Gumi, konflikt perfaqesimi ne Venecia

Mbajtja e pozicioneve të larta politike përbën një problem për të gjitha çështjet me karakter politik që shkojnë për gjykim në Komisionin e Venecias
Përfaqësuesi i një shteti luan një rol të madh në interpretimin ligjor të çështjeve që vijnë nga vendi i tij
TIRANË - Nëse Këshilli i Europës do të merrte parasysh këshillën e socialistëve europianë për ta çuar çështjen e "kutive" për interpretim në Komisionin e Venecias, atëherë ajo që do të druhej më shumë për vendimin do të ishte Partia Socialiste. Kjo jo për faktin se kërkesa në fjalë nuk është ligjore, por për një mbrojtje të fortë që qeveria do të siguronte pikërisht përmes përfaqësuesit të Shqipërisë në këtë komision, deputetit demokrat Viktor Gumit. Prej disa vitesh, që kur Gumi ishte nëpunës teknik në Ministrinë e Drejtësisë, në detyrën e drejtorit të Kodifikimit në këtë dikaster, është emëruar nga qeveria shqiptare si përfaqësues i vendit tonë në Komisionin e Venecias, një institucion ky i Këshillit të Europës i specializuar në interpretimin e çështjeve me karakter juridik dhe që është marrë shpesh edhe me problemet shqiptare. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga faqja zyrtare në internet e Komisionit të Venecias ku ish-Ministri dhe tashmë deputeti demokrat Viktor Gumi rezulton si përfaqësuesi ligjor i shtetit shqiptar.
Por ndërsa emërimi Gumit në këtë detyrë është bërë konform rregullave mbi të cilat funksionon ky institucion, ecuria e karrierës së tij politike, fillimisht si zëvendësministër Drejtësie, më pas ministër Pune dhe aktualisht deputetë, e ka vendosur atë në një konflikt të dukshëm interesi, i cili deri më tani mbetet moral për sa kohë nuk ekziston asnjë rregull i shkruar, që ta ndalojë këtë gjë. Megjithatë ekspertë të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare bëjnë të ditur se vet mbajtja e pozicioneve të larta politike përbënë një problem për të gjitha çështjet me karakter politik që shkojnë për gjykim në Komisionin e Venecias. Kështu, të qenit e Viktor Gumit deputet i partisë në pushtet mund të kompromentojë dhe të hedhë dyshime për një vendimmarrje të drejtë të Komisionit të Venecias për të gjitha çështjet e interpretuara prej saj. Kjo, pasi siç bëjnë të ditur njohës të mirë të këtij institucioni, përfaqësuesi i një shteti luan një rol të madh në interpretimin ligjor të çështjeve që vijnë nga vendi i tij. Kështu, përveç votës që ai ka në këtë komision, ai përcjell edhe një ndikim të madh edhe tek përfaqësuesit e shteteve të tjera, pasi mendimi i tij konsiderohet më i plotë për vet njohjen e çështjes.
Për të shmangur këtë lloj konflikti dhe ndikimi mësohet se disa vite më parë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka rekomanduar Komisionit të Venecias që të sanksionojë në statutin e saj se përfaqësuesit e shteteve në të nuk duhet të ishin ministra dhe përfaqësues të lartë të qeverisë. Por Komisioni i Venecias gjykoi që të mos e kthejë këtë rekomandim në një rregull të shkruar, por e la atë në formën e një sugjerimi për shtetet pjesëtare, çka në rastin e Shqipërisë nuk ka vlejtur, pasi Gumi ka qenë anëtarë i këtij institucioni edhe kur ishte zëvendësministër dhe më pas ministër, apo edhe tani si deputetë. Siç mësohet shtetet që kanë pjekuri politike përfaqësohen në këtë organizëm të lartë ndërkombëtar nga akademikë dhe profesionistë dhe jo njerëz politikë, megjithëse ende në të ka përfaqësues deputetë por që kryesisht janë nga vendet jo shumë të zhvilluara, siç është edhe Shqipëria.
Mësohet se prej dy ditësh Gumi gjendet në Komisionin e Venecias për të ushtruar detyrën e tij si përfaqësues i vendit tonë. Megjithatë, pavarësisht përfaqësuesit të vet në këtë institucion mazhoranca e djathtë ka pësuar këto vitet e fundit disa disfata në çështjet e shqyrtuara në të, siç është rasti i ligjit të "dosjeve", apo edhe ai për ndryshimet Kushtetuese. Mandati i një përfaqësuesi në Komisionin e Venecias është 4 vjet, por me të drejtë rizgjedhje.