E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE vendos të premten për kandidaturën e Serbisë

Bashkimi Evropian vendos të premten për dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat për Serbinë.

Burime diplomatike pranë Brukselit bëjnë të ditur për mediat serbe se Serbia mund të përfitojë një status “sprovues”, për të vlerësuar më pas se nëse ky vend plotëson statusin e plotë.

Nga ana tjetër, sipas gazetës “Blic” , vështirë është të parashikohet vendimi i së premtes, ndërsa një mundësi e shumëpritur është shtyerja e vendimit për sesionin e ardhshëm të Samitit të BE-së që do të mbahet në mars të vitit 2012.

Këshilli i ministrave të BE-së mbrëmë deri vonë në një mbledhje maratonë nuk ka sjellë vendimin për dhënien ose jo të statusit për Serbinë si vend kandidat në BE.

Qëndrimet dhe vlerësimet e ministrave evropian kanë qenë të rezervuara. Një pjesë e ministrave pjesëmarrës të vendeve anëtare kanë vijuar me kërkesat për të kushtëzuar Serbinë dhe për të shtyer procesin e dhënies së statusit të vendit kandidat.

Presidenca polake me BE-në komunikoi se udhëheqësit evropian të premten do të sjellin vendimin përfundimtar.

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule ka theksuar se ministrat e KE-së kanë mirëpritur heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.

Ai nuk ka dhënë sinjal të qartë lidhur me konkluzionet e arritura, megjithatë ka përshëndetur dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes, të ndërmjetësuar nga BE.

Ministrat e BE-së kanë bërë thirrje për vazhdimin e dialogut konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë për mbylljen e çështjeve të hapura dhe për zgjidhjen e problematikave që prekin dy vendet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›