Vuçiq shpreson që Serbisë t’i ofrohet diçka më shumë në Bruksel

Njeriu që momentalisht vlerësohet më i fuqishmi politikisht në Serbi, nënkryetari i qeverisë serbe dhe kryetar i Partisë Progresiste Serbe, Aleksandar Vuçiq, po ashtu përkujtoi sot pjesëtarë e mbrojtjes ajrore dhe kundërajrore të rënë para 14 vjetëve gjatë bombardimeve të NATO-s, dhe me këtë rast pashmangshëm foli edhe për dialogun e Beogradit me Prishtinën, transmeton KD raportin e agjencisë FoNet. Ai theksoi se nuk beson që në rundin e ardhshëm të bisedimeve, më 2 prill në Bruksel, Serbisë do t’i ofrohet e njëjta gjë sikurse herën e kaluar (më 20 mars), pasi kjo “njëjtë është asgjë”.
“Nëse Serbisë i ofrohet asgjë, asgjë nuk detyroheni as të pranoni, as të refuzoni. Por, unë shpresoj dhe jam i bindur që Serbisë do t’i ofrohet diçka për të cilën do të mund të deklarohet”, tha ai.
Sipas tij, “ne kemi ofruar shumë koncesione, kemi bërë shumë kompromise, andaj presim , ndonëse jo shumë, edhe nga pala tjetër se ajo asgjë do të shndërrohet në diçka, në mënyrë që më 2 prill të mund t’i gëzojmë qytetarët tonë”.
Ai paralajmëroi që kreu shtetëror sipas të gjitha gjasave do të takohet të hënën apo të martën për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm lidhur me bisedimet në Bruksel.
Duke i bërë një vështrim temave të brendshme dhe thashethemeve për emërimin e tij në postin e kryeministrit në vend të Daçiqit, ai deklaroi se nuk do të ketë ndryshime në kreun e qeverisës serbe, sepse partia e tij nuk është e pakënaqur me punën e kryeministrit Ivica Daçiq, por shtoi se do të ketë rikonstruktime të rregullta të paralajmëruara.