BE: Dorëzimi i imunitetit nga PD pa vlerë ligjore, ndryshoni Kushtetutën
Dorëzimi vullnetar i imunitetit të deputetëve i sanksionuar edhe në Rregulloren e Kuvendit në marsin e shkuar nga mazhoranca, nuk ka vlerë ligjore, ndërkohë që e vetmja rrugë për të realizuar një gjë të tillë është ndryshimi i Kushtetutës. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët ligjorë të Projektit kundër Korrupsionit në Shqipëri (PACA), të financiar nga BE dhe KiE, pas një diskutimi të gjatë lidhur me nevojën dhe mënyrat sesi mund të arrihet kufizimi i imunitetit për zyrtarët e zgjedhur dhe ata të institucioneve të tjera të larta kushtetuese. Për këtë qëllim, PACA ka bërë një punë voluminoze dhe përfundimet e saj do t’i diskutojë sot në një tryezë të gjerë me përfaqësues të politikës dhe ekspertë të fushës, ku ndërmjet të tjerash paraqet amendamente konkrete për ndryshimin e Kushtetutës, si dhe i kërkon qeverisë që brenda muajit dhjetor të japë vlerësimin e saj zyrtar lidhur me këtë çështje.
Argumentet
Pika më shumë e debatuar është pikërisht neni 73 në pikat 2, 3 dhe 4 të tij, të cilat kanë të bëjnë me pacenueshmërinë e deputetëve dhe ministrave nga arrestimi, hetimi ose ndonjë formë e ndjekjes penale. Ky lloj imuniteti vlerësohet nga ekspertët e PACA si çështja qendrore shqetësuese në Shqipëri dhe kufizimi duhet të përbëjë qëllimin kryesor të reformës. Sipas tyre, sistemi aktual u ofron zyrtarëve të zgjedhur një shkallë të lartë mbrojtjeje që shkon përtej qëllimit të pacenueshmërisë, që vështirë të justifikohet. Kjo pasi dispozitat aktuale parashikojnë që organi i akuzës të nisë hetimet, duhet të kërkojë më parë nga Kuvendi heqjen e imunitetit, të cilën duhet ta shoqërojë me argumentim të hollësishëm, që realisht është i pamundur të sigurohet për sa kohë deputeti ka imunitet. Në këtë material ekspertët e PACA-s të financuar nga BE, ndërsa e konsiderojnë heqjen e këtij lloj imuniteti të domosdoshëm, analizojnë dy rrugët e debatuara dhe më parë për të realizuar një gjë të tillë: a) nëpërmjet ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe në Rregulloren e Kuvendit, si dhe me ndryshimet në Kushtetutë. Rruga e parë konstaton në atë se kjo mund të arrihet me dorëzimin vullnetar të imunitetit dhe me një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale për të përjashtuar nga nocioni kushtetues i ndjekjes penale hetimet paraprake. Duke analizuar rrugën e parë, pra atë nëpërmjet vetëdeklarimit të dorëzimit të imunitetit që ndoqi pak muaj më parë grupi parlamentar demokrat me disa ndryshime të bëra në Rregulloren e Kuvendit, PACA vlerëson se vetëm një ndryshim kushtetues ose një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të qartësojë nocionin kushtetues “ndjekje penale” në mënyrë detyruese. Kjo pasi, ndryshimi në një ligj që është poshtë Kushtetutës nuk mund ta modifikojë nocionin kushtetues në mënyrë detyruese. Ndërkohë që për sa i përket heqjes së imunitetit në mënyrë vullnetare, PACA thekson se kjo nuk është një zgjidhje që ngushton zbatimin e imunitetit. Sipas tij, Rregullorja përmban rregullat e brendshme të legjislativit, ndërkohë që imunitetet garantohen nga Kushtetuta, që është një ligj më i lartë dhe nuk mund të ndryshohet nga Rregullorja. Në këtë dokument thuhet se nuk mund të hiqet dorë nga imuniteti thjesht me dëshirën e deputetit në fjalë. Por trajtimi i kësaj çështjeje në këtë mënyrë vlerësohet negativisht edhe në aspektin tjetër, në atë se nuk bëhet i mundur kufizimi i imuniteteve për kategoritë e tjera të zyrtarëve. Megjithatë, PACA në këtë material duket se del edhe kundra vetë Venecias, pasi nuk është dakord me propozimin e saj se imuniteti mund të kufizohet edhe nëpërmjet një ligji të veçantë, mjafton që ky të jetë 3/5. Sipas PACA-s, në rast se një gjë e tillë është e mundur, atëherë do të ishte më mirë që kjo gjë të bëhej me Kushtetutë.
Propozimet
Për të gjitha argumentet e paraqitura më lart, PACA vlerëson se një terren i mirë ku mund të investohet ky debat janë padyshim propozimet e bëra në vitin 2008 për kufizimin e imunitetit. Duke punuar mbi këto propozime, ekspertët e PACA-s kanë bërë disa amendamente shtesë ku propozojnë vetëm ndryshimin në aspektin e garantimit të jetës parlamentare, pra funksionimit normal të tij, si dhe në atë të votimit. Për sa i përket pjesës së parë, ekspertët propozojnë që në Kushtetutë të përcaktohet se deputeti apo i zgjedhuri nuk mund të arrestohet ose t’i nënshtrohet kontrollit individual ose të shtëpisë së tij për aq kohë sa Kuvendi kërkon që të zbatohet ai. Dhe kjo me të vetmin argumentim për të mos krijuar boshllëqe të panevojshme numrash në Kuvend, çka do të bënte të pamundur veprimtarinë normale të tij. Ndërkaq, për procesin e heqjes së imunitetit në Kuvend, PACA propozon që votimi të bëhet i hapur, ndërkohë që seanca të bëhet e mbyllur.
Propozimet e PACA-s
Neni 1
Neni 73, paragrafët 1 dhe 2 ndryshohen si vijon:
Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria e tij personale në ndonjë formë, dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij, në qoftë se dhe për sa kohë Kuvendi kërkon zbatimin e imunitetit të deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme.
3. Për çështjet e parashikuara në paragrafin 2, Kuvendi mund të diskutojë në seancë të mbyllur për arsye të mbrojtjes së të dhënave, por vendimi merret me votim të hapur.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare dhe prek të gjitha hetimet e procedurat e nisura.
(Ndryshimet në Kushtetutë shoqërohen dhe me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe në Rregullore)