E Diel, 1 Nëntor 2026

BDI: Kemi fituar në shumicën e komunave ku garuan shqiptarë

SHKUP-BDI shpalli sot në mbrëmje fitoren në gjithë komunat ku garojë shqiptarët.

Kështu fitorja e BDI, sipas zëdhënësit të kësaj partie, Bujar Osmani, rezultoi në komunën e Çairit dhe në komunën e Vrapçishtës. Osmani theksoi se BDI në epërsi të madhe është në komunën e Tetovës me mbi 4700 vota.

“Në epërsi edhe në komunën e Gostivarit, por ju lus që të keni durim që të arrijnë rezultatet dhe t’i shpallim para jush”, theksoi Bujar Osmani.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) bëri të ditur se është në epërsi në të gjitha nëntë komunat ku garojnë shqiptarët.

Po kështu BDI shpalli fitoren në Haraçinë dhe Tearcë.

“Sa i takon rezultatit të zgjedhjeve, ne jemi në proces të numërimit të votave, por gjithandej ku janë numëruar votat, BDI është në epërsi në të gjitha komunat ku garojnë”, theksoi Bujar Osmani.

Ai vlerësoi se zgjedhjet kanë qenë të ndershme dhe demokratike dhe se kjo është meritë e këtij subjekti politik që është pjesë e institucioneve.

“Këto zgjedhje janë fitore e demokracisë, të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, zgjedhje me standarde të larta demokratike, ku u shpreh vullneti politik i qytetarëve. Kjo ishte me shumë rëndësi dhe para rezultateve tona partiake, dhe qëllimi ynë ishte që të krijohet një standard i zgjedhjeve demokratike”, theksoi Bujar Osmani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›