E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, banorët kërkojnë përsëri grupet e verifikimit

Shkodër Uji nis të tërhiqet, por mban ende të bllokuar fshatrat fushorë

Mijëra ha tokë dhe qindra banesa vazhdojnë të jenë nën ujë në Dajç, Obot, Velipojë dhe Bushat edhe pse niveli i ujit ka nisur të bjerë. Pamja mes Komunës Bushat dhe Velipojë në fshatin Mali i Jushit i ngjason një liqeni të madh, por në fakt janë tokat e fermerëve të mbuluara në ujë, ndërsa në banesa uji ka arritur deri në një metër. Banorët e kësaj zone shprehen të revoltuar se askush nuk ka shkuar të interesohet për gjendjen e tyre. Ata kërkojnë nga shteti të nisin sërish verifikimet e dëmeve, pasi shtëpitë e mobiluara pas përmbytjes së parë u janë shkatërruar plotësisht. Një prej banorëve të Malit të Jushit, Lec Kola, thotë se: “Pas përmbytjes së parë e mobilova sërish shtëpinë, nuk e dija se do përmbyteshim sërish. Të gjitha që kisha u shkatërruan, pasi uji erdhi shumë shpejt. Më është përmbytur gjithë shtëpia, uji më ka nxjerrë në oborr televizorin e gjithçka tjetër që kisha brenda. Kërkojmë nga shteti që të vijë e të na verifikojë sërish dëmet dhe të na dërgojnë ndihma, pasi jemi në një situatë mjaft kritike”.

Ndërkaq, pajisjet shtëpiake që notojnë në ujë dhe banesat e braktisura flasin qartë se përmbytja e dytë ka qenë po aq e dëmshme për këta banorë, sa edhe e para. Të dhënat e mbledhura nga krerët e njësive vendore dhe Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Qarkun e Shkodrës flasin për përmbytjen e një sipërfaqe toke prej 5700 ha dhe 56 shtëpive, ndërsa 805 shtëpi të tjera janë të rrethuara nga uji. Edhe sot, për shkak të nivelit të ujit vijojnë të mbeten të pakalueshme aksi i rrugës së Obotit në Komunën Ana e Malit dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Lulit. Dy akse të tjera rrugore, ai nga kthesa e Dajçit tek ura e Shirqit dhe aksi i Gorricës në Komunën Ana e Malit janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta.

Ndërkohë, 23 familjet e Komunës Dajç dhe 15 familjet e Komunës Velipojë lëvizin nga shtëpitë e tyre në mënyrë periodike në varësi të lëvizjes së nivelit të ujërave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›