E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, 60 miliardë për të shpëtuar euron

Britania e Madhe: “Jo fondit të përbashkët”. FMN miraton paketën e ndihmës për Greqinë

Ministrat e Financave të Bashkimit Europian u mblodhën dje në Bruksel për të votuar mbi mekanizmin e ri që synon sigurinë e euros dhe shpëtimin e shteteve në krizë. Ky fond, që do të jetë një lloj FMN-je e vogël, do të përfshijë një shumë prej 60 miliardë eurosh, i cili do të aktivizohet në rast urgjence për shtetet që rrezikojnë të pësojnë fatin e Greqisë. Por surpriza më e madhe ka ardhur nga Britania e Madhe i ka thënë jo fondit të përbashkët europian prej 60 miliardë eurosh që do të shërbejë si garanci për monedhën e përbashkët europiane. Këtë e ka konfirmuar ministri anglez i Financave, Alistair Darling, që ka saktësuar: "Dua të jem i qartë, propozimi për të krijuar një fond për stabilitetin e euros është një çështje që i përket Eurogrupit. Sot është e rëndësishme të bësh gjithçka që është e mundur për të stabilizuar tregjet financiare, por që vendi im nuk do të ofrojë suport për euron. Duhet të tregojmë se duke vepruar së bashku, mund ta bëjmë situatën të qëndrueshme dhe nuk duam të vëmë në rrezik rimëkëmbjen që po vjen ngadalë. Ne do të bëjmë pjesën që na takon, por kur bëhet fjalë për të mbështetur euron, kjo i përket vendeve të Zonës Euro, dhe Britania nuk është pjesë e saj”. Darling ndodhej në Bruksel, ku Bashkimi Europian diskutoi mundësinë e një mekanizmi të ri stabilizimi europian për të kërkuar të bindë tregjet se euro është një monedhë e qëndrueshme, duke evituar përhapjen e krizave të tjera të debitit, si ajo greke. Megjithatë, Nikolas Sarkozy dhe liderë të tjerë kanë nënvizuar nevojën për të vazhduar, edhe pse nuk do të kenë të gjitha “Po”-të e 27 vendeve anëtare. Por refuzimi i Britanisë së Madhe mund të shtyjë hipotezës për të limituar mekanizmin në vetëm 16 vende të Eurozonës.

Ministrat e Financës në BE kërkuan në Bruksel vendosjen e një mekanizmi të ri, që aktivizohet në raste urgjence për shpëtimin e shteteve në krizë. Bëhet fjalë për një fond të përhershëm, që do të japë kredi në euro për vendet e Eurozonës nëse ndodhen në vështirësi. Sipas analistëve, nëse një mekanizëm i tillë do të kishte ekzistuar, kriza greke do të ishte shmangur, ose të paktën përmasat e saj do të kishin qenë më të vogla. “Eurozona është duke kaluar një krizë shumë të rëndë, madje më të rëndën që nga krijimi i saj. Sot, ne përballemi me një sulm ndaj të gjithë Europës, jo vetëm Greqisë, dhe për këtë do të duhet një kundërpërgjigje e veçantë”, deklaroi Presidenti i Francës, Sarkozy. Sipas tij, asnjë nga masat e marra nuk kërkonte ndryshime të Kushtetutës së Bashkimit Europian dhe se gjithçka duhet që të kishte marrë fund me miratimin e 27 vendeve deri sot në mëngjes. Ndërsa Kancelarja gjermane, Merkel, tha: “Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndaj euros ka nisur një fushatë spekulimesh”. Mendohet se fondi do të mbështetet nga një organizëm ekzistues, ai i balancimit të pagesave. Ndërkaq, Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar u mblodh në Nju Jork për të votuar paketën e ndihmës për Greqinë. FMN dëshiron t’ua hapë dritën jeshile ndihmave që bëjnë pjesë në programin e gjerë që përfshin edhe BE. Ai aprovoi paketën prej 30 miliardë eurosh. Nga ana tjetër, Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka telefonuar Kancelares gjermane për situatën e trazuar ekonomike në Europë. Krerët e shteteve, sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Bill Burton, kanë diskutuar për hapat vendimtarë që duhet të ndërmarrin 27 vendet e Bashkimit Europian për të rikthyer besimin në tregjet financiare.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›