E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, gati reduktimit maksimal të armëve bërthamore

Obama rishikon politikën bërthamore për krijimin e një bote më të sigurt

Presidenti amerikan, Barak Obama, është duke planifikuar një “reduktim të madh” të arsenalit bërthamor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është deklarata e bërë nga një zyrtar i lartë i administratës amerikane. Një masë e tillë do të jetë pjesë e një pakete të plotë që do të synojë të ridimensionojë gjithë politikën e vendit në lidhje me armët bërthamore dhe përhapjen e tyre. “Ky rishikim ka të bëjë me një reduktim jashtëzakonisht të madh të stoqeve të armëve bërthamore“, ka deklaruar zyrtari i lartë amerikan, i cili ka shtuar se ky hap do të nxisë hapa të tjerë në lidhje me të gjitha llojet e armëve konvencionale. Për të diskutuar në lidhje me këto çështje Obama do të takohet edhe me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates. Së bashku pritet të përcaktojnë edhe strategjinë e re bërthamore të vendit.

Sipas disa burimeve zyrtare, aktualisht mund të eliminohen një numër i madh armësh bërthamore, kryesisht armë që kanë dalë jashtë përdorimit dhe që aktualisht ndodhen të magazinuara prej vitesh. Kjo strategji do të jetë një hap përpara për Obamën, i cili ka deklaruar që gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, por edhe më pas se një nga synimet e tij është pakësimi i arsenalit bërthamor në rang global dhe një planet pa armë të tilla të shkatërrimit në masë. Prillin e kaluar gjatë vizitës që bëri në Europë, Obama nënvizoi edhe njëherë këtë vizion të tijin dhe aktualisht ky mund të quhet hapi i parë konkret i ndërmarrë prej tij për realizimin e këtij vizioni. Në atë vizitë, Presidenti bëri thirrje për një partneritet të ri mes vendeve të fuqishme, kryesisht fuqive bërthamore të botës për parandalimin e përhapjes së tyre. Ndërkohë, muajin e ardhshëm do të organizohet edhe takimi i sigurisë bërthamore në lidhje me diskutimet për traktatin e armëve bërthamore jo-prokiferike.
Disa nga aleatët e Obamës në Kongres po përgatisin terrenin për ndryshimin e ligjit aktual, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të drejtë të sulmojnë me armë bërthamore edhe një vend që nuk është fuqi bërthamore, por që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Sipas Obamës, i vetmi qëllim i pasjes së arsenalit bërthamor është sulmi bërthamor. Ndërkohë, ky është një hap pozitiv edhe në situatën aktuale me shtimin e tensioneve në lidhje me ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit. Ky rishikim i politikës së Uashingtonit vjen edhe në momentin kur Uashingtoni dhe Moska janë pranë një marrëveshjeje të re për reduktimin e arsenalit bërthamor në botë, edhe pse Moska është e shqetësuar për planet më të fundit amerikane në lidhje me ndërtimin e një sistemi anti- iranian të Europës Lindore. Megjithatë, në vija të trasha për këtë marrëveshje është rënë dakord mes Obamës dhe Medvedevit në takimin e korrikut të kaluar kur të dy ranë dakord që të ulin ndejshëm numrin e kokave të raketave me mbushje bërthamore.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›