E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE - Greqisë: Masa të tjera shtrënguese për të dalë nga kriza e buxhetit

Kriza Brukseli ngulmon për të tjera reduktime, ndërsa pritet këtë javë një ndihmë konkrete financiare

Bashkimi Europian i ka bërë sërish presion Greqisë që të reduktojë edhe më shpenzimet dhe të shtojë masat shtrënguese për të ulur ndjeshëm shifrën e lartë të buxhetit të vendit. Shefi i Financave të Bashkimit Europian, Olli Rehn, ngulmoi dje që masat shtesë janë më se të domosdoshme për arritjen e objektivave që Papandreu dhe qeveria e tij i kanë vënë vetes dhe mbi të gjitha kapja e afateve të caktuara. Një këndvështrim i tillë është në përputhje edhe me Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Dua që të nxis grekët që të shtojnë masat shtrënguese dhe e rikonsiderojnë njoftimin e tyre në ditët në vijim”, ka deklaruar zyrtari i lartë i BE-së. Sipas tij, kjo nuk do të jetë një ndërmarrje e lehtë për më tepër që Greqia po përballet edhe me shumë greva dhe protesta të sindikatave të ndryshme që janë kundër masave të tilla që bien drejtpërsëdrejti mbi shpatullat e njerëzve të thjeshtë, por europianët mendojnë se nuk ka rrugëdalje tjetër. Ndërkohë, ministri i Financave të Greqisë është përgjigjur menjëherë, duke thënë se vendi i tij do të bënte ç’ishte e mundur brenda mundësive të tij për të ndrequr situatën, përfshi edhe marrjen e masave të reja shtesë. Kjo kërkesë vjen ndërkohë që po përflitet mundësia e një ndihme konkrete financiare për Greqinë nga ana e Gjermanisë dhe e Francës që janë edhe vendet më të fuqishme financiarisht në Bashkimin Europian. Ka shumë mundësi që një ndihmë e tillë të finalizohet në fund të kësaj jave. Një dështim, apo falimentim i shtetit grek do ta çonte të gjithë eurozonën në një situatë shumë të vështirë dhe efekti do të ishte dominues edhe për vende të tjera. Kryeministri grek do të takohet këtë javë me Kancelaren gjermane, Merkel, dhe më pas do të shkojë edhe në Uashington për një takim me Obamën. Dje ai u zotua që ta nxirrte Greqinë nga kriza më e rëndë me të cilën po përballet vendi i tij që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ai u bëri një thirrje grekëve që të ishin të ndërgjegjshëm për situatën dhe të kontribuonin për përmirësimin e saj. “është tepër urgjente për ne që të zgjidhim këtë problem dramatik me buxhetin që ka vënë në rrezik shtetin dhe na ka pakësuar aftësinë për të marrë fatin tonë në dorë dhe për të vendosur për veten”, deklaroi Papandreu në një mbledhje të kabinetit qeveritar. Sot, Parlamenti grek pritet që të miratojë një projektligj për përmirësimin e transparencës së të dhënave financiare dhe për shndërrimin e statistikave në një institucion tërësisht të pavarur nga ndikimet e qeverisë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›