Biznesi kundër kryeministrit për cilësimin e punës së zezë, vepër penale
Nuk ka asnjë vend në botë, pavarësisht nivelit të informalitetit në ekonomi, që të ketë cilësuar vepër penale punën e zezë. Puna e zezë gjithkund është gjykuar si një kundravajtje dhe kaq. Konfindustria tha dje gjithashtu se nisma për trajtimin e punës së zezë si vepër penale ndërmerret edhe në kushte të jashtëzakonshme pasi vendi është në kushtet e një papunësie mjaft të lartë, informaliteti është mjaft i zgjeruar dhe sistemi i drejtësisë është i dështuar. Konfindustria tha se edhe autoriteti i shtetit nuk ushtrohet në të njejtën shkallë e menyrë në gjithë hapësirën gjeografike të vendit dhe kjo është një tjetër arsye pse qeveria nuk duhet assesi ta cilësojë punën e zezë vepër penale. Konfindustria iu kërkoi dje vendimmarrësve politikë që për të arritur formalizimin e tregut të punës dhe ekonomisë në përgjithësi, të ulë taksën e punës dhe të rrisë shkallën e dënimeve për subjektet, por jo dënime penale. Më e rëndësishme, tha Konfindustria, është trajtimi i të gjitha bizneseve njëlloj dhe veprimi i ligjit në të gjithë vendin duhet të jetë i njëjtë. Dy ditë më parë kryeministri Berisha tha se punësimi në të zezë i punonjësve nga bizneset do të cilësohej vepër penale dhe të gjitha bizneset do të dërgoheshin në prokurori për këtë vepër. Ai i kërkoi ministrit të Drejtësisë të hartonte projektligjin, i cili më pas do të kalojë në qeveri dhe në parlament. Numri i të punësuarve në sektorin privat, jo bujqësor, në vend llogaritet në rreth 450 mijë syresh dhe nga këta të regjistruar janë 300 mijë. Më shumë se 40 për qind e të punësuarve në sektorin privat janë të paregjistruar dhe duket se kjo shifër e jashtëzakonshme pas tre vjetësh qeverisjeje ka detyruar kryeministrin të ndërmarrë masa ekstreme për ta mpakur këtë shifër.