Zgjedhjet në Bullgari, partia e ish-presidentit Radev shënon fitore historike

Partia progresiste e ish-presidentit pro-rus të Bullgarisë, Rumen Radev, shënoi një fitore historike në zgjedhjet parlamentare të mbajtura një ditë më parë në vend, duke marrë më shumë se 44.7 për qind të votave, një përqindje që i siguron shumicë absolute në parlament.
Megjithatë, vetë Radev nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me koalicionin pro-evropian “Vijojmë Ndryshimin, Bullgaria Demokratike”, i cili ka marrë 13.2 për qind të votave, veçanërisht sa i përket reformës në drejtësi.
“Kjo është fitorja e shpresës ndaj mosbesimit, fitorja e lirisë ndaj frikës”, u shpreh pas daljes së rezultateve paraprake ish-piloti dhe euroskeptiku, i cili është kundër mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Radev u largua nga posti i presidentit në muajin janar me synimin për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën pasi protestat masive të fund vitit të kaluar çuan në rrëzimin e qeverisë së mëparshme.
Nga shumëkush në Bullgari, Radev krahasohet me ish-kryeministrin nacionalist të Hungarisë, Viktor Orbán, veçanërisht për sa i përket deklaratave të tij në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Moskën dhe rifillimit pa pengesa të furnizimit të Evropës me naftë dhe gaz rus. Këto deklarata u mirëpritën këtë të hënë nga Kremlini.
Ende nuk është e qartë se sa do ta ndryshojë politikën e jashtme të vendit, i cili iu bashkua eurozonës në janar të këtij viti, një lëvizje që Radev e ka kritikuar. Analistët thonë se nuk presin që ish-presidenti ta përmbysë këtë zhvillim apo të bllokojë paketat e ndihmës evropiane për Ukrainën.
Për fitoren e thellë në zgjedhje, ish-presidentin e uroi edhe shefja e krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/