E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi fal ARMO-n

Kuvendi i dorëzoi dje kompaninë ARMO, blerësit të ri Amra OIL sh.a, duke votuar me votat e mazhorancës kontratën e shitjes. Opozita abstenoi ndaj këtij akti, ndërsa u shfaq shumë e vakët për të mbrojtur shitjen e njërës prej pasurive të mëdha të vendit në mënyrë të dyshimtë. Mazhoranca, është përpjekur që ta fusë diskutimin në hullitë e sabotimit të shitjes, duke lënë mënjanë edhe një fakt krejt skandaloz, atë të ndryshimit të shifrës së investimit sy për sy. Kështu, në mesditë Kuvendi miratoi në seancë plenare projektligjin “për miratimin e kontratës së shitjes së 85% të aksioneve të ARMO sh.a, ndërmjet ministrisë së Ekonomisë dhe blerësit Amra OIL sh.a dhe konsorciumit Refineri Associates of Teksas Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited.

Çmimi i shitjes së 85 % të aksioneve të ARMO sh.a. është 128,750,000 euro. Konsorciumi i ka dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës një garanci kontrate prej 20% të çmimit. Në bazë të kontratës, tre shoqëritë anëtare të konsorciumit janë përgjegjëse solidare për pagesën e çmimit të blerjes, zbatimin e Biznes-Planit, si dhe për përmbushjen e të gjitha garancive të tjera të shitësit në kontratën e shitjes së aksioneve.

Edhe pse kishte deklaruar që do të investonte 240 milion euro, tashmë në kontratë kjo kompani do të investojë 240 milion dollarë, jo pak, por 100 milion dollarë më pak. Deputetë të opozitës gjatë debatit në kuvend kërkuan sqarime nga ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, lidhur me kontratën e privatizimit, që ka të bëjë me investimin prej 240 milion dollarësh të kompanisë, duke pretenduar se qeveria po abuzon me monedhën me të cilën është shprehur ky investim, pasi të gjithë zërat e tjerë të kontratës janë të shprehur në "euro". Ministri Ruli gjatë shpjegimit të tij u shpreh se konsorciumi, i cili fitoi të drejtën e privatizimit të 85% të aksioneve kishte shifrën më të lartë të investimit nga të gjitha kompanitë e tjera të afruara. Por kompania e dalë e dyta në tender, pretendon se ajo ka shifrën më të madhe të investimeve, dhe kjo shifër është shpërfillur qëllimisht nga drejtuesi i tenderit, zv/ministri Neritan Alibali.

Gazeta ka botuar një seri shkeljesh që janë bërë gjatë këtij tenderi. Më poshtë ato vijojnë të përmbledhura, ndërsa botohet sot dhe një memorandum i përfaqësuesit ligjor të kompanisë që ka dalë e dyta në tender, drejtuar prokurorisë së Tiranës. Kjo e fundit ka nisur hetimet ndaj dy padive që janë ngritur për këtë çështje, ndërsa në sfond duket dhe një e tretë, ajo për depozitimin e një garancie false nga konsorciumi fitues.

Shkeljet e tenderit për blerjen e ARMO

- Procedura e tenderit është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, përfshirë këtu edhe VKM nr. 82, datë 03.02.2008 që miraton instruksionet e zhvillimit të tenderit.

Të bind për këtë qëllim dhe përpjekja e bërë nga qeveria për të mbuluar shkeljet duke paraqitur gënjeshtra në relacionin shoqërues. Në faqen e 2-të të relacionit, në pikën 2, thuhet se Konsorciumit që është shpallur fitues iu kërkuan sqarime të hollësishme dhe konkrete për veprimtarinë në fushën e rafinimit. Po të lexosh shkresën me nr. 4894/9, prot. datë 28.05.2008, të firmosur nga Neritan Alibali, këtij konsorciumi jo vetëm i janë kërkuar sqarime lidhur me eksperiencën në fushën e rafinimit, por dhe i është kërkuar që të heqë dorë nga kushtet që ka vendosur në ofertë, gjë që praktikisht do të thotë krijimi i një oferte të re, pasi janë hapur ofertat e gjithë konkurrentëve të tjerë. Në faqen e 3-të të relacionit thuhet se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u ka sqaruar shoqërive se ai ka mandat të vlerësojë ofertën vetëm në rast se ajo përputhet me kriteret e VKM nr.82, datë 03.02.2008, pa pranuar kushtet e paraqitura nga këta kandidatë. Kjo është gënjeshtër e hapur. Ky komision këtë ia ka kërkuar vetëm konsorciumit të shpallur fitues duke i kërkuar atij që të heqë dorë formalisht nga kushtet e paraqitura. Kjo është shumë e qartë po të shikosh letrat që ky komision u ka dërguar shoqërive të tjera pjesëmarrëse.

