Reja vullkanike, probleme në Rinas
Reja e tymit që vijon të lëshojë një vullkan në Islandën e largët, pritet të kalojë mbi Shqipëri dhe Greqi gjatë natës së sotme, por autoritetet që kontrollojnë trafikun ajror në vendin tonë, mendojnë se nuk është ende i nevojshëm ndalimi i fluturimeve. Në një mbledhje të zhvilluar dje, një grup pune i ngritur pranë agjencisë së transportit ajror civil vendosi ta mbajë situatën nën monitorim të vazhdueshëm dhe njoftoi se gjatë ditës së sotme do të japë njoftime të reja vazhdimisht.
Por megjithëse qielli shqiptar mbetet i hapur, shumë fluturime mund të anulohen ose të vonohen për shkak se avionët kanë filluar të shmangin problemet, duke anashkaluar fluturimet në zonat e resë vullkanike. Në të gjitha rastet, kjo do të thotë se udhëtimet do të zgjasin më shumë se zakonisht, duke shkaktuar vonesa deri në disa orë. Nga ana tjetër, në pikëpyetje janë një pjesë e udhëtimeve nga Rinasi për në Italinë e veriut dhe zona të tjera ku fluturimet janë bllokuar tashmë me urdhër të autoriteteve në vendet përkatëse. Mbrëmjen e djeshme, autoritetet gjermane mbyllën përkohësisht aeroportin e Mynihut, i cili përdoret nga shqiptarët si për të udhëtuar drejt Gjermanisë, ashtu edhe si pikë transiti drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Agjencia u bëri thirrje shqiptarëve të pyesin pranë zyrave të kompanisë me të cilën kanë planifikuar të udhëtojnë, para se të nisen për në aeroport. Agjencia e transportit civil shqiptar po shkëmben informacione me vendet fqinje mbi situatën në mënyrë të vazhduar. Në Rinas vijnë dhe ikin mesatarisht 4 mijë udhëtarë vendas e të huaj. Drejt Italisë, ku sakaq ka pasur anulim fluturimesh, nisen më shumë se gjysma e të gjitha fluturimeve nga Shqipëria.
Reja vullkanike mbërriti dje pasdreke në qiellin e Greqisë, sipas gazetës “Eleftherotypia”. Edhe këtu autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe sipas saj, udhëtimet mbi Greqi mund të kufizohen, por një situatë e jashtëzakonshme si ajo e prillit nuk pritet të ndodhë. Tani për tani nuk ka informacion për vendet e tjera fqinje.
Reja vullkanikeReja e tymit e lëshuar nga vullkani Ejafjallajokul ka shkaktuar probleme veçanërisht në linjat transoqeanike nga Europa për në Amerikë, ndërsa dhjetëra udhëtime nga shumë aeroporte në Spanjë, Francë dhe Italinë e Veriut, u anuluan. Reja shtrihej dje për më shumë se 1200 kilometra në formë harku nga Islanda mbi oqean, në drejtim të Portugalisë dhe Spanjës. Ajo përbëhet nga grimca të vogla silici, të cilat në kontakt me motorët e një avioni mund të shkrihen duke krijuar bllokim të ajrit dhe fikje të motorëve.
Aeroplanët i ranë përqark resë që gjendet me intensitet të lartë mbi oqeanin Atlantik, duke udhëtuar për në Europë përmes jugut të saj, për në Spanjë, ose përmes veriut të saj në Groelandë. Kjo gjë shkaktoi zgjatje të udhëtimit minimalisht një orë më shumë, ndërsa në disa raste vonesat qenë deri në katër orë. Parashikimi meteorologjik është që reja të largohet nga Kontinenti Europian, duke rikthyer normalitetin.
Reja vullkanike e këtij vullkani paralizoi pjesën dërrmuese të trafikut ajror mbi kontinentin europian në prill, duke shkaktuar miliarda euro dëme për kompanitë ajrore, si dhe shumë telashe për udhëtarët. Shqiptarët që u gjendën në Londër ato ditë, mbetën të bllokuar përgjatë të gjithë krizës, për shkak se nuk kishin viza për të udhëtuar me rrugë tokësore përmes Francës e Italisë.
#