BBC: Dërgesat e emigrantëve do të bien
Kombet e Bashkuara deklarojnë se presin që remitancat apo dërgesat e emigrantëve të bien në shifrën e 5% deri 8% këtë vit, pas rekordit që shënuan në vitin 2008. Konferenca e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim tha se emigrantët kanë dërguar vitin e kaluar në shtëpi 305 miliarda dollarë, përkundër krizës ekonomike globale. Por gjithashtu u bë e ditur se pas rreth tetë vitesh të rritjes së vazhdueshme, remitancat tashmë janë në rënie. Ndërkaq nga një studim i kryer nga BBC, vihet në dukje pasojat dramatike që rënia globale ekonomike ka patur mbi emigracionin ndërkombëtar. Rënia globale ekonomike ka prekur pjesën më të madhe të personave në mbarë botën, në një mënyrë apo një tjetër dhe këtu përfshihet, siguria e vendeve të punës, vlera e shtëpive apo e kursimeve personale. Një grup njerëzish që kanë qenë veçanërisht të ekspozuar janë punëtorët emigrantë në të gjithë botën. Sipas raportit të BBC-së, punëtorët emigrantë u dërgojnë më pak të holla familjeve të tyre si rezultat i rënies ekonomike me përmasa globale. Historitë janë të ndryshme, por megjithë mungesën e vendeve të punës, raporti, që u ndërmor si pjesë e sezonit të BBC-së 'Pas tronditjes' thotë se emigrantët po mbeten në përgjithësi aty ku janë, nuk po ecin përpara dhe as po kthehen në vendin e tyre. Sipas studimit të BBC-së, kjo ndodh ndoshta për shkak se kushtet në vendet e tyre janë më të këqija se sa në vendet ku punojnë.