E Shtunë, 31 Tetor 2026

BDI pohon: Në epërsi në Tetovë, Çair, Pllasnicë...

(E plotësuar) Partia Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI ka informuar për epërsi në rundin e parë në komunat Çair, Tetovë, Pllasnicë, po dhe në shumë komuna tjera. “Nuk mund të konstatojmë se cili do jetë epilogu, ato vërejtje do konstatohen dhe verifikohen në dokumentacionin dhe numërimin që bëjnë vëzhguesit, ku dhe do të na informojnë për këtë”, tha zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani nga selia e kësaj partie në Tetovë.

Ai tha se ende nuk kanë informacione preliminare për Kërçovën, njëjtë edhe për qytetin e Strugës, prej nga priten informacione shtesë të të dhënave nga shtabet zgjedhore komunale.

---

Në ora 19.00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet gati në mbarë vendin, me përjashtim të vendvotimeve ku akoma qytetarët presin për të votuar.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka informuar se në bazë të dhënave paraprake nuk janë regjistruar incidente dhe parregullsi gjatë procesit të votimit.

KSHZ pritet që më vonë të dal me raportin e ri të jehonës së votuesve, duke llogaritur votimet deri në ora 19.00.

---

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov dhe liderët e partive politike shfrytëzuan të drejtën e votës dhe bënë apel për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Ata shpresojnë se qytetarët me votën e tyre do të kontribuojnë për të mirën e tyre.

“Sot është dita kur qytetarët e japin votën e tyre për atë tek i cili kanë më tepër besim, e japin votën për ata për të cilët mendojnë se më së tepërmi mund të kontribuojnë për to dhe të afërmit e tyre në vendet ku jetojnë. Pres që edhe këto zgjedhje të kalojnë si është më së miri dhe në mbrëmje t’i urojmë fituesve, atyre që janë më të mirë dhe atyre që e kanë merituar besimin”, u shpreh Presidenti Gjorge Ivanov, transmeton zhurnal.

Kryeministri dhe njëherësh lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski pret që qytetarët në numër të madh ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ai bashkë me bashkëshorten e tij votoi në vendvotimin në shkollën fillore në Shkup “Kuzman Josifovski – Pitu”.

“Pak më parë e shfrytëzova të drejtën time për të votuar dhe nga ajo që mund ta vërej deri më tani votimi po zhvillohet në atmosferë fer dhe demokratike. Nuk ka incidente më serioze ose probleme më të mëdha. Të paktën deri në orën 14,30 punët po zhvillohen mirë, fer dhe demokratike, pa probleme më serioze”, deklaroi lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se pret që zgjedhjet e së dielës të përfundojnë pa probleme dhe në mënyrë demokratike që ato të jenë të pranueshme për të gjitha subjektet politike që garojnë.

“Do të doja që të gjithë fitimtarët në këto zgjedhje që do të thotë kryetarët dhe këshillat e komunave, të përmbushin premtimet dhe obligimet që kanë ndaj qytetarëve. Sigurisht që deri më tani informacionet që unë kam është duke u zhvilluar një proces shumë i mirë zgjedhor. Mendoj që ky zhvillim deri më tani është kontribut i të gjitha palëve në garë sepse të gjitha palët janë të interesuara për mbarëvajtje të procesit” , tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski sot e realizoi të drejtën e votës. Ai tha se pret që dita zgjedhore të kalojë qetë dhe pa asnjë incident, dhunë dhe pa asnjë parregullsi zgjedhore.

“Shpresoj se qytetarët në Maqedoni masovikisht do të dalin në vendvotime dhe do ta realizojnë të drejtën e tyre, por edhe do ta përmbushin vullnetin qytetar dhe sipas bindjeve personale dhe pa asnjë lloj presionesh apo kërcënimesh do ta japin votën e tyre për atë opsion për të cilën vlerësojnë se është më e mirë”, theksoi Cërvenkovski.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk arriti të jap votën e tij sot në Tetovë, pasi që siç tha, emri i tij nuk figuronte në listën e votuesve në vendvotimin në Kopshtin e vjetër në Tetovë. Ai ka pritur që familja e tij e ngushtë të shfrytëzojë të drejtën e votimit dhe më pas është shfaqur para medieve duke deklaruar se i është hequr e drejta e votimit.

