ndër 10 vendet me reformat më të mira, kanë deklaruar se vlerësuan ligjet, por jo zbatimin e tyre.

Autorët e raportit “Si të bësh biznes 2009”, të publikuar nga Banka Botërore, kanë mbërritur në Tiranë për të shpjeguar rezultatet e arritura nga Shqipëria, me qëllimin për t’i dhënë publikut një lexim sa më të drejtë të tyre.

Një nga pikat më të debatuara në publik është ajo nëse Shqipëria i ka bërë këto përparime vetëm në letra dhe në miratimin e ligjeve të mira, apo është duke i vënë në praktike ato.

“Përpara se të përfshijmë një ligj në raport, ne kontrollojmë nëse ky ligj zbatohet, apo është i zbatueshëm”, ka deklaruar Penelope Brook, drejtoreshe e analizave në BB.

Por, publikimi i raportit dhe rezultatet e Shqipërisë kanë hapur së fundmi një tjetër debat mes ekspertëve. Atë që ka të bëjë me dilemën nëse është më mirë të shkurtohen më shumë procedura, çka mund të cënojë zbatimin e ligjit apo të mbahen më shumë procedura, të cilat garantojnë mbrojtje për konsumatorët.

Në këtë pikë, shefja e Bankës Botërore në Tirane, Camille Nuamah ka dashur të bëjë një saktësim. “Unë nuk dua të jetoj në një ndërtesë në Tiranë që nuk është certifikuar nga rreziku i tërmeteve. Pra, duhet kontroll dhe siguri, pastaj lehtësimi për biznesin”, ka pohuar Nuamah.

Raporti “Si të bësh biznes 2009” e renditi Shqipërinë si një nga 10 ekonomitë më reformatore të këtij viti, çka u komentua nga qeveria me një optimizëm mjaft të madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›