BE: Bisedimet me qeverinë e re hungareze ishin konstruktive

Bashkimi Evropian ka vlerësuar si “jashtëzakonisht konstruktive” bisedimet e para me qeverinë e re të Hungarisë, duke sinjalizuar një mundësi për përmirësim të marrëdhënieve të tensionuara mes palëve.
Sipas Komisionit Evropian, takimet e zhvilluara gjatë fundjavës në Budapest u karakterizuan nga një ton pozitiv dhe bashkëpunues. Zëvendëszëdhënësi kryesor i Komisionit, Olof Gill, deklaroi se këto diskutime përbëjnë “një pikënisje shumë të dobishme” për të çuar përpara çështjet e mbetura pezull prej kohësh.
Fokusi kryesor i bisedimeve ishte zhbllokimi i fondeve të Bashkimit Evropian për Hungarinë, të cilat janë mbajtur pezull për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit dhe standardet demokratike. Sipas zyrtarëve evropianë, përparimi në këto fusha do të ishte në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve hungarezë.
Delegacioni i Komisioni Evropian ndodhet në Hungari për takime të nivelit të lartë që synojnë të riformësojnë marrëdhëniet mes palëve, vetëm disa javë para se qeveria e re të marrë zyrtarisht detyrën.
Ndërkohë, kryeministri në largim, Viktor Orbán, ka pranuar se “një epokë politike ka mbaruar”, duke lënë të kuptohet për një fazë të re në politikën hungareze dhe në raportet me Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/