Ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë, diskutim mes rektorësh
Ndryshimet që do të pësojë ligji i arsimit të lartë do të diskutohen gjerësisht para se kopja e draftit me amendime të dorëzohet pranë Këshillit të Ministrave për miratim.
Sipas Universitetit të Tiranës, ditën e premte do të ketë një mbledhje të Konferencës së Rektorëve. Këtu të gjithë drejtuesit e universiteteve do të japin mendime, propozime dhe sugjerime për sa u takon ndryshimeve që duhet të pësojë ligji i arsimit të lartë.
Ndërsa nga ana tjetër, specialistët e grupit të punës, të cilët janë caktuar për të monitoruar nga afër të gjitha proceset e amendimit në ligjin e arsimit të lartë, kanë sqaruar se pjesë integrale e diskutimeve do të jenë ciklet e studimeve.
Konferenca e RektorëveDitën e premte janë ftuar në Tiranë të gjithë rektorët e universiteteve në vend. Takimi do të zhvillohet në ambientet e rektoratit të Universitetit të Tiranës, ndërsa pritet që çështjet më të rëndësishme për diskutim do të jenë pikat që do të kërkohen për ndryshim, në ligjin aktual, aty ku shpjegohen më në detaje ciklet e studimeve, kritereve, mënyra e përzgjedhjes së lektorëve. Në këtë mbledhje do të shtrohen për diskutim edhe çështjet që kanë të bëjnë me certifikimin e gjuhës së huaj, nëse do të jetë TOEFL-i, ai që do të vërtetojë shkallën e përvetësimit të gjuhës angleze, apo ndonjë institucion tjetër. Po ashtu pritet që të ketë shkëmbim mendimesh për sa i takon çështjes së kritereve për të vazhduar doktoraturën, masterin për të dhënë mësim në fakultete apo në cikle të ndryshme studimi.
Pikat me propozime për ndryshime do të kalojnë një nga një, por drejtuesit e universiteteve në vend do të përqendrohen më shumë në pjesën e cikleve të studimit, duke sqaruar një herë e mirë, ato pjesë që kanë mbetur të pakthjelluara për sistemin e Bolonjës, apo vlerësimit objektiv të studentëve që kanë kryer formimin me ciklin e Bolonjës apo atë katërvjeçar. Në takimin e ditës së premte do të shqyrtohet edhe çështja e përkthimeve nga anglishtja për materialet dhe botimet me të cilët duhet të punojnë studentët.
Ndryshimet dhe debatiNjë muaj më parë, universitetet publike paraqitën objeksione për çështjen e amendimit të ligjit të arsimit të lartë. Një projektvendim i cili u prezantua nga Kryeministri në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, zgjoi shqetësimin e universiteteve për çështje të lidhura ngushtë me formimin, me autonominë universitare dhe subjektivitetet e paraqitura në atë draft për ciklet e studimeve. Nisur nga të gjitha ankesat dhe peticionin që iu dërgua për dijeni edhe Kryeministrit, u mor vendimi për një rishqyrtim të ndryshimeve dhe amendimeve që do të pësojë ligji i arsimit të lartë, duke përfshirë në diskutim dhe duke pranuar sugjerime nga grupet e interesit dhe në mënyrë të veçantë nga universitetet. Nga ana tjetër, sipas grupit të punës, që ka ndjekur nga afër propozimet e palëve lidhur me amendimet që do të pësojë ligji, pritet që drafti përfundimtar të miratohet javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
#