Kurse Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani votoi në vendvotimin në Shkollën fillore “Çajla” në fshatin Çajlë të Gostivarit. Në vendvotim erdhi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ndërsa për ta përshëndetur kishin dalë shumë bashkëfshatarët tij.

“Uroj që këto zgjedhje të jenë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë të drejtë të shprehin bindjet e tyre politike”, u shpreh Osmani.

Ai ndër të tjera uroi që këto zgjedhje të kenë një epilog paqësor korrekt dhe të ndershëm.

---

Policia ka informuar se ka bërë të mundur arrestimin e një personi, nën dyshimin se ka fotografuar me telefon celular fletëvotimin e rrethuar. Në fakt, dy votues janë regjistruar tek po bënin veprën e kundërligjshme, por Policia ka arritur të arrestojë vetëm njërin syresh.

Si transmeton Zhurnal, ngjarja ka ndodhur në Prilep.

Pos këtij rasti, raportohet se është arrestuar sot në mëngjes edhe një anëtare e këshillit zgjedhor në lagjen Aerodrom të Shkupi, pasi ishte kapur tek po vidhte disa fletëvotime.

Policia ka gjetur në çantën e saj të dorës gjithsej 4 fletëvotime. Kryetari i KZ-së në Aerodrom ka kërkuar nga policia që të ndërhynte pasi e kishte pikasur gruan tek po fuste në çanë fletëvotime.

Nga MPB informojnë se kanë ndërhyrë disa herë për raste të ngjashme.

---

Sipas informatave të vërtetuara të lajmëruara nga vëzhguesit dhe zyrat rajonale të organizatës joqeveritare për monitorim të zgjedhjeve Most, deri në orë e mbrëmjes janë vërejtur parregullsi në vendet zgjedhore si më poshtë: Vendi zgjedhor 1537, komuna e Probishtipit, i është lejuar një personi të votojë para se të kontrollohet në LZ dhe derisa ai ishte prapa paravënit. KZ-ja ka konstatuar se ky person nuk është në LZ. Fletëvotimet janë të anuluara dhe është përpiluar procesverbal.

Vendi zgjedhor 0937, komuna e Kratovës, paravani për votim ka hapësirë me çka është shkatërruar fshehtësia e votimit.

Vendi zgjedhor 0845, komuna e Koçanit, ka pasur ndërprerje prej 15 minutash për shkak të llambave UV të prishura. Të njëjtat janë riparuar dhe votimi ka vazhduar.

Vendi zgjedhor 0678, komuna e Kavadarit, vëzhgues partiak ka bërë listën me votues pasi emrat e tyre lexohen me zë të lartë. Pas reagimit të vëzhguesve dhe anëtarëve tjerë të KZ-së lista është marrë dhe shkëputur dhe votimi ka vazhduar.

Vendi zgjedhor 2563, komuna Gjorçe Petrov, vëzhgues i partisë politike në 7 raste u ka ndihmuar votuesve gjatë votimit dhe u ka sugjeruar për kë të votojnë.

---

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, bëri të ditur se deri në orën 13, në zgjedhjet për pushtetin lokal, kanë dalur 34.78 për qind e votuesve.

Pjesëmarrje më e madhe e votuesve është regjistruar në Komunën e Kërçovës me gjithsej 54.69 për qind. Në këtë qytet po zhvillohet garë mes kandidatit shqiptar të BDI-së, Fatmir Dehari, dhe atij të koalicionit VMRO-LSDM, Bllagoja Despotovski.

Nga KSHZ-ja kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor në përgjithësi po zhvillohet në atmosferë të qetë, por komisionet komunale dhe partitë politike kanë denoncuar parregullsi.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nuk ka mundur të votojë pasi emri i tij nuk figuronte në qendrën e votimit në Tetovë.

“Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e Punëve të Brendshme, njësia rajonale e Tetovës, nuk e ka informuar Entin statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtynë të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka deklarur kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

........

Në Maqedoni sot po mbahen votimet për zgjedhjet lokale, në të cilat rreth 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin drejtuesit e rinj të pushtetit vendor në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e posaçme e vetadministrimit lokal.
Zgjedhjet zhvillohen në 2.976 vendvotime, ndërsa garojnë 8.878 kandidatë, apo 350 lista për kryetar të komunave dhe 480 për këshilltarë komunal.

Në bazë të informacioneve të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, procesi zgjedhor ka nisur mirë dhe nuk ka raportime për ndonjë ngecje apo probleme tjera të natyrës teknike, që do të ndikonin në legjitimitetin e zgjedhjeve.

“Jehona e votuesve deri në orën dhjetë arrin 12 për qind në nivel republikan”, ka bërë të ditur zëdhënësja e KSHZ-së, Biljana Jovanovska.

Ndërkaq, edhe drejtuesi i asociacionit "MOST" që monitoron zgjedhjet me mbi 3 mijë vëzhgues në 50 për qind në tërë territorin e Maqedonisë, Darko Aleksov, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme.

“Si asociacion qytetar 'MOST', mund të konstatojmë se në të gjitha vendvotimet ku janë përqendruar monitoruesit tanë, procesi zgjedhor realizohet pa probleme”, ka thënë Aleksov.

Ai ka shtuar se vëzhguesit e këtij asociacioni, kanë regjistruar disa probleme të natyrës teknike në pjesën Lindore të Maqedonisë, të cilat janë eliminuar.

Edhe qytetarët e anketuar thonë se zgjedhjet realizohen në frymë demokratike pa probleme

"Po, mirë është duke shkuar procesi zgjedhor”, shprehet një qytetar, derisa tjetri thotë:

“Shpresoj të vazhdojë kështu, unë votova pa probleme, s'kishte as shumë”.

“Besoj se zgjedhjet siç janë duke kaluar tani do të realizohen në një atmosferë demokratike edhe gjatë tërë ditës, duhet të fitojë më i miri”, shprehet një qytetare nga Shkupi.

Ndryshe, një ditë më parë kanë votuar personat e sëmurë, si dhe të burgosurit. Procesi zgjedhor po monitorohet nga 410 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 8.379 vendorë.

Zgjedhjet e sotme vijnë pas një fushate parazgjedhore 20-ditëshe, e cila është zhvilluar në atmosferë të qetë, në veçanti te blloku politik shqiptar. Garë e fortë ndërmjet partive pritet të zhvillohet për qytetet e mëdha si Shkupi, Tetova, Manastiri, Ohri dhe Kumanova.

Kësaj radhe, zgjedhjet lokale kanë marrë edhe dimensionin e garës ndëretnike për qytetet e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.

Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komuna, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.

Pavarësisht fushatës së tensionuar, partitë kanë bërë thirrje për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Qendra e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa rezultatet e para KSHZ-ja do t’i publikojë në formë elektronike në faqen e saj zyrtare në internet ashtu siç arrijnë nga vendvotimet.

..................

Gjatë ditës pritet të aterrojnë në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit edhe 4 aeroplanë me mërgimtar shqiptarë që vijnë për të votuar në zgjedhjet lokale sot në Maqedoni . Dje edhe krahas shantazhimeve të shumta aterruan 8 aeroplan carter me mërgimtar shqiptarë. Ndërsa u shënua edhe rritje e madhe e qarkullimit në pikën kufitare Tabanocë ku vetëm gjatë ditës së djeshme në vend kanë hyrë mbi 6 mijë persona.

.................

Nuk do të tolerojë kurrfarë uzurpimi ose prishje të procesit zgjedhor, potencojnë nga MPB-ja dhe theksojnë se Shtabi operativ republikan i ka pëfunduar me përgatitjet për sigurimin e një procesi zgjedhor të qetë, korrekt dhe demokratik gjegjësisht me të gjitha aktivitetet lidhur me sigurimin e fushatës së periudhës parazgjedhore.

Tani për tani, njoftoi në konferencën për shtyp ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, nuk janë paraqitur as nuk janë regjistruar kurrfarë problemesh.

"Edhe një herë dëshiroj të apeloj qytetarët dhe partitë politike të tregojnë vetëdije të lartë dhe të mos lejojnë të involvohen në çfarëdo incidentesh ose parregullsi. Nuk do të lejohet kurrfarë uzurpimi ose prishje e procesit zgjedhor", tha Jankulloska.

Në ditën e zgjedhjeve, të dielën, Ministria e Brendshme do t'i sigurojë të gjitha 2.976 vendvotimet nga ora 6 e mëngjesit deri në ora 19.00, gjegjësisht deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Sigurimi, sqaroi Jankulloska, përfshin sigurinë fizike të objekteve ku ndodhen vendvotimet dhe kalimin deri tek ata gjatë zgjedhjeve, sigurimin fizik të materialeve votuese dhe sigurinë personale të votuesve, kandidatëve, përfaqësuesve partiakë, anëtarëve të Këshillit Zgjedhor, vëzhguesve të akredituar dhe në përgjithësi opinionin. Do të ndërmerren të gjitha masat e domosdoshme për eliminimin e kanosjeve potenciale sipas sigurisë në këtë periudhë. Do të ndërmerren edhe masa për eliminimin e pengimit, frikësimit ose maltretimit të votuesve, gjatë kanosjeve eventuale të orientuara nga anëtarët e organeve kompetente për zbatimin e zgjedhjeve, vëzhguesve të autorizuara, mediat, parandalimin e mbajtjes së armeve në vende publike, ndërsa të mos lejohet mbajtja e armëve brenda dhe rreth vendvotimeve.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, paralajmëroi ajo, do të ndërmerren të gjitha masat edhe për sigurimin e kushteve për grumbullimin e rezultateve të votimit dhe për punë të papengueshme të këshilleve zgjedhore dhe komisioneve komunale zgjedhore, si dhe sigurimin e materialit zgjedhor në të gjithat fazat e dorëzimit.Në kuadër të përgatitjeve të këtyre zgjedhjeve, MPB ka përpiluar hartë me vende me rrezik të rritur nga tensionet në bazë të incidenteve të regjistruara gjatë cikleve zgjedhore paraprake dhe në bazë të njohurive dhe informacioneve operative.

........................................

Në Maqedoni sot kanë nisur votimet për zgjedhjet lokale, në të cilat rreth 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin drejtuesit e ri të pushtetit vendor në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e posaçme e vetadministrimit lokal.

Zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve,Subhi Jakupi, tha se në bazë të informacioneve të para të KSHZ-së, procesi zgjedhor ka nisur mirë dhe nuk ka raportime për ndonjë ngecje apo probleme tjera të natyrës teknike.

Zgjedhjet zhvillohen në 2.976 vendvotime, ndërsa garojnë 8.878 kandidatë, apo 350 lista për kryetar të komunave dhe 480 për këshilltarë komunal.

Një ditë më parë kanë votuar personat e sëmurë, si dhe të burgosurit. Procesi zgjedhor po monitorohet nga 410 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 8.379 vendorë.

Zgjedhjet e sotme vijnë pas një fushate parazgjedhore 20 ditëshe, e cila është zhvilluar në atmosferë të qetë, në veçanti tek blloku politik shqiptar. Garë e fortë ndërmjet partive pritet të zhvillohet për qytetet e mëdha si Shkupi, Tetova, Manastiri, Ohri dhe Kumanova.

Kësaj radhe, zgjedhjet lokale kanë marrë edhe dimensionin e garës ndëretnike për qytetet e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.

Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komuna, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.

Pavarësisht fushatës së tensionuar, megjithatë partitë kanë bërë thirrje për zgjedhje fer dhe demokratike.

Qendra e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa rezultatet KSHZ-ja do t’i publikojë në formë elektronike në faqen e saj zyrtare në internet ashtu siç arrijnë nga vendvotimet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›