Rreth 20 barrikada në veriun e Kosovës

Janë rreth 20 barrikada në veriun e Kosovës të cilat duhet të hiqen. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve INA e cila ka paraqitur një hartë të komunave paralele serbe në të cilën vërehen pikat e vendosura të barrikadave në rajonin e pjesës veriore të Kosovës, ku janë evidentuar edhe barrikadat që janë hequr nga dita e djeshme. Edhe pavarësisht heqjes së tyre vërehet një numër i madh i barrikadave që duhet të hiqen.
Barrikadat janë vendosur në pika të ndryshme të pjesës veriore, që pengojnë dhe bllokojnë lëvizjen e lirë drejt dy pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinjë. Barrikadat më të koncentruara janë në pjesën veriore të Mitrovicës, Zveçan dhe Rudare, trekëndëshi që çon drejt pikave kufitare të veriut të Kosovës.
KFOR-i ka apeluar që serbët të vijojnë me tërheqjen e të gjitha barrikadave dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë.
Por, disa nga kryetarët e komunave akoma kushtëzojnë heqjen e barrikadave. Kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviç ka deklaruar për mediat serbe se barrikadat mbeten, ndërsa nuk shihet se marrëveshja e arritur në Bruksel midis Prishtinës dhe Beograd është në interes të serbëve të këtij rajoni.
“Barrikadat mbeten, ndërsa të mos shohim se marrëveshja që ka arritur Borislav Stefanoviç në Bruksel është në interesin tonë. Pra, saktësisht, ndërsa të mos marrin garanci se kalimet administrative nuk janë kufij”, theksoi Miloviç.