BBA: Përmbledhje ditore

Banorët fillojnë të zgjohen me përtesë edhe pse ka kohë që janë ndezur dritat dhe në sfond është vendosur si zakonisht muzika. Një pjesë e tyre janë zgjuar me humor mjaft të mirë dhe sapo çohen, nisin të kërcejnë, të këndojnë dhe të bëjnë lojra të ndryshme mes njëri-tjetrit.
Në këtë mëngjes nisin edhe thashethemet, mjaft herët. Iliri shkon pranë shpendit dhe fillon që t’i rrëfejë atij për ato që ndodhen gjatë natës. Ai i tregon se si vuri në lojë Etlevën dhe banorë të tjerë të shtëpisë, duke u thënë atyre se disa personalitete të politikës shqiptare, apo aktorë, gazetarë etj, ishin këngëtarë.
E ndërsa ai tregon, Shpendi qesh dhe aty vjen edhe Xhimi i cili është bashkautor me Ilirin në talljen e banorëve.
Ndërkohë që tashmë janë zgjuar të gjithë dhe po merren me punët e tyre personale të mëngjesit dhe përgatitjen e ushqimit.
Banorët ndodhen në dhomën e ndenjes dhe teksa bisedojnë, shkëmbejnë shaka të ndryshme. Olta qesh me Xhimin dhe ndërsa bëjnë shaka edhe banorët e tjerë që ndodhen aty qeshin me shakatë dhe lojrat e tyre.
Në një moment Olta ngacmon Elonën për mënyrën se i ajo mban mikrofonin dhe të tjerët qeshin. Marselini ndërhyn duke iu drejtuar Oltës me shaka “edhe ty Olta të shkon shumë mikrofoni”. Olta i përgjigjet “s’ka ç’të duhet ty”.
Marselini shtanget nga përgjigjia e saj dhe i thotë “ç’pate? Pse mu përgjigje ashtu?”, por Olta tregohet mjaft indiferente dhe nuk i kthen përgjigje. Pas disa minutash Marselini i flet përsëri Oltës për t’u përfshirë në shakatë e saj me banorët e tjerë, por Olta e injoron totalisht prezencën dhe fjalët e tij dhe vazhdon të flasë me pjesën tjetër, njësoj sikur Marselini të mos ishte fare aty.
Pas kësaj Shpendi, Xhimi dhe Elona dalin në oborr dhe të tre komentojnë sjelljen e Oltës ndaj Marselinit. Ata thonë se Olta reagoi në atë mënyrë sepse Marselini ka dëshirë që të përfshihet në çdo bisedë e shaka, të bëjë komente në çdo moment. Ata thonë se pavarësisht tipit që ka, reagimi i Oltës e vuri në pozitë të vështirë Marselinin.
Shpendi, xhimi, Iliri dhe Arsimi kanë dalë në oborr për të pirë kafe e cigare. gjatë kësaj kohe ata fillojnë të bëjnë thashetheme për banorët e tjerë. Fillimisht ata flasin për Etlevën dhe ndajnë mendimin se ajo është e padjallëzuar dhe si e tillë, nuk mund ta përballojë lojën në Big Brother. megjithatë ata e vlerësojnë Etlevën si vajzë, por mendojnë se ajo është e vogël për t’u përballuar me ta. Shpendi thotë se Etleva ndërhyn shumë në debate dhe sidomos, Anaidi e Marselini po e sulmojnë. Xhimi nga ana tjetër thotë se ata i kanë ndenjur pranë Evës duke e trajtuar si një motër të vogël.
Më pas ata fillojnë të flasin edhe për banorë të tjerë. Ndër të tjera Iliri fillon që të tregojë për bisedën që pati me Joanën. “Joana më tha, Iliri a mund të flasim” thotë Iliri dhe tre djemtë e tjerë shprehen të habitur nga kjo gjë. Iliri tregon se Joana i ka thënë se ajo i ka kërkuar falje për debatin e fortë që pati me të.
Xhimi e pyet Ilirin se përse Joana ka pasur këtë reagim ndaj tij dhe Iliri ripërsërit ato që i ka thënë Joana gjatë bisedës së tyre. ndër të tjera ai thotë “ajo priste që unë t’i thoja, edhe unë të kërkoj falje”.
Xhimi thotë një shprehje “ishte e mërkurë dje”, dhe më pas shton me ironi “e, po afrojnë ditët”. Në këtë mënyrë ai lë të kuptohet se Joana është afruar me Ilirin sepse po afron e shtuna dhe duke qënë se janë 8 banorë në nominim, një prej tyre mund të jetë ajo. Më pas ata fillojnë të bëjnë shaka e të flasin për gjëra të përgjithshme.
Një pjesë e banorëve kanë dalë në oborr dhe bisedojnë për tema të ndryshme. Në dhomën e ndenjes ndodhet vetëm Marselini dhe Elena. Aty është edhe Iliri, por ai është shtrirë dhe po përpiqet që të flejë. Marselini fillon që ta ngacmojë, por Iliri mundohet që të mos i kushtojë rëndësi atyre që thotë ai, por të flejë.
Marselini gricet me Ilirin duke u munduar që ta zgjojë dhe i thotë që të shkojë të flejë në dhomën e gjumit. Iliri i bën të ditur që ta lërë të qetë sepse do të flejë, por Marselini vazhdon më tej. “Çohu dhe shko andej se do ulemi të gjithë aty… ka rregulla këtu” i thotë Marselini Ilirit, por ai nuk i përgjigjet.
Marselini i kërkon që të shkojë në dhomën e gjumit, duke i folur gjithnjë e me më shumë ashpërsi. Ai mundohet që ta zgjojë duke i thënë se nuk është normale që ai të flejë në sallon, por Iliri ka mbuluar kokën dhe bën sikur nuk dëgjon.
Aty ndodhet edhe Elena e cili i shkon pranë Ilirit dhe e zgjon, por Iliri kthehet në krahun tjetër duke mos u dhënë rëndësi asnjërit prej tyre. /Indeksonline/