- Fituesi nuk ka në përbërje një partner strategjik dhe kjo është shumë e qartë nga gjithë dokumentacioni i paraqitur. Së dyti oferta e paraqitur nga ky subjekt ishte e papërputhur me VKM nr. 82, pasi përmbante pagesë me këste dhe shumë kushte të tjera që nuk tregohen nga ana e Ministrisë e Qeverisë. Si i tillë ky subjekt duhej të ishte skualifikuar. Ndryshimi i dukshëm i shifrës së investimeve nga 240 milion euro në ditën e tenderit në 240 milion dollarë në kontratë përbën një shkelje tjetër të dispozitave ligjore. Z. Alibali u përpoq ta trajtonte si gabim njerëzor, por nuk është i tillë. Në dokumentet e tenderit ishte përcaktuar qartë se oferta dhe të gjitha shifrat e tjera duhej të ishin në euro. Nga ana tjetër me shifrën 240 milion euro këtij subjekti iu dhanë pikët maksimale për plan biznesin.

- Lidhja e kontratës është bërë në kundërshtim me dispozitat e VKM nr. 82, datë 03.02.2008. Sipas këtij vendimi kontrata duhej të ishte lidhur jo më vonë se 60 ditë nga data e shpalljes së fituesit. Shpallja e fituesit është bërë me VKM nr. 867, datë 18.06.2008 dhe afati i fundit i lidhjes së kontratës ishte 17 gushti 2008. Përpjekjet e Qeverisë për të justifikuar vonesën në relacionin e paraqitur janë mjerane dhe aspak profesionale. VKM nr. 82 në pikën 3.1 përcakton afatin shprehimisht pas shpalljes së fituesit dhe jo pas datës së njoftimit që mund të dërgojë kur t’i mbushet mendja Alibalit. Mbas datës 17 gusht 2008 çdo nënshkrim kontrate me subjektin e shpallur fitues është krejtësisht i paligjshëm dhe dënohet si vepër penale. Kontrata është nënshkruar me 22 gusht 2008, pra 5 dite pas afateve ligjore. Shkelja e afateve nuk erdhi si pasojë e negociatave të shumta, pasi komisioni i ngritur për këtë qëllim bëri me sukses pushimet verore, por ai erdhi si pasojë e paaftësisë së subjektit që të plotësojë kërkesat minimale të tenderit.

- Vetë kontrata e nënshkruar ka shkelje të shumta ligjore si nga ana formale e ajo materiale.

- Në kontratë si palë blerëse paraqitet tashmë “AMRA” SH.A., një shoqëri shqiptare e krijuar në korrik 2008 (rreth dy muaj pas tenderit) ndërsa pjesëmarrësit në konsorcium (Refinery of Texas, Anika Enterprises dhe Mercuria Group) nuk dihen çfarë statusi kanë. Kjo do të thotë se aksionet do të shkojnë në emër të AMRA-s dhe jo në emër të pjesëmarrësve në tender sipas përqindjeve që ata kanë. Jo vetëm kaq, por AMRA, si shoqëri e pavarur mund të ndërrojë në çdo kohë pronësinë e aksioneve të saj dhe në një ditë mund ta shohim sektorin tonë strategjik në duart e kujtdo.

- Në kontratë Mercuria Energy Group Limited, pjesëmarrësi që paraqitet si më potent në këtë bashkim na rezulton nga Qipro. Por më e keqja, që nuk duhej ta kishte lejuar noteri, se Ministria e Qeveria nuk po e bëjnë këtë gjë, për këtë subjekt nuk ka asnjë të dhënë, as seli, as drejtues dhe asgjë. Të dhënat janë pasqyruar për përfaqësuesin e tij, por ligjërisht detyrimet kontraktore nuk shkojnë për përfaqësuesin, por për të përfaqësuarin. Ku do ta kërkojë nesër Ministria apo Qeveria Mercuria-n e Qipros nëse nuk respektohet kontrata?

- Në pikën 8.3 të kontratës, në paragrafin e fundit shprehet tekstualisht se blerësi ka të drejtë që të transferojë një pjesë apo të gjitha aksionet tek një bankë financuese për qëllime sigurie e zbatuese. Që këtu është shume e qartë se blerësi nuk ka gjendje financiare për të bërë pagesën e menjëhershme, prandaj qeveria i ka bërë privilegjin konsorciumit fantazëm që të marrë kredi duke vënë si kolateral kompaninë ARMO, pra Ministria e Qeveria pranojnë që aksionet e shtetit të vihen (akoma pa u blerë) garanci në banka. A kanë menduar ndonjëherë se në çfarë situatash mund ta fusin shtetin shqiptar me të tilla aventura?

- Garancia prej 25 milion euro është lëshuar nga Raiffeisen Bank, Tiranë dhe nënshkruar nga Sonila Bllaci, Drejtore e Transaksioneve, e cila bën pjesë në kategorinë B të punonjësve të kësaj banke, kategori që nuk ka kompetencë të firmosë dokumente detyruese për bankën pa pasur dhe një nënshkrim tjetër të kategorisë A. Kjo është kërkesë e instruksioneve të Bankës së Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por në dokumentet e konsulentit ndërkombëtar Patton Boggs, lidhur me nënshkrimin e garancisë thuhet se nënshkruesi i garancisë duhet të paraqiste dokumentet e vlefshme për autorizimin e nënshkrimit. Në asnjë rast ministria nuk duhej të kishte nënshkruar kontratën pa qenë e siguruar për këtë gjë.

- Po të shqyrtosh dokumentet e paraqitura nga Qeveria kupton menjëherë se blerësi nuk është investitor strategjik. Vetëm nga data e ofertës në datën e nënshkrimit të kontratës, duke bërë ndryshimin nga 240 milion euro ne 240 milion dollarë, nga investimet hiqen afërsisht 100 milion dollarë. Në favor të kujt kanë shkuar këto? Parashikohen të investohen gjithsej 240 milion USD, e ndarë kjo për 6 vite. Në vitin e parë parashikohen gjithsej 46.6 milion dollarë dhe nga këto vetëm 33 milion dollarë parashikohen të shpenzohen për rafineritë, për desulfurimin, energjinë. Pra kemi vetëm përmirësime të thjeshta dhe aspak teknologji të re, asnjë strategji zhvillimi. Rafineritë tona, të ndërtuara 30 vite më parë, e me teknologji kineze, kanë nevojë për investime kapitale, për përmirësime të ndjeshme teknike e teknologjike të cilat nuk mund të realizohen me shumat e parashikuara në këtë plan biznes. Rafineria e Ballshit ka nevojë për investime të ndjeshme, jo vetëm në repartin e desulfurimit, por dhe në gjithë repartet e tjera, të distilimit primar, të benzinës, të koksit etj. Vetëm investimet në Tec-in e Ballshit, nëse parashikohet të vendosen 4 kaldajat e reja arrijnë në mbi 10 milion euro përfshirë këtu dhe investimet për pastrimin e shkarkimeve në atmosferë. Në plan-biznesin e propozuar këto investime janë vetëm 6 milion dollarë apo vetëm 4.2 milion euro. Për rafinerinë e Fierit janë parashikuar vetëm 3.4 milion dollarë ose 2,4 milion euro pothuajse aq sa investon vetë ARMO aktualisht.

Investimet e viteve të tjera janë vetëm në potencë pasi janë të paspecifikuara dhe askush prej blerësve nuk ka ndër mend që të investojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›