E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Pranojeni marrëveshjen

Kryeministri Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë marrëveshjen për Veriun, e cila do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

“Unë besoj dhe mbetem optimist racional se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet me marrëveshje. Pastaj kjo marrëveshje duhet të implementohet nga institucionet e Kosovës, EULEX’i dhe NATO, ndërsa Serbia duhet ta përkrah zbatimin në praktikë duke përdorur ndikimin e saj pozitiv te komuniteti serb në Veri”, ka deklaruar Kryeministri për Express, në një deklaratë përmes telefonit, të dielën.

Ai thotë se udhëheqësit politik të Beogradit nuk duhet t’i përsërisin gabimet e së kaluarës.

“Lidershipi aktual i Serbisë nuk duhet t’i përsërisë gabimet që ka bërë Milosevici gjatë konferencës në Rambouillet dhe as gabimin e Vojislav Kostunicës gjatë procesit të negociatave për statusin në Vjenë. Lidershipi i Serbisë duhet të marrë vendime që i shërbejnë të ardhmes europiane dhe jo të mbetet peng i mentalitetit të së kaluarës”.

Kryeministri Thaçi thotë se arritja e marrëveshjeve që janë aktualisht në tavolinë, do t’i hap rrugë procesit të integrimeve euro-atlantike të dy vendeve.

“Unë dua të besoj në guximin dhe vizionin e lidershipit aktual të Serbisë që ta bejë një hap të tillë të madh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kështu të hap një kapitull të ri, atë të paqes dhe bashkëpunimit”, ka thënë Thaçi.

“Kosova është gatshme të marrë përgjegjësitë e saj për ta filluar këtë kapitull të ri i cili i hap rrugë të sigurt integrimeve euro-atlantike”, ka shtuar ai.

Thaçi dhe Dacic pritet të takohen me 2 prill në Bruksel, ku sipas gjitha gjasave, do të arrihet marrëveshja për Veriun e vendit. